Albspirit

Media/News/Publishing

Mira Pogaçi: Shqipëria, influencuese e politikave rajonale në Ballkan

 

 

Shumë shpejt, pritet emërimi i Ambasadorit te SHBA në Shqipëri, munguar prej shumë muajsh nga largimi i Z. Lu. E përzgjedhura e Presidentit të SHBA Donald Trump, Yuri Kim, e cila dje paraqiti fjalën e saj përpara ligjvënësit Amerikan, për tu konfirmuar Ambasadore e SHBA, është një diplomate e lartë, që krahas të tjerave, është e pajisur me eksperiencë në problemet e sigurisë dhe paqes të shkaktuara nga konfliktet etnike aktive, e më gjerë.

Emërimi sa më parë i një Ambasadori, i cili është i pajisur me fuqinë e SHBA dhe gjithashtu me eksperiencë shërbimi në vende që paraqesin probleme me demokracinë dhe me stabilitetin politik, kontribuon në një shpresë të shtuar për vendin, do t’i japë Shqipërisë shtysë për të zgjidhur problemet e saj të brendshme . E kjo e fundit, Shqipëria duke rritur stabilitetin e brendshëm, dhe duke u prezantuar si një vend pa konflikte, krahasuar me vendet e rajonit, do t’i japë vetes mundësinë të rrisë influencën e saj për politika të mira rajonale dhe forcojë më tej pozitën e saj si shtet.

Përse është i rëndësishëm stabiliteti i Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor sot?
Ballkani Perëndimor sot paraqitet si një fushë betejë me shumë fronte të hapura. Kryeministri ende në detyrë i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, pas refuzimit nga BE ka shprehur publikisht se Marrëveshja e Prespës e 12 qershorit 2018 është në rrezik, një pjesë e dispozitave të saj do të ngrijnë me mos-hapjen e negociatave, ndërkohë që do të shkrijë qeverinë në fillim të vitit të ardhshëm për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme të 12 prillit 2020. Bisedimet Kosovë dhe Serbi për te arritur një marrëveshje që do të ofrojë stabilitet politik dhe ligjor mes dy shteteve, kanë ndaluar prej muajsh, e ndërkohe Kosova është në pritje të formimit të qeverisë së re, ku lideri Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar pak ditë më parë se do të rishikoje edhe 33 marrëveshjet aktuale me Serbinë.

Zgjedhjet e fundit presidenciale ne Bosnje – Hercegovinë nxorën në pah një përçarje të thellë ndërmjet grupeve etnike. Dymbëdhjetë muaj nga zgjedhjet ende nuk është formuar qeveria, e cila paraqet një nga sistemet më të komplikuara në botë me 3 Presidente rotant, 14 qeveri dhe 136 ministra duke paralizuar drejtimin e vendit në të gjitha nivelet. Krahas kësaj, vendi është në prag të një krize humanitare me emigrantet në kampin Vucjak duke u përballur brenda dhe jashtë kufijve me një dështim tjetër.
Krahas problemeve të brendshme, refuzimi i hapjes së negociatave nga BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, deri sa EU të realizojë reformat e saj të pa-specifikuar, jo vetëm shuajnë një motor shtytës për reformat e nevojshme në këto dy vende, por çojnë mesazhet e një refuzimi tërësor dhe një politike europiane që është kundër procesit të zgjerimit të BE në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke e zhytur politikën në rajon në probleme të mëtejshme.

Në këto mori valësh të ftohta e regresive në synimet e vendeve të Ballkanit për frymëmarrje stabiliteti, një BE me rol hezitues nëse thellohen krizat në rajon, Shqipëria, edhe pse ka vuajtjet e saj të brendshme, një krizë politikë mes qeverisë dhe opozitës, përkeqësim në parametrat e demokracisë, të ligjit, konkurrencës, korrupsionit, lirisë së medias, etj (ref.FreedomHouse) paraqitet si i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që mund të konsiderohet stabël.

Veçmas BE, vendet e Ballkanit perëndimor kanë një tjetër aspirate po aq të rëndësishme për stabilitetin politik, zgjidhjen e problemeve dhe ruajtjen e paqes e sigurisë në rajon, anëtarësimin ne NATO, Aleanca e cila krahas aktivitetit ushtarak ka një aktivitet te fortë politik, që promovon vlera demokratike, ndërtimin e raporteve dhe besimit ndërmjet anëtarëve.

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia, Bosnja Hercegovina, dhe për nga territori, pozicioni, popullsia dhe transaksionet me këto vende, mund të luajë një rol të fuqishëm konstruktiv në politikën rajonale, të punojë me aleatët e tjerë për ti promovuar këto vende e në anën tjetër në nxisë stabilitetin kur liderët rajonalë tashmë gjenden përballë problemeve të brendshme dhe ato pasuese të BE, dhe rrezikut ndaj tensioneve dhe krijimit të përçarjeve të mëtejshme në Ballkanin Perëndimor./opinion.al/

Please follow and like us: