Ilir Levonja: Kurthet e pozitës karshi opozitës
Hiqeni nga mendja se e rrëzoni Edi Ramën me për shembull me artikuj se Koço është kandidat më i mirë se Erion Veliaj. Këto janë ca modele pykash që në botën shqiptare janë bërë bajate për faktin e lojrave nën rrogoz. Nuk diskuton opozita tema të tilla. Për më tepër kur çështja është e padiskutueshme, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. As me këtë Patozin mos u merrni! As me deputetët e paçe-pilafit. Tek ne mëkatet janë nganjëherë kolektive. Sepse është absurde të mendosh që një individ pasi ka veshur një kostum ka vënë një kollare, ka hedhur ca xhel dhe i thotë kryeparlamentarit, në një sallë të zbrazët që do ndreqi sistemin zgjedhor, prandaj është aty. Ky lloj karabushi nuk ekziston për shoqërinë, por thjesht ëndërron të shtojë një copë kartoni a një fletushkë që vërteton se ka qënë deputet. Kaq…, më pas do jetë një skutë historike a një send nga ato që ne shpesh e dëgjojmë në kafene të thonë se ‘filani është nip i filanit, ka qënë me tuje ai, ka qënë kokë’. Janë bajatizma që i njohim me vite dhe që na largojnë nag thelbi.
Hiqeni nga mendja se mund ta rrëzoni Edi Ramën me këto debatet për të kaluarën komuniste. Komunizmi nuk ka rënë, ka sunduar…po sundon, jo po qeveris. Komunizmi po ju zgërdhihet, po gajaset me ju dhe ndihet dy herë më i fortë. Në këto 28 vite demokraci qeverisëm dhe u futëm me dashje në lojën e tij me propogandë. Nuk kemi për të qenë asnjëherë të gatshëm për të biseduar. Të paktën edhe për nja 50 vjetë të tjera.
Demokratët janë të parët fajtorë që qeverisën kryekëput butë, sepse vetëm në Shqipërinë post diktatoriale nuk u burgos askush për krimet e diktaturës. Pati një heshtje skuthe midis 10 viteve të para, nënqeshje, marrëveshje po skuthe. Ndërsa shtresat vitale largoheshin pa pushim.
Megjithatë kjo është një temë tjetër, por që gjithsesi nuk duhet të dominoj tani. Eshtë enkas një pykë skuthe për të larguar vëmendjen e robitur sociale nga tema e ditës, Edi Rama dhe klanet e krimit e drogës që ai po i gjoja anakalon me rikandidime të reja. Eshtë e frikshme për demokracinë kur një kryeministër flet gjithë ditën me fjalë fyese për kundërshtarin. Kur thotë se do i fitojmë 100% të gjitha bashkitë e vendit. Do hymë në zgjedhje me këtë opozitë të re etj.
Koha ka vërtetuar se ai që këmbëngul është budalla i klasit të parë, ashtu siç ka vërtetuar se ai që tërhiqet është fisnik, por një rracë a soj të tillë e ka me pikatore Shqipëria jonë. Nuk e di nëse ju kujtohet 2011, negociatat mes Berishës dhe Ramës. I pari nuk u tërhoq kurrë, ose në fund fare dhe rezultati dihet tashmë. Kjo ka për të ndodhur edhe me këtë të gjatin që i flet Elbasanit të sfilitur për ‘Ajaksin’ dhe ‘Juventusin’. Shqipëria do infrastrukturë sociale, shok komunist, ekonomi tregu, të drejta dhe liri për individin. Mirëpo si rryp shqiptar që është, harron se kryeministri i Holandës vendi ku egziston ‘Ajaksi’, shkon në zyrë me biçikletë, jo me ‘Mercedes’ të blinduar që i kushton buxhetit të shqiptarëve sa fondi që i duhet përshembull rimëkëmbjes ta zëmë qytetit të Memaliajt.
Ose tjetra, u thotë shqiptarëve se Berisha ka kaq e vjet në pushtet, ndërsa harron se po aq ka edhe vet. Madje me Berishën e filloi, u rrahën, u puthën, vranë e prenë, e prapë po i dëgjojmë. Harron dhe nuk do ta kuptojë se ia kemi pikasur planin për të qëndruar në pushtet më keq se Berisha dhe më shumë se Enveri. Hiqeni nga mendja se rrëzohet Edi Rama duke replikuar gjithë ditën nëpër shtyp se ka të drejtë apo jo Baton Haxhiu kur flet aq poshtërisht për Berishën apo jo? Janë që të dy prerje të njëjta. Që të dy e ka përdhunuar Kosovën aq sa sot në kulturën e të folurit në të përditshmen tonë, thuhet ‘ata kosovarët’. U arrestua kosovari, shkruhet në shtyp. Një kosovar nga Peja. Kur fare mirë mund të thonë pejani iks apo ypsilon. Nga ana tjetër flasin për bashkim kombëtar?! Pikë e zezë… Baton bën mirë që përmend ministrat e emëruar nga dhëndri apo i djali i Berishës, por do të bënte më mirë të përmendte edhe këta që emëron e ç’emëron ai dhe kasta e tij me po të njëjtat metoda si Berisha. Do të bënte mirë të nxihej kur nuk zbardhen vendimet kryeministrore që i akordojnë televizioneve të preferuara të kryeministrit miliona euro nga xhepat e shqiptarëve. Atyre që veçse i vjedh kryeministri me taksa, por i rrjepin të gjallë edhe sekserët e tij në rrethe me kabllorët etj.
Hiqeni nga mëndja të gjitha këto lloj temash… ka vetëm një të tillë, zbythja e Edi Ramës. Mos shkuarja në zgjedhje…Dhe nuk e di përse prisni 11 majin. Por protesta për ditë. Legenizmi a çibanizmi është një e ligë që duhet larguar një orë e më parë. Sot gazetat e tij i referoheshin për shembull një webi gjerman që thoshin se Serbia nuk ka për tu bërë pjesë e Europës. Nuk e di se përse na duhet kjo gjë neve. Kur kemi hallin tonë. Por thelbi është i qartë, largimi nga çështja bazë, politika konfliktuale, ky tranzicion i stërzgjatur mbi anëtarësimin në komunitetin europian, rrënimi ekonomik, brerja e drejtësisë nga blerjet, tarafi partiak dhe skuthët e diktaturës. Mos u merrni fare me kësi gjërash, por në rrugë, në sheshe dhe kaq.