Ish-presidenti akuzohet për krime kundër njerëzimit, kush e ka radhën pas tij?
Ish-presidenti rumun Ion Iliesku u akuzua zyrtarisht të hënën për krime kundër njerëzimit nga kryeprokurori i vendit. 89 vjeçari Iliesku, ka thënë në mënyrë të përsëritur se është i pafajshëm. Ai gëzonte mjaft popullaritet pas revoltës kundër diktatorit Nikolae Çaushesku, i cili u rrëzua dhe u ekzekutua në dhjetor 1989. Por në këtë proces gjetën vdekjen qindra njerëz dhe kundërshtarët e Ilieskut e akuzojnë atë se ia grabiti revolucionin popullit. Aktakuza zyrtare ngrihet pasi prokurorët e akuzuan Ilieskun dhjetorin e kaluar si ideator i krijimit të një grupi në dhjetor 1989, për të fituar pushtet dhe legjitimitet politik. Prokurorët thanë se grupi, duke përdorur deklarata të ndryshme dhe televizionin, u angazhua në “veprimtari të gjera dhe komplekse mashtruese për diversion dhe dizinformim”, pas ikjes së Çausheskut nga kryeqyteti më 22 dhjetor 1989. Iliesku u konfirmua si president i përkohshëm nga parlamenti në shkurt 1990 dhe dha dorëheqjen në vitin 2004. Kritikët brenda dhe jashtë vendit e akuzojnë Ilieskun dhe politikanë të tjerë kryesorë se janë përpjekur për të bllokuar reformat si dhe të ruajnë trashëgiminë politike dhe elitën sunduese të sistemi komunist.