Nga resorti 400 milionë euro që nuk u bë kurrë, te dosjet që u gjetën në makinën e bërë shoshë nga plumbat
Të na marrin të keqen të gjitha bashkë, Camorra, Cosa Nostra dhe Ndrangheta
Nga Mentor Kikia
Një sipërmarrës i huaj kërkon të investojë nja 400 milion Euro. Do të bëjë rezort turistik në bregdet. Ka dëgjuar që turizmi është prioritet. Merr leje ndërtimi nga qeveria, por i marrin truallin. Një gjykatëse, tokën e shtetit ia njeh si pronë një personi. Avokate e “pronarit” është gruaja e një prokurori. Investitori i drejtohet gjykatës, sepse kështu ndodh në vende demokratike. Por një ditë atë e zënë në rrugë, i hyjnë me dru dhe ia thyejne këmbë e duar. Ikën i tëri në allçi dhe e harron rezortin. Kockëthyesin askush nuk e arrestoi. “Pronari”, tokën që fitoi me gjyq ia shiti atij që i theu kockat investitorit. Një ditë pranvere, dikush hyn në arkivin e prokurorisë dhe grabit dosje. Po po, dosje hetimore. Nga ato që kishin brenda çështje pronash për tokat në bregdet, atje ku i thyen kockat investitorit. Pastaj, një ditë, një prokuror arreston me bujë ish drejtuesin e hipotekave. Nuk u mor vesh përse. Pastaj një ditë tjetër, në gjykatë u firmosën një tufë urdhër-arreste për gjithë administratën e hipotekës dhe ish komunës ku gjenden tokat e bregdetit. Menjëherë pas kësaj kryetarja e gjykatës dha dorëheqjen, sepse do të punonte në një spital privat. I ishte mërzitur drejtësia. Ishte ajo gjykatësja, që tokën ku do të ndërtonte sipërmarrësi i huaj, ia ktheu “pronarit”. Pastaj, kockëthyesi, një ditë gjendet në të njëjtën makinë (në makinën e tij në fakt) me prokurorin, burrin e asaj avokates së atij që u bë pronar i tokës. Ishin shokë të ngushtë. Pastaj dikush ia plas me kallash dhe i bën shoshë. Në makinë gjenden edhe ca dosje, nga ato që ishin grabitur në prokurori… Deri tani sërish askush nuk është arrestuar.
Kush qëlloi? Përse i qëlloi? Kush ishte objektivi i atentatit? Çdonin dosjet e hetimit në makinën e kockëthyesit? Këto dhe të tjera të reja, do ti ndiqni në sezonin e dytë të “Çukur”-it.
Deri atëherë i urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.