Ambasadorja e Francës: Kriza kushtetuese të zgjidhet nga “Venecia”
Kristina Vazak, ambasadore e Francës në Shqipëri, mendon se Komisioni i Venecias mund të ndërhyjë sërish për të këshilluar autoritetet shqiptare për ngërçin Kushtetues ku ndodhet vendi.
Ambasadorja thotë se Komisioni i Venecias ka ardhur edhe herë të tjerë në Shqipëri dhe se “nuk do të kishte asgjë të jashtëzakonshme të vinte sërish”.
“Komisioni i Venecias ka ardhur disa herë në Shqipëri. Pra nuk do të kishte asgjë të jashtëzakonshme që të vijë edhe një herë tjetër. Por, ai është organ konsultues. Dhe një organ konsultues punon me etapa. Është ai që përcakton mënyrën si do të punojë, që vlerëson situatën, që shkokoleps çështjen, – nëse ma lejoni këtë shprehje. Ai e analizon në detaje dhe konsultohet. Dhe në vijim, redakton një projekt-raport”, ka thënë ajo.
Ambasadorja flet edhe për projekt-raportin e Komisionit të Venecias në lidhje me dekretin e Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit duke mos kursyer edhe çuditën për faktin se si ai rrodhi në media.
“Kam qenë personalisht e tronditur si mjaft të tjerë në Shqipëri dhe jashtë saj, – dhe tani po ju flas si juriste, – se si një projekt-raport u bë publik. Nuk duhet të kishte ndodhur. Pra ka pasur rrjedhje të organizuara, nuk e di prej kujt, nuk di pse dhe si, dhe preferoj të mos e di, por nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që t’i kërkohet mendim Komisionit të Venecias. Por vendimi i takon autoriteteve shqiptare. Komisioni i Venecias është organ shumë i rëndësishëm dhe një organ jashtëzakonisht i respektuar”, shprehet ajo.