Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Cajat vazhdojnë të mburren me ndëshkimet e paligjshme që kanë kryer ndaj të burgosurve politikë

 

 

Ishte shumë cinike (që nga titulli “Kori i korbave”) gjithë sa shkroi në gazetën “Dita” oficeri komunist Edmond Caja, ish-komandant i togës së policisë në burgjet komuniste.

Më 22 maj 1984 ndodhi revolta e të burgosurve në Qafën e Barit. Me urdhërin e tij u dhunuan aq pa mëshirë të burgosurit, sa njeri, i burgosuri Sandër Sokoli, u vdiq në duar, dy të tjerë Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me pushkatim.

Nga fotografitë duken se Tom Ndoja e Sokol Sokoli janë të keqtrajtuar barbarisht. Sy të nxirë, të enjtur.

Ky njeri (sot me banim në Gjermani) është krejt i sigurt se edhe po të kesh qenë dhunues e thyerës i ligjeve të kohës si ai, kurrë nuk do t’i hyjë gjëmb në këmbë.

Ka shumë dëshmi gojore kundër tij. Edhe sot pas 30 vjetësh është i urryer sa asnjë tjetër si ai. Përmendet zelli, kapadaillëku dhe mizoria e tij për t’u imponuar veç me forcën e hurit dhe të torturës së përditshme të të dënuarit, që pa asnjë ligj të kohës, pa ndonjë vendim gjykate, vuanin ndëshkimin si punëtorë minierash.

Në botën demokratike ku ai jeton, të mbetet e drejta që dhe pas 100 vjetësh të kërkosh ndëshkimin e një njeriu që me padrejtësi u ka sjellë vuajtje, plagë fizike e morale të tjerëve.

Në shkrimin-dëshmi të Bedri Blloshmit, përmendet termi “hapësirë”. Ky është një vend nëntokë ku nuk ka siguri koke. Nuk ka armaturë që të mbron nga rrëzimi i tavanit të minierës mbi kokë. Vetëm tmerri i ndëshkimeve, nga që nuk kishin plotësuar planin, mund t’i fuste njerëzit aty.

Tre të burgosur Ilmi Çoçka, Dilaver Hysi dhe një tjetër nga frika e torturave të Cajës mbas revoltës një muaj hyjnë në Hapësirë….Dhe ata vdiqën.

Caja mburret se solli ekspertë që i nxorrën të vdekurit nga nëntoka..

Sot të persekutuarit e Shqipërisë nga komunizmi janë aq të pafuqishëm, sa fajtorë si ky i lënë të lirë t’i fyejnë dhe t’i përçmojnë si dikur. Cajat janë të sigurt se nuk ndëshkohen.

Madje Cajat vazhdojnë të mburren dhe të tallen me të vuajturit e komunizmit, me ndëshkimet e paligjshme që kanë kryer në kurriz të tyre.

Image result for revolta e qafe barit

Please follow and like us: