Policia e Shtetit i kërkon ndjesë gazetarit Enver Doçi
Policia e Shtetit ka reaguar pas dhunimit në Dibër të gazetarit të News 24, Enver Doçi. Sipas policisë, ditën e sotme në mbrëmje është arrestuar një person me precedentë të shumëfishtë penal dhe aksioni i ndërmarrë ka qenë kompleks. Nisur nga situata e tensionuar, “një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin”, shfajësohet Policia e Shtetit në deklaratën e saj.
Më tej, Policia e Shtetit ka kërkuar ndjesë ndaj gazetarit, duke premtuar se një ngjarje e tillë nuk do të përsëritet më pavarësisht situatës.
“Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks.
Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operacionale, operacioni ishte me risk të shtuar.
Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin.
Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “News 24″.
Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin.
Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave”, shkruhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.