Sot lajmi është: “Alvin Berisha i shpëton tmerrit të kampit Al Hol. Heronjtë janë Luigi Pelazza e Taulant Kopliku, gazetarët, që hodhën dritë mbi një nga ngjarjet më të rënda të kohëve që jetojmë, braktisjen e fëmijëve nga shtetet e tyre.”

Me lumturinë e papërshkrueshme për bashkimin e një fëmije me të atin, me rikthimin e tij në jetën normale, mes dashurisë së familjes e shkollës siç e dëshiron edhe vetë, i përulem misionit të dy gazetarëve dhe të gjithë atyre që ndihmuan në finalizimin e operacionit të shpëtimit.

Asnjë meritë tjetër s’mund të jetë e përveçme, asnjë foto veç buzëqeshjes së pafajshme të Alvinit në jetën jashtë bombave, plumbave nuk mund të përbëjë lajm. Ata që ndihmuan vërtetë duan të mbeten anonimë, nuk pashë as skuadrën me tre policë të SCIP (Shërbimi Interforcë i Policisë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar), as dy burrat nga ROS (grupimi special i karabinierëve të operacioneve) që shkuan nga Italia në Sirinë verilindore, për ta gjetur dhe për ta marrë Alvinin.
As nga Kryqi i Kuq Italian dhe Gjysmëhëna e Kuqe Ndërkombëtare, të vetmit të autorizuar për të hyrë në kampin Al Hol. As nga drejtuesit e Policisë Qendrore Kriminale dhe Prefektit Vittorio Rizzi.

Po, autoritetet shqiptare kanë bashkëpunuar, ambasada shqiptare në Romë, forca policore nga Shqipëria. Sepse Alvini është shqiptar, ka pasaportë shqiptare dhe një ndërhyrje nga Shqipëria qe e domosdoshme. Por pa kronikën e Le Iene, apelin e fortë të gazetarëve asgjë nuk do të ndryshonte në fatin e të voglit Alvin. Ende është i freskët sinjali i telefonit pas mbylljes së komunikimit nga ambasadori shqiptar. Ende nuk kemi një përgjigje përse gjer më sot Shqipëria si Kosova, Kazakistani e vende të tjera nuk ka tërhequr në kohë fëmijët e gratë e kampeve famëkeqe në Siri. Pse i ka braktisur? Tashmë në atë kamp ndodhen fëmijë e gra shqiptare. Alvini shpëtoi. Pa u shpëtuar edhe të tjerët për të cilët s’mundet asnjë qeveri tjetër, italiane a angleze të ndërhyjë, misioni i qeverisë shqiptare nuk është i përmbushur.

Ndaj e vetmja foto sot që ngroh zemrat e njerëzve është kjo. Asnjë tjetër.

Heronjtë janë Luigi Pelazza e Taulant Kopliku. Gazetaria sot shënon ditë kalendarike në historinë e saj.

Faleminderit për profesionistët, njerëzorët e punëmbaruarit!