Nurie Koculi, si u dënua 24-vjeçarja me “grupin” e Musine Kokalarit
“Bëmë grevë urie kur e transferuan Musine Kokalarin në burgun e Burrelit.. 11 ditë nuk hëngrëm as pimë… por ata na çuan në birucat e izolimit…”.
Nurie Koculi është një ndër vajzat e para shqiptare që njohu agresionin komunist nëpër qelitë e errëta të diktaturës komuniste. Ishte vetëm 24 vjeç kur u dënua me burg si “armike e popullit”. Ishte mikeshë me Musine Kokalarin dhe kjo do të ishte edhe një ndër akuzat për të cilat do të dënohej me pesë vite burg. E kishte njohur Musinenë në vitin 1943 tek libraria. Nuria mbante korespondencë edhe me Isuf Luzajn, një ndër emrat e shquar shqiptare në fushën e filozofisë, gjithashtu i shpallur si “armik i popullit”. Nurija do të dënohej edhe si lexuese dhe shpërndarëse e gazetës “Zeri i Lirisë”. Kur e arrestuan në vitin 1946, Nuria gjeti në qeli të tjera vazja e gra intelektuale të shquara si Musine Kokalari, Merita Sokoli Tezha, Erifili Bezhani, Rita Koçi, Diti Biçaku, Frida Sadedini e të tjera.
Nurie Koculi ka ndërruar jetë prej disa vitesh, por kujtimet e saj vijnë në kujto.al falë kontributit të së bijës, Almira Myzyri.
Më poshtë botohet e plotë dëshmia e sjellë në kujto.al nga Almira, siç i ka rrëfyer e ëma Nurie Koculi. Në pak rreshta vijnë disa momente pikante të jetës së vështirë të së ëmës bashkë me dosjen e diktaturës ku shënohen arsyet e dënimit të Nurie Koculit.
Almira Myzyri: Ç’më rrëfeu nëna ime për qelitë e diktaturës
“Na nxorën nga shtëpia tek Shallvaret dhe morëm një dhomë në Tiranë të Re. Mbas ca ditësh e arrestuan vëllanë tim Kujtimin e mbetëm ne të dyja vetëm, unë dhe mamaja.
Në dhjetor të ’46-ës më arrestuan dhe mua. Mbeti mëma vetëm. Atë e lajmëruan të ikë nga Tirana. Ku të vente ajo e shkreta? Vajti në fshat, por shtëpinë e kishin bërë zyra. Mëmën e futen bashkë me bagëtitë në një stallë, i dhanë 20 rrënjë ullinj nga ata që ju ishin sekuestruar. Kur mundej vinte të na shihte në burg. Kujtimi ishte në Kampet e Korçës në Maliq e unë në Tiranë, në burgun e vjetër.
Burgu i vjetër
Ishin 4 dhoma: në dy prej tyre rrinin ordineret, në dy të tjerat rrinim ne gratë e arrestuara për politikë. Të gjitha bashkë në atë vënd të ngushtë, ku secila kishte vetëm 30 cm hapësirë.
Çdo muaj vinte një kontroll për ne, na shqepnin dyshekët, na merrnin librat, letrat, lapsat, e ç’tu mbushej mendja. Na izolonin: na mbyllnin derën dhe vetëm në mëngjes e në mbrëmje shkonim në banjë e mbushnim ujë në një çezëm në oborr për tu larë e për të pirë. Dy herë në ditë na binin një kazan me supë, ujë me dy kokrra oriz ose makarona dhe një copë bukë, herë misri, herë gruri. Ne nuk hapnim gojën se spiunët na raportonin se flasnim për politikë.
Në grevë urie për Musine Kokalarin
Kur morën Musinenë për në Burrel unë, Qefsere Bega dhe Merita Sokoli bëmë grevën e urisë. 11 ditë as bukë, as ujë. Na mbyllën në dhomën e vogël. Të 11 ditët na çuan në birucat e burgut. Mua me ra të fikët, pastaj na kthyen në burg si më parë. Qefseres i vinte familja. Mua me vinin motrat e Osman Kazazit. Me sillnin ndonjë triko dhe ndonjë lek.
Abaja (Refija) ishte në Kocul, por kur vinte sillte ushqime. Me erdhën një herë dhe Drita Koculi e Shyqyrit me të shoqin Sybiun. Sa ishin martuar. Veledini vinte, por i thashë mos hajde, nuk është mirë për ty të vish në burg. Motrat e Osmanit vinin në çdo takim. Mëma ku të shkonte më parë. Dolëm të gjallë, por çdo të bënim pa punë.
Kujtimin e futën prapë në burg e dënuan 10 vjet sepse nuk kishte denoncuar. Avokati në gjyq tha për këtë akuzë në Rusi maksimumi dënojnë 3 vjet. Prokurori tha: është i biri i Qazim Koculit dhe ka qenë edhe një herë tjetër ne burg”.
PRETENCA
E pandehura Nurije Koculi gjate okupacionit gjerman në lidhje me Partinë Social Demokrate duke marr udhëzime nga krimineli i luftës Isuf Luzaj dhe Musine Kokalari. Gjate asaj kohe ka propaganduar kundër lëvizjes nacional-çlirimtare dhe ka ndihmuar okupatorin. Ka shpërndarë gazetën Zëri i Lirisë – organ i Partinë Social Demokrate, e cila villte vrer kundër rezistencës së popullit shqiptar. Një pjesë e gazetave të asaj kohe ju gjetën të fshehura në shtëpi në një shishe. Kjo vërteton akoma më shumë qenien e saj në Partinë Social Demokrate dhe aktivitetin e saj dhe bindjen e saj ndaj asaj partie.
Mbas çlirimit të Shqipërisë është munduar të mbajë gjallë frymën e Partisë Social Demokrate në rrethet e saj të ngushta në lidhje përsëri me Musine Kokalarin. Ka propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit me elemente si Reshat Beqiri, Reshat Aga e të tjerë, ku ka pasur dijeni për grupet klandestine që kishin si objektiv rrëzimin e pushtetit me violencë. Gjatë zhvillimit të gjyqit ka thënë se do të dalë në opozitë dhe interesimi i saj mbi qëndrimin e Gjergj Kokoshit gjatë seancave të ndryshme të Asemblesë dalin qartë lidhjet e ngushta që ka pasur pas çlirimit me Musine Kokalarin dhe me të burgosurin Reshat Beqiri.
Ka organizuar mbledhje të ndryshme me gra me karakter kundra pushtetit popullor duke paraqitur situatën se “shpejt do të ndryshonte nga një ndërhyrje e jashtme”, të cilat parulla i organizonte me Reshat Agën dhe Musine Kokalarin e shokë. Këtë e tregon edhe takimi me Vake Kreshpanin, të cilën edhe se nuk e njihte i ishte drejtuar të pandehurës me rekomandim nga Vlora, ku e pandehura ka dhënë udhëzime për të punuar me gratë reaksionare të Vlorës.
Ka lajmëruar armikun e popullit Napoleon Tasi që të ruhej se survejohej se kishte parë dy civile rrugës. Kjo vërteton se lidhjet që ka e pandehura se ka treguar interesim që të ruhesh e të mos kapesh me dokumente në flagrancë. Domethënë që e pandehura ka pasur dijeni dhe lidhje… që kryente kundër pushtetit.
Ka pasur lidhje me Sanie Dokon ku bashkë me këtë kanë propaganduar me axhitacion kundër pushtetit popullor dhe Reformave Ekonomike dhe ka nxitur gratë e tjera për tu larguar nga fronti dhe për të treguar urrejtje ndaj pushtetit duke i këshilluar të mos shkojnë në konferenca e në punë vullnetare. Ka marre trakte nga Sanie Doko e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit. Në lidhje me të dënuarit ku bashkë me ta edhe i vëllai i dënuar për veprimtari kundër pushtetit, të cilës ju gjetën të fshehura në një shishe 5 kopje të gazetës Zëri i Lirisë të Partise Social Demokrate. Pretendimi i të pandehurës se i mbante si koleksion është krejt absurd, sepse në rast të tillë nuk do t ‘i mbante në shishe po në bibliotekë ose vend të dukshëm. Kjo forcon akoma më shumë bindjen dhe besimin që ka pasur e pandehura ndaj Partisë Social Demokrate. Mbasi fajsia e saj parashikohet prej nenit 3 paragrafi 4 dhe nenit 8 te ligjit 372 te 12.XII. 946. Kërkoj të vendoset dënimi i të pandehurës në bazë të nenit 4 dhe nenit 8 paragrafi i parë 5 vjet provim lirije dhe punë të detyrueshme baraz me periudhën e ndëshkimit.
Tirane 24 IV 947
ND. PROKURORI USHTARAK
KAPITEN FAIK MINAROLLI.
Gjykata
Pasi studioi proces verbalin e ardhur nga sektori i Sigurimit të shtetit Tiranë;
pas dëgjoi apologjinë e të pandehurve; pas dëgjoi pretencën e prokurorit që për arsyet e treguara kërkon të pandehurit të deklarohen fajtor të neneve 4 dhe 8 te ligjit nr 3712 dhe 14 të ligjit nr. 382 kërkoi dënimin e Nurije Koculi me 5 vjet mohim lirie.
Pasi dëgjoi mbrojtimin e asistuesit të mbrojtjes z Aristidh Totozani që kërkoi që përfaqësuesja e tij të ndëshkohet me një dënim kondicionel; pasi dëgjoi fjalën e fundit të së pandehurve që “trupi gjykues të tregohej i mëshirshëm ndaj ndëshkimit të tyre”;
pasi studjoi gjithë aktet e dosjes e procesverbalit e rrjedhimin e gjykimit
OBSERVON
Se e pandehura Nurije Koculi:
Merr pjesë në mbledhje, shpërndan trakte dhe broshura ku villet vrer kundër lëvizjes NC-CL dhe ndihmohet okupatori nëe vendin tonë. E pandehura duke qenë armike e betuar e lëvizjes Nacional Çlirimtare gjatë okupacionit fillon aktivitetin kundër Pushtetit Popullor edhe mbas clirimit te Shqipërisë në bashkëpunim me armiqtë e popullit bashkëpunëtorë gjatë okupacionit Musine Kokalarin, Reshat Beqiri, Reshat Aga , etj duke propaganduar dhe axhituar kundër pushtetit popullor dhe reformave ekonomike.
Merr pjese së bashku me Musine Kokalarin në organizatën social demokrate kundër pushtetit popullor në bashkëpunim me kriminelët e arratisur dhe armiqtë e popullit dhe nga nje ndërhyrje nga jashtë.
Bën një sërë takimesh dhe mbledhjesh kundër pushtetit popullor duke shtuar në këtë mënyrë aktiviteti e saj kundër pushtetit. Duke qenë mike e ngushtë e armikut të dënuar Napoleon Tasit, i cili për aktivitetn e tij kundër pushtetit po survejohesh, e pandehura e këshillon të ruhej nga organet e sigurimit.
Se bashku me Vake Kreshtani, e cila ishte rekomanduar tek e pandehura për të ndërlidhur Grupet e grave kundërshtare të pushtetit të popullor të Vlorës e Tiranës diskutojnë se bashku mbi aktivitetin që kanë treguar këto në Vlorë dhe në Tiranë, udhëzon Vake Kreshtanin për punën që duhet të kryente në Vlorë kundër pushtetit popullor.
Mban korrespondencën me të arrestuarin Reshat Beqiri sa ky ishte në hetuesi me anën e Rustem Gaçit dhe letra të tjera të nxjerra nga burgu, ku i dënuari njofton të pandehurën mbi hetimet dhe pyetjet që i bëhen në këtë mënyrë njofton të për të mbrojtur bashkëpunëtoret që akoma ndodheshin pa arrestuar dhe qëndrimi që duhesh mbajtur karshi organeve të sigurimit.
Mban të fshehur gazetat qe vjedhshin vrer kundër lëvizjes NCLÇ e gjatë okupacionit Zëri i Lirisë dhe si për tu siguruar nga mo gjetja dhe për tu ruajtur, sic tha vetë e pandehura, i futi në një shishe. Ka marrë trakte nga Sanie Doko e cila villte vrer kundër pushtetit e Partisë Komuniste dhe gjyqeve të popullit.
Diskuton me familjet e kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit si Reshat Agën kundër pushtetit popullor duke propaganduar dhe axhituar lajmet e radiove të huaja në favor të reaksionit të jashtëm dhe ndrrimin e situatës në bashkëpunim me kriminelët e arratisur nga një ndërhyrje jashtë vendit tonë.
Para se të zbulohet Grupi i Sami Qeribashit me shokë e pandehura diskuton me armiken e popullit Musine Kokalari mbi grupet e organizuara kundër pushtetit, në të cilat grupe ish si bashkëpunëtor dhe i dënuari armik i popullit Gjergj Kokoshi…
Në emër te popullit shqiptar
Gjykata ushtarake e Garnizonit të Tiranës e formuar nga
ZV KRYETAR KAPITEN NJAZI MEKA
ANETAR Z/TOGER VASIL KAPAJANI
ANTAR APIRANT VEHIP UJANIKU
Duke u ndodhur dhe Prokurori i Garnizonit te Tiranes kapiten Faik Minarolli nën asistencën e Sekretarit reshter Arqile Mihaili
VENDOSI
Fajsimin e të pandehurve dhe ndëshkimin e tyre si vijon:
Nurije Koculi me 5 vjet privim lirije punë të detyrueshme dhe humbjen e të drejtave civile për 2 vjet.
Vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.
Të gjithë të dënuarve ju ngarkohet shpenzimet gjyqësore
Ky vendim u deklarua ne 25.IV.1947
/kujto.al