Basha: Grabitja në Rinas përgjegjësi e shtetit
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha doli sot para mediave ku foli sërish për grabitjen e dy ditëve më parë në Rinas. Basha tha se ngjarja tregoi dështimin e policisë dhe rënien e shtetit para krimit, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se mendon si të vjedhë Shqipërinë me oligarkët. Basha e cilësoi grabitjen pjesë të së tërës që po ndodh në vend.
“48 orë pas tronditjes së Shqipërisë dhe të mbarë botës nga grabitja e armatosur në Rinas, pyetjet janë shtuar dhe përgjigjet mungojnë. Rama po mundohet që dështimin e policisë dhe qeverisë dhe rënien e shtetit para krimit t’ia faturojë një kompanie private. Si për çdo gjë tjetër fajin e ka të tjerët. Ai as që e vret mendjen. Mendja e tij është si të vjedhë dhe grabisë Shqipërinë me oligarkët. Ngjarja e Rinasit jo e shkëputur dhe as e vetmja. Pjesë e zhvillimeve në gjithë Shqipërinë, pjesë e rrëmbimeve në Vlorë, grabitjet me armë të bizneseve, postave, vrasjet dhe rrëmbimet e bankierëve kanë filluar me instalimin e Edi Ramës në pushtet”, deklaroi Basha.
Kryedemokrati Basha tha se ngjarja e rëndë e Rinasit mund dhe duhet të ishte parandaluar, ndërsa kujtoi se truri i bandës, Admir Murataj ishte prej 6 vitesh në kërkim, por nuk u kap.
“Nëse do të zbatohej nga policia urdhri i ministrit të Brendshëm datës 5 gusht 2018, urdhri 130, ngjarja do të parandalohej. Urdhri thotë transporti i vlerave monetare të shoqërohet nga policia. Lleshaj i bëri bisht një fakti të rëndësishëm dhe si është e mundur se si Admir Murataj prej 6 vitesh asnjëherë nuk u kap, por planifikoi dhe realizoi katër grabitje në tre vite.
Rama ka shkelur kushtetutën duke emëruar Gjeneral Sandër Lleshajn kryetar të këshillit drejtues të aviacionit civil. Nën drejtimin e këtij këshilli nga Lleshaj aeroporti është grabitur dy herë. Kompania private që ka dështuar në mbrojtjen e sigurisë figuron në bashkëpronësi të avokatit të PS-së, Eno Bushi, i njohur si avokati i Riformatos, piloti italian të avionit me drogë”, shtoi Basha..
Lideri i opozitës joparlamentare, hodhi akuza edhe ndaj kompanisë koncensionare për sigurinë në aeroportin e Rinasit, që sipas tij ka bashkëpronarë persona të lidhur me qeverinë. Zgjidhja e vetme për të zbardhur dhe çuar para drejtësisë përgjegjësit, është vetëm revolta popullore – tha Basha – teksa ftoi qytetarët për tu bërë pjesë në protestën e 13 prillit kundër qeverisë.