Xhoi Jakaj: Dy fjalë për bamirësinë dhe shpirtmadhësinë e vërtetë…
Të bësh bamirësi do të thotë të ndihmosh të pamundurit ekonomikisht, por jo vetem, pikësëpari duhet të kesh një shpirt të madh që të japësh edhe nga vetja jote atë çka mundesh edhe pa mbledhur fonde lart e poshtë apo siguruar miliona euro nga donatorët e pastaj nga kjo shumatore e madhe të ndash një kacidhe e pjesën tjetër të ndërtosh vila për vete…?!
Bamirësia ose të bërit mirë ndonjëherë përkthehet:
- Me një fjale të ngrohtë në vend të “shuplakës “që i japim tjetrit sapo e shohim t’i ketë rreshqitur pak këmba apo të jetë më i dobët se ne.
- Një mbështetje pa kompromis dhe interes vetiak atyre që janë me aftësi ndryshe.
- Me një mbështetje të moshuarve dhe fëmijëve jetimë, duke shërbyer njëherë në javë pa pagesë në një shtëpi të moshuarish, shtëpi fëmijësh ose pediatri.
- Me një mbështetje morale e psikologjike që vitet e fundit është kthyer në domosdoshmëri pasi traumat psikologjike për një numër arsyesh janë shtuar për shumë arsye, si shkak i papunësisë, një divorci, humbjes së punës dhe një psikolog apo zyre psikologjike ka format për të mbështetur përsonat me vuajtje të mëdha shpirtërore e trauma psikologjike.
- Të ndihmosh tjetrin ekonomikisht, t’i blesh ushqime, veshëmbathje, libra për fëmijët kur nuk kanë mundësi prindërit; ka pa fund familje shqiptare që i privojnë fëmijët nga shkollimi që në ciklin 9-vjeçar, t’i paguash kursin një fëmije të talentuar apo nëse je mesues/e apo profesor/e të bësh ca të tilla pa pagesë…
- Forma më e lartë, pastaj pa diskutim, mbetet ndërtimi i një shtëpie që të ketë strehë për femijët dhe sigurimi i një pune për të pasur vazhdimësinë e jetës pa trauma për shkak të varfërisë
E shumë e shumë të tjera që nuk po i rendis në këtë shkrim.
Lind pyetja: 1 milion dollarëshe…?
A ka abuzime dhe a përfitohet nga individët apo shoqatat që bëjnë bamirësi dhe kërkojne fonde nga bashkëpunëtoret, donatorët apo miqtë…
Kjo mbetet në ndërgjegjien e gjithsecilit dhe kur të godet ndërgjegjia është më keq se kur të dënon ligji, shoqëria apo rrjetet sociale që tashmë janë në modë dhe goditja që japin ato përhapet si virus i rrezikshëm dhe të nxijnë faqen me apo pa të drejtë…dhe kjo mbetet përsëri për t’u diskutuar…
Po listoj disa arsye pse duhet bërë bamirësi:
- Bamirësia ju jep mundësi të ndjeheni mirë për arritjet tuaja në jetë.
- Ju bën të jeni falenderues për gjithçka që keni dhe falë asaj ndihmoni edhe ata që kanë nevojë për ju.
- Ul stresin në problematikat që ju hasni në përditshmërinë tuaj.
- Ju bën më të dashur me njerëzit e familjes dhe ata që ju rrethojnë dhe rregullon marrëdhëniet familjare.
- Të jep ndjenja të paqta dhe gjithçka do të të kompesohet shumfish gjatë jetës tënde; bëje të mirën e hidhe në det, ka nje fuqi hyjnore që ta vlerëson edhe nëse ju nuk e merrni në moment mirënjohjen nga personi që ndihmuat.
- Të jep kënaqësi kur i shërbeni të tjerëve dhe fiton ca aftësi që mbase nuk i kishe njohur më pare.
- Të bën më shumë kursimtar në shpenzimet e fryra dhe të pakuptimta dhe iu lehtëson në edukimin e fëmijëve.
- Të kalit durimin dhe të jep optimizëm për të arritur gjërat që dëshironi në jetë.
- Të jep energji pozitive dhe largon ndjesinë e të qënit krenar për ato qe ke, por të bën të ndjehesh më tepër krenar për ato që dhuron,
- Të jep mundësinë të provosh buzëqeshjen e njerëzve në nevojë, që mbase nuk i njihni, por zemra të mbushet plot kur shikon lumturinë në sytë e tyre me veprën tuaj…
Bamirësia duhet bërë paqësisht, butësisht të mos kërcasë shumë sepse pastaj buja e madhe lë shije jo të mirë dhe lë vend për abuzime, gjë e cila në Shqipëri është bërë e udhës e ndaj ka humbur besmi edhe ta ata pak njerëz të ndershëm që kanë mbetur në këtë vend…
Post Scriptum: Pamje nga nderimi në 2015 kur mora një çmim bamirësie, element që është përherë brenda meje.