Albspirit

Media/News/Publishing

Regjimi Iranian në pozicion mbrojtjeje me gardën e shpallur terroriste nga SHBA

Alireza Jafarzadeh

Garda e Iranit merr një etiketim terrorist shumë të vonuar por shumë të merituar

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur ta etiketojnë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike si organizatë të huaj terroriste nën seksionin 219 të Aktit të Imigrimit dhe Kombësisë. Ky është një hap madhor drejt kundërvënies së efektshme ndaj përdorimit sistematik të terrorizmit nga ana e Teheranit si vegël të politikë-bërjes. Është gjithashtu një lajm i mirëpritur për popullin iranian, përpjekjet e të cilit gjatë 40 viteve për të sjellë ndryshim janë shtypur me dhunë në çdo kohë nga Garda. Garda i plotëson pa dyshim të tre kriteret nën 8 U.S.C. 1189 për etiketimin terrorist: Është një organizatë “e huaj” e cila “merret me terrorizëm apo veprimtari terroriste apo mbart aftësinë dhe qëllimin për t’u marrë me terrorizëm ose veprimtari terroriste” dhe “kërcënon kombasit amerikan apo sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”. Përshkruar gabimisht nga disa si një ushtri e drejtuar nga shteti, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike as nuk e përfshin fjalën “Iran” në emrin e tij. Nuk njeh kufij. Por, si “gardian” i “Revolucionit Islamik,” ai i përgjigjet vetëm udhëheqësit suprem dhe vepron në mënyrë të pavarur nga ushtria e rregullt. Kjo organizatë është aparati thelbësor i represionit, shtytësja parësore e luftës dhe e eksportit të terrorizmit dhe drejton projektet iraniane të armëve bërthamore dhe raketave. Garda kontrollon gjithashtu edhe pjesën dërrmuese të ekonomisë së Iranit. Nga perspektiva e popullit iranian, etiketimi është i justifikuar, i domosdoshëm, dhe shumë i vonuar. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, e ka përshkruar këtë etiketim terrorist si “kërkesë e drejtë dhe e bërë me kohë e Rezistencës Iraniane, një domosdoshmëri për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e Lindjes së Mesme, si dhe një hap urgjent dhe i nevojshëm për përfundimin e luftës dhe terrorizmit në rajon e në botë”. Reagimi i Teheranit ka qenë kuptimplotë. Pavarësisht publicitetit e mburrjeve të zakonshme, teokracia dhe gardianët e saj e kuptojnë se tani e tutje, do të kenë jashtëzakonisht më pak mundësi për të kryer operacione terroriste e për të vepruar pa u ndëshkuar. Mësimi i nxjerrë nga katër dekada është se mullahët e Iranit, si gjithë bullistët, përgjigjen vetëm atëherë kur u drejtohesh nga një pozicion force. Ata dorëzohen vetëm kur përballen me rreptësinë. Kryengritja shumë e diskutuar por jo plotësisht e vlerësuar e dhjetorit 2017 në Iran, e cila ende vazhdon, ka ekspozuar mungesën e zgjidhjeve strategjike nga ana e regjimit për një sërë krizash politike, ekonomike dhe shoqërore. Ky trend përkon me grindjet e brendshme gjithnjë e më të ashpra mes grupeve të regjimit, përshkallëzimin e izolimit ndërkombëtar, dhe me aftësinë e statusin gjithnjë e më të dukshëm të rezistencës iraniane brenda dhe jashtë vendit. Me pak fjalë, Teherani është shumë më i dobët tani se ç’ka qenë rreth një vit më parë. Fondacioni Kooperativ i IRGC-së është institucioni më i fuqishëm financiar në vend. Banka Ansar, banka e katërt më e madhe në Iran, është në pronësi të Gardës, e cila ka gjithashtu aksione të mëdha në Bankën Saderat. Këto dy banka kanë 3,232 degë në Iran. Një tjetër bankë e madhe, Pasargad, është gjithashtu e lidhur me Gardën, e cila është vendim-marrësja kryesore në prodhuesin e dytë më të madh të makinave në Iran, Saipa. Garda kontrollon gjithashtu kontraktuesin më të madh të qeverisë në vend. Etiketimi si organizatë e huaj terroriste u ofron zyrtarëve amerikanë një mjet shtesë për ndjekjen penale të amerikanëve që ndihmojnë regjimin iranian. Kjo e vendos regjimin iranian në një pozicion mbrojtjeje dhe demoralizon Gardën dhe proksit e saj. Do t’i thajë burimet që përdoren për të trajnuar e financuar militantët e Gardës. New York Times ka raportuar se edhe përpara etiketimit terrorist, sanksionet ekzistuese të SHBA-së e kanë penguar Teheranin në financimin e militantëve të tij terroristë. Gjithashtu, ky etiketim duhet t’ua ngrejë moralin iranianëve, të cilët e urrejnë Gardën për shtypjen e popullsisë dhe plaçkitjen e pasurisë së saj. Së fundmi, etiketimi do t’i bindë kompanitë europiane që të mendohen mirë para se të bëjnë ndonjë tregti apo investim me Iranin, duke e ditur se Garda kontrollon më shumë se gjysmën e ekonomisë iraniane. Hapi i radhës është të identifikohen të gjitha entitetet e lidhura me Gardën dhe të vihen nën sanksione. Etiketimi si organizatë e huaj terroriste është një goditje shumë e madhe ndaj aparatit të terrorit të regjimit. Terroristët e Teheranit, dhe ata që i ndihmojnë, mund të detyrohen më në fund të vuajnë pasojat.

Please follow and like us: