Xhoi Jakaj: Dy fjalë në ditën botërore të librit
Unë kam qenë lexuese e mirë në adoleshencë dhe në rininë time studentore, asokohe me vështirësi gjenim libra me poezi apo romane; e kujtoj me nostalgji gjimnazin kur i komentonim me njëri- tjetrin dhe me mësuesit tanë librat që lexonim. Kam qenë e shkëlqyer në komente letrare dhe në hartime dhe kam marrë gjithnjë notën 10-të. Me kalimin e viteve nuk kam lexuar shumë libra me dëshirë, por me tepër libra që më janë dashur në punë. Një ditë më erdhi vullneti të shkruaj e kështu botova libra për paraadoleshentë dhe adoleshentë e mora pjesë si bashkautore në dy botime shkencore. Tani janë gati dy libra të rinj që mund të shohin shpejt dritën e botimit, një për gratë që bëjnë revolucion dhe një me kujtime si drejtore burgu ku ka rrëfime interesante…
Libri ka rëndësi në jetën e njeriut dhe është pasuri e madhe, sot me zhvillimin e teknologjisë lexohet më pak, por gjithsesi mendoj se ka akoma lexues klasikë që duan librin me fletët e tij ku dhe aromën e tyre gjatë shfletimit e dashurojnë…