Albspirit

Media/News/Publishing

Basha-Palmer, 60 minuta takim për krizën politike

Ka përfunduar rreth orës 14:50 takimi i zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Takimi u zhvillua në zyrën e kryedemokratit në selinë blu. Pas takimit me dyer të mbyllura në zyrën e Bashës, ky i fundit e përcolli Palmer jashtë, teksa shoqërohej edhe nga ish-deputetët Aldo Bumçi dhe Oerd Bylykbashi. Si Palmer po ashtu edhe Basha nuk kanë pranuar të flasin për mediat. Takimi me dyer të mbyllura në selinë e Partisë Demokratike zgjati rreth 1 orë. Kujtojmë që sot Matthew Palmer do të takohet edhe me presidentin e Republikës Ilir Meta, ndërsa një ditë më parë ai takoi edhe kryeministrin Edi Rama. Ndërkohë, paraditen e kësaj të marte, Palmer zhvilloi një takim me gazetarët shqiptarë në ambientet e ambasadës së SHBA. Ai tha se nuk ndodhej në Shqipëri për të negociuar krizën që ka përfshirë politikën, ndërsa shtoi se qeveria është legjitime dhe duhet të vijojë punën. Sa i takon opozitës, ai tha se përgjegjësi e saj është të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Do ishte fatkeqësi, tha Palmer, nëse opozita bojkoton.

Please follow and like us: