Albspirit

Media/News/Publishing

Armand Mehidri, artisti që zbukuron yjet e Hollivudit

 

Frensis Lloji

Nëse shkrepja e fotos së parë do të përkonte me fillesën e dokumentimit të histories njerëzore, nuk dua ta mendoj se sa e varfër do të ishte kjo e fundit! Shumë më herët nga zhvillimi i artit të fotografisë, njerëzit kanë rrëfyer e përshkruar ngjarje përmes ilustrimit! Të ruash në një sipërfaqe të ngurtë atë që sheh, do të thotë të interpretosh, t’i japësh jetë një koncepti e të shpjegosh vizualisht të tashmen! Përmes skicave, vizatimeve, grafiteve në epoka të ndryshme, njerëzit kanë lënë gjurmën e tyre duke ndërtuar kështu, tablonë e histories ndër shekuj! Armand Mehidri është 27-vjeçari nga Tirana, i cili po pasuron e po shënjon me ilustrimet e tij një pjesë të historisë së artit në shekullin XXI. I talentuar, unik në stilin e tij, kreativ e guximtar, pa më të voglin dyshim, arti i Armandit u lë një shije të mirë të gjithëve, ndonëse e bukura është subjektive dhe relative. Mes shumë teknikash si piktura, karikatura, kartonat, mangat, vizatim arkitektonik e teknik, Armandi zgjodhi ilustrimin, ngjyrat e gjalla dhe linjat e mprehta, për të na treguar se sa vibrante e dinamike është bota e artit! Ishte vetëm pesë vjeç, kur kuptoi se vizatimet e tij si një fëmijë nuk kishin të krahasuar me të moshatarëve të tij, e që prej asaj kohe Armandi nuk do ta hiqte më nga dora lapsin e letrën. Ndonëse i lindur dhe i prirë për të vizatuar, ai e zhvesh suksesin e tij nga talenti dhe ngre në piedestal praktikën, punën e pasionin! Formula, sipas tij është më e thjeshtë: “80% punë dhe 20% talent. Praktika dhe pasioni janë e vetmja rrugë drejt suksesit, ndaj formimi i duhur luan një rol të rëndësishëm në këtë fushë,” – shprehet Armandi. Pas përfundimit të studimeve për multimedia, degë në Universitetin e Arteve, Armandi, asokohe një 24-vjeçar, do ta gjente veten si një i ri plot dëshirë e vullnet për të punuar, por në një vend pa shumë mundësi!

Pikërisht në atë moment, jeta e tij do të merrte një kthesë jo dhe aq të papritur! Pa shumë përvojë, por me ëndrra dhe ambicie, para tre vitesh ai vendosi të shpërngulej në një nga shtetet më të zhvilluara të Emirateve të Bashkuara Arabe. Armandi nuk i trembej asgjëje dhe siguria e besimi në vetvete e shtyu drejt aventurave në një vend të huaj, larg kufijve të Shqipërisë. “Mendova se ishte një mundësi e mirë për ta filluar karrierën në Dubai dhe nuk e kisha gabim,” – na thotë ai. Si për çdokënd, fillimi ishte i vështirë edhe për të, e në Lindjen e Mesme mund të gjendesh në jo pak situata të vështira, duke marrë parasysh klimën e nxehtë, gjuhën, popullin heterogjen, kulturën dhe fenë. Por në këto tri vite, Armandi do të zbulonte shumë për atë vend e do të hidhte poshtë shumë paragjykime. Dubai do t’i ofronte shumë mundësi një artisti si Armandi dhe puna e tij nuk kishte se si të mos lidhej me të bukurën. Për momentin, ai punon në pozicionin e drejtorit artistik për disa marka mode dhe ilustrimi mbetet një punë me kohë të pjesshme për të. Në rast se pasioni do të ishte e vetmja punë që do t’i merrte gjithë kohën Armandit, ai do të kishte nevojë për një menaxher, por deri tani ka arritur t’ia dale mbanë vetë. Duke qenë mjaft i përfshirë në fushën e teknologjisë, hapësirave virtuale dhe multimedian, 27 vjeçari i sheh të gjitha zhvillimet e reja në favor të tij. Për të, dixhitalja është e ardhmja dhe sa më shpejt ta pranojmë këtë, aq më shpejt do të përparojmë.

Nëse Armandi do të kërkonte si shumë artistë, një tryezë pune, një laps e një letër për të punuar, nuk do të ishte këtu ku është sot. Ai mund të mbledhë ide, të skicojë e të ilustrojë, nëse ka me vete vetëm iPad-in e tij. Teknologjia ka zëvendësuar mjetet tradicionale të punës dhe kjo i ka kursyer shumë kohë jo vetëm Armandit, por të gjithë artistëve të rinj. Braktisja e lapsit, si mjeti thelbësor në industrinë e dizajnit, nuk duhet parë si një efekt anësor negativ i teknologjisë, pasi kjo nuk ka ndikuar në cilësinë e ilustrimit, përkundrazi! Zhvillimi i teknologjisë duket se ka fashitur edhe konceptin e “figurës natyrore”, duke bërë që ilustruesit e rinj të dalin nga kornizat, për të na ofruar një lloj tjetër arti, larg tradicionales apo klasikes. Ilustrimet e Mehidrit, me një stil elegant, seksi, siç shprehet ai, dhe bold, të përthithin e gati-gati të hipnotizojnë! Ai është i aftë ta ngrejë imazhin në një nivel tjetër dhe jo thjesht të hedhë në letër atë që i sheh syri. Figura njerëzore dhe portreti janë në përgjithësi idetë më të vështira për t’u ilustruar e, nëse artistët e tjerë janë tepër të kufizuar në punën e tyre, duke përdorur fotografinë si burim i vetëm, Armandi mbërthen çdo detaj, lëvizje e gjest të artistit, për ta sjellë atë në formën e një ilustrimi gati-gati të “gjallë”. Ai ilustron personazhe të kulturës Pop dhe pohon se gjithmonë i ka pëlqyer moda dhe biznesi i spektaklit! Kjo ka qenë dhe një strategji marketingu që ai ka ndjekur, duke parë se sa interes ka për personazhet e suksesshme të botës së artit.

Në kaq shumë ilustrime gjatë katër viteve pune, kur e pyes, Armandi nuk e ka aspak të vështirë të veçojë projektin më të dashur! “Ilustrimi i parfumit të grupit ‘Little Mix’ ka qenë më i dashuri për mua, sepse i kam ndjekur që në daljet e tyre të para në skenë dhe fakti që pata mundësi të bashkëpunoja me to ishte arritje e madhe për mua”.

Armandi ndihet me fat, pasi bën atë që di të bëjë më mirë, por ana tjetër e medaljes është që në fushën e artit, vlerësimi nuk është gjithmonë ai që artisti mendon se duhet të jetë. Sa vlejnë ilustrimet e Armandit dhe sa të lehtë e ka ai t’u vendosë një çmim? Vetë ai e ka problem t’i vendosë një vlerë monetare punës të tij, por, sigurisht që kjo e fundit ndryshon në varësi të shumë faktorëve. Në Shqipëri nuk vlerësohet fare dhe Armandi nuk ngurron ta justifikojë këtë me realitetin, por në vendet më të zhvilluara ka shumë interes e kërkesa për këtë formë arti.

Megjithatë, Armandi duket i qetë në cilëndo situatë që e imagjinon veten, qoftë nëse punon në Shqipëri, Dubai apo në ndonjë cep tjetër të botës, sepse, sipas tij, fama nuk njeh kufij e kjo për një fakt të vetëm: ilustrimet e tij publikohen online në një rrjet virtual, ku mund të shihen nga kushdo! Deri tani nuk kanë qenë të pakët artistët me famë botërore si: Madonna, Rihanna, Jennifer Lopez, motrat Kardashian, që kanë pëlqyer e shpërndarë ilustrimet e artistit shqiptar. “Çdo sukses deri më sot e kam falë rrjeteve sociale. Nëse këto platforma nuk do të ekzistonin, artistët si unë nuk do të ishin kaq të ekspozuar”.

Shfaqja e punës së tij në mediet sociale cilësohet nga vetë Armandi si hapi më i rëndësishëm dhe me ndikim në karrierën e tij. Interneti është një “xhungël e rrëmujshme” dhe të jesh i dukshëm për të gjithë nuk është gjithmonë e lehtë, ndaj të qenët prezent online 24/24 duket se është një kusht! Instagrami është rrjeti më i përshtatshëm për shpërndarjen e imazheve, por Armandi nuk mungon në asnjë hapësirë online dhe portofoli i tij është jashtëzakonisht impresionues!Për të, ilustrimet nuk janë thjesht një pasion, por një pjesë e rëndësishme e tij, që zhvillohet bashkë me të! I lindur nën shenjën e Virgjëreshës, njohur si perfeksionistja e zodiakut, nuk ka se si Armandi të mos jetë i përsosur në gjithçka që bën! Cilado qoftë fusha e artit ku ai do të eksperimentojë në ardhmen, jam e sigurtë që do të shkëlqejë si sot./living.al/

Please follow and like us: