Bardhi: Rama nuk ka moral të burgosë popullin!
“Askush nuk mund ta ndalë popullin”. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur qeverisë, ndërsa të shumtë janë protestuesit që janë arrestuar dhe proceduar në lidhje me protestën e së shtunës. Sipas Bardhit kryeministri Edi Rama “e ka blerë pushtetin me paratë e krimit dhe se s’ka moral të burgosë popullin”. “Rama e ka blerë pushtetin me paratë e krimit. Ai nuk ka as moral e as forcë të burgosë popullin e bashkuar. Beteja jonë është për Shqipërisë si gjithë Europa, askush nuk mund të na ndalë dot”, deklaroi Bardhi nga selia e PD. “Shqipëria e shumicës morale dhe politike nuk pranon më dhunën e korrupsionit, nuk pranon më të vidhet nga banda e Edi Ramës. Shqipëria e shumicës kërkon t’i jepet fund një Qeverie antikushtetuese, e cila ka marrë peng integrimin europian të vendit prej 6 vjetësh, ka dëbuar 500 mijë shqiptarë nga atdheu, ka destabilizuar jetën e shumicës së familjeve shqiptare, duke u rritur taksat, duke i vjedhur, duke i lënë pa pune, duke i trajtuar si qytetarë të dorës së dytë’, theksoi më tej Bardhi.