Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Z. ZHOLI: I verbri nga Athina

Tregim

Grupi i njerëzve rrinte përballë semaforit të kuq në Athinë, në pritje të dritëkalimit.

-Tak… tak…tak…është hapur rruga jonë ?…tak… tak…tak- dëgjova në atë heshtje pritjeje.

Ktheva kokën dhe pashë një burrë të verbër. Ishte mbi të pesëdhjetat dhe veç syve dritëvdekur, gjithë trupi dukej i shëndetshëm.

-Akoma s’është hapur – u përgjigja unë, kur pashë se askush nuk po fliste.

I verbëri trokiti edhe disa herë shkopin dhe u afrua pranë meje, si i tërhequr nga  zëri. M’u kujtua bastuni i Moisiut dhe i futa krahun të verbërit.

-Për ku e keni udhën? – e pyeta.

-Në metro,- m’u përgjigj i verbëri dhe duke zgjatur bastunin, vazhdoi- nga jeni, se nuk më dukeni  grek?

-Jam nga  Shqipëria – ia  ktheva unë dhe më erdhi mirë, kur dora e tij më shtrëngoi krahun me siguri dashurie.

-Si  e keni emrin? E si ju flasin?

-Albert më quajnë e Albert më flasin,- u  përgjigja me krenari për emrin tim dhe për ta sqaruar më tej vazhdova: Kam dy vjet që jetoj këtu.

-Shumë  mirë, shumë  mirë, përsëriti njeriu me shkop dhe vazhdoi të më fliste:

-Në lagjen ku banoj kam një djalë nga  Tirana, Andon e thërrasin po  emrin  e ka  Agron. Nga  halli e ka  ndërruar, si  shumë shqiptarë, që të bëhen më të besueshëm tek pronarët …- trokiti disa herë me shkop, sikur i dha sinjale tokës apo i tregoi se ku ishte dhe vazhdoi – Dhe me Agronin, kështu si me ty u njoha. Më ndihmoi në një udhëkryq. Gjithë bota në udhëkryq është e aq më  keq ne të verbërit. Agroni është djalë i mirë si ty. Shqiptarët nuk janë të gjithë ashtu si flasin radiot e televizorët. Dru të shtrembër ka në çdo pyll, edhe këtu, edhe atje.

-… Tak…tak…tak është e hapur udha jonë?!

-Po!- i thashë.

“Ky jeton në shtatë botë, mendova, me bastunin e tij me shtatë nyje. Por ne njerëzit me sy nuk e kuptojmë. Ne nuk jetojmë dot as në botën tonë të dritës”.

Please follow and like us: