Çahet kordoni i policisë!
Ora 19: 05- Sa mbaroi fjalën kryetari i PD-së, një grup i protestuesve është përplasur me policinë. Çahet kordoni i policisë!
Ora 19: 00- “Nuk ka e as do të ketë as pazare politike. Për një aspiratë evropiane, kushti i parë është qeveria tranzitore. Ndaj Rama ik! Rama ik një orë e më parë, ky është diktati i një sovrani të bashkuar”, theksoi më tej Basha në fjalën e tij përpara Kryeministrisë, ndërsa menjëherë nisi “bershëri” me mjete piroteknike në drejtim të policisë.
Ora 18: 45- Lulzim Basha: Lumi i sovranit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë si kurrë më parë sonte. Ja ku jemi më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë. Më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë kundër padrejtësisë krimit dhe korrupsionit. Bashkë me këtë vërshim të paparë e padëgjuar, me këtë bashkim zemrash mendjesh, burrash e grash. Po bie dhe muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet, për bandën e korrupsionit, e krimeve ndaj shqiptarëve.
Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë, padrejtësive e krimeve më të përbindshme ndaj shqiptarëve. Që nga koha e pushtuesve më mizorë nuk kanë parë shqiptarët një pakicë më të urryer. Nuk kanë parë njeri më barbar ndaj popullit të tij. Njeriu që hyri në histori që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve, që t’ju prishë shtëpitë dhe veten e tij. Ky është muzgu u bashkimit më të madh të shqiptarëve mbi rrënojat e pushtetit kriminal të Edi Ramës. Asgjë nuk e ndal më këtë bashkim, as frika dhe as barbaria e horrave dhe as gazi lotsjellës. Nuk na përçan dot, populli është i vendosur, Shqipëria është e bashkuar. Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e gegëve dhe toskëve, e myslimanëve dhe të krishterëve që i thotë Ramës dhe bandës së tij: shporru!
.
Ora 18: 35-Liderët e opozitës i janë bashkuar protestës. Lulzim Basha ka dalë nga selia e PD-së, ndërsa Monika Kryemadhi nga selia e LSI. Po ashtu prezent në protestë është dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Ora 18: 25-Fermerët i janë bashkuar protestës së opozitës. Përpara kryeministrisë ata kanë gjuajtur me domate në drejtim të kryeministrisë, ndërsa kanë derdhur dhe bidonat me qumësht. Vendimi i qeverisë për Tvsh-në detyron fermerët të shesin nën kosto.
Ora 18: 05- Pa mbërritur ende liderët e opozitës, protestuesit e parë të grumbulluar kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të Kryeministrisë