Dirigjenti i njohur Bujar Llapaj, letër publike për Sali Berishën
LARGIMI NGA PUSHTETI I EDI RAMËS ËSHTË EMERGJENCË KOMBËTARE DHE QYTETARE. PËRDORIMI I DHUNËS RICIKLON BANDITËT DHE FSHEH KRIMET E TYRE
LETËR E HAPUR Z. SALI BERISHA
I nderuar Dr. Prof. Berisha,
Prej 30 vjetësh kam ndjekur veprimtarinë Tuaj politike dhe me besimin se një njeri i ndershëm, i moralshëm, profesionist i zoti i rritur me punën dhe përkushtimin e tij, kam qenë një mbështës i juaji dhe i Partisë Demokratike, jo për të marrë ndonjë post apo për të përfituar diçka që edhe më takonte, por me shpresën që edhe vendi im, me aq shumë pasuri natyrore dhe njerëzore, do të mund të bëhej si “gjithë Europa”, thirrje që vazhdon edhe sot pas 30 vjetësh të shprehet në shesh në mënyrën dëshirore!
Pse-të janë të shumta, kurse përgjigjet dhe përgjegjësitë janë të pakta.
Me trishtim po shikoja sot në Facebook një video nga Tropoja ku ju shpeheshit me entusiazëm për “trimat”, “heronjtë” që kishin thyer derën e kinoteatrit dhe bastisur KZZ. Kjo më la po atë shije të keqe të marsit 1997 kur në kulmin e krizës Ju u rizgjodhët President dhe gardistët festonin me breshëri automatiku!
Kujt i intereson një ’97 e Dytë? Kujt i intereson një ndarje Veri-Jug? (Veriu mbyll KZZ-të, Jugu jo).
I nderuar Dr. Berisha,
Ju e dini mirë se pas një revolucioni të dhunshëm në pushtet nuk vijnë të diturit, të urtët dhe të mënçurit por banditët të quajtur “heronj”. Këtë doni ju? Këtë do PD-ja?
Nuk besoj!
Kryetar i PD-së është Lulzim Basha, por për këto veprime të dhunshme njerëzit thonë “bandat” e Sali Berishës.
Ju i nderuar Dr. Berisha, si politikani më jetë gjatë postkomunist keni shumë merita ashtu si dhe dështime dhe në qoftëse Shqipëria është në këtë udhëkryq edhe Ju jeni “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor”.
Në politikën perëndimore nuk mjafton vetëm të pranosh gabimet. Më e pakta është largimi përgjithmonë nga politika dhe kjo ndihmon edhe politikën të rigjenerohet, edhe partitë të ecin përpara dhe të mos mbartin mbi shpinë mëkatet e paraardhësve.
Ju mund ta quani PD-në krijesë tuajën dhe kujdeseni për të, ala-shqiptarçe, si për fëmijën tuaj, kurse unë e quaj PD-në si krijesë të shqiptarëve dhe që të përmbushë misionin e saj në emër të shqiptarizmës, të së ardhmes, të stabilitetit, do T’Ju lutesha të jepni dorëheqje nga çdo pozicion në PD dhe kaloni në jetën Tuaj private. Unë e di që kjo do të jetë një sakrificë për Ju, por unë besoj se njerëz me karakter të fortë si ju mund të kalojnë mbi vetveten dhe t’iu lenë mundësinë brezave të ardhshëm të vlerësojnë dhe falenderojnë për atë çka Ju arritët të bëni mirë.
Me respekt,
Bujar Llapaj