Edhe një herë po e kujtoj Mark Gjomarkajn
“Shqipnía dikur, në nji mënyrë apo në nji tjetër, prap ka me gjetun rrugën e vet të natyrshme”.- Mark Gjomarkaj
Nga Tahir Kolgjini
Në fletoren L’ALBANIE LIBRE, qi dikur ishte organi për faqe të bardhë i Blokut Kombtar Indipendent, ishte kujtue sa herë i ndjemi Mark Gjomarkaj, tue iu vumë në dukje cilsinat e tija si nji shqiptar me plot merita. Po kështu, disi âsht bâmë fjalë për tê, në data të ndryshme, edhe në Lajmtarin e të Mërguemit.
Të gjithë shqiptarët, qi kanë flîjue jetën e tyne për nji Shqipní të Lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qëllim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në këtê mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botërore. E kemi për detyrë…..
Sidomos për Markun, sido qi të jetë shkrue, ato nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shum pak. Prandej edhe un, tue u mundue me tregue dishka për këtë HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesve të mij të dashtun.
*****
Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëherë kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeti nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Italí. Rastësisht u përshndeta me tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e përcjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qëllim qi të përbâj nji mendim, fillova me tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tij ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëherë, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për ktê student të ri, si djalosh i nji derës së mirë, do të mbërrîjë në gjêndje me i shërbyem Shqipnís në kohën e ardhëshme.
Ai qe nji student shqiptar vërtetë idealist. Mâ vonë e shoh si Nënministër i Punëve të Mbrêndshme në Tiranë, kur erdhi në fuq( qeveria e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942. Ishem ngarkue me detyrë në Kukës. E vizitova. Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje. Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për tê, atëherë kur ishte student.
Mbas këtij takimi, qoftë për arsye detyre, qoftë për arsye miqsie, shifeshim mâ shpesh. Dhe, sa herë kur takoheshim, bisedonte përzemërsisht e me nji guxim të jashtëzakonshëm tue iu dhânun rândësi në shkallë të parë problemeve dhe interesave kombtare. Synonte me mbajtun nalt autoritetin shqiptar, tue mos i përfillun asnji grimë rrethanat, qi mund t’i shkaktonte gjêndja delikate e kohës.
Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipní, atê nuk e lakonte kurrgjâ në ket botë. As vdekja, nuk i bânte përshtypje. Ma vonë, me dorëheqjen e qeveris së Mustafa Krujës, ai, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej , me kapitullimin e Italís në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvêndin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalistë të shquem, me qëllim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeverí.
Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msŷmje, ose kërcnim . Në këtë mënyrë ai, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjêndje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë.
*****
Aty tue u damë vera e vjeshta në vjetin 1944, brigadat komuniste, patën depërtue në disa lagje të Tiranës dhe pozicioni i qeverís pat fillue me u tronditun keqas. Un, ishem i ngarkuem me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policís. Po na duhet me u zmbrapsun për Shkodër me nji pjesë të personelit dhe të mjeteve, qi ende i kishim në dispozicion. Natën n’udhtim e sipër, të gjitha mjetet, na u shkatrruen nga bombardimet e fluturakëve anglo – amerikane dhe na mbetëm rrugës. Patëm edhe disa të vramë. Ata qi tepruen mbërritën në Shkodër. Un shkova fillë në shtëpinë e Kapidanit. Në kët kohë dhe Marku ishte në Shkodër.
Si dihet, në Shkodër aso kohe, qe formue “Komiteti Kombtar i Shkodrës” nën kryesín e të ndiemve Sylçe Beg Bushatit dhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit. Mark Gjomarkaj ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qëllim me ndalue hŷmjen e komunistëve në këtê pllâmbë të fundit të tokës shqiptare, për me mundë me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonji force anglo – amerikane në Shqipní ose në ndonji vênd në zonën e Shkodrës.
Kapidan Gjoni më njoftoi se mue më kishin ruejtun detyrën e Prefektit të Shkodrës dhe, si i tillë, më ngarkojshin dhe me detyrë antarësíe në Komitet. Iu falënderova, tue i thânun se jam drejtue për në Gjermaní dhe se mbrênda javës, bashkë me dy oficerë gjermanë, me nji aeroplan ushtarak nisemi për Vjenë.
“Or Tahir,” më thotë Kapidani, “na o do të shpëtojmë bashkë, ose do të vdesim bashkë.” Mbi këtê dhe un e pranova këtê detyrë. Njeriu vdekjen e pranueka mâ tepër prej turpit se sa prej trimníe. E si u pashë edhe me Sylçe Beg Bushatin mora Prefekturën e Shkodrës në dorëzim.
*****
Ndërsa lufta vazhdonte me vrull në Mirditë dhe aty këtu derdhas në malsinat e tjera të Shqipnís, Markut i bâj këtê propozim:
“Thika ka hasun n’asht. Komunizmi nuk mund t’asgjâsohet me masa gjysmake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të rekuizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue i u dhânun nji afat të shkurtën. Kush nuk e jep shumën e kërkueme mbrênda afatit të caktuem….. në litar!….. Armë ka. Me nga njimijë frank në muej të përbâjmë nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufînin grek. Me krijimin e nji qeverie kombtare, ka gjasë qi të zbarkojë ndonji njisí anglo – amerikane. Dhe shteti, si të stabilizohet gjêndja, t’interesuemve i u paguen pasunín e rekuizueme.”
“Fitimi âsht i yni, mbasi komunizmi jugosllav e grek nuk janë gjêndje me i u ndihmue komunistave shqiptarë. Me gjithë këtê, të supozojmë se nuk mundëm me i a mbërrîmë këtij caku, atëherë me të tânë këtê fuqí po e çajmë me pushkë; po hŷjmë në Greqi dhe po i dorëzohemi gjeneral GOBI-t”.
I ndjemi Mark, pa nji pa dy, e pranoi kët pikëpamje. I a hapëm Kapidan Gjonit. Dhe ai e pranoi. Mirëpo kur i a parashtruem Sylçe Begit, ai nuk u tregue d’akord mbasi natyra e tij nuk ishte e krijueme për me zbatue masa kësodore, qi sjellin përgjegjësina të rânda.
Prandej edhe kjo masë, qi ishte e vetmja shpresë, mbeti pa u sendërgjue.
*****
Rrethi për ditë e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 nandor 1944. Hangrëm darkë. Të tjerët shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe un e Marku në skajet e ngushta të tavolinës, kundrejt njâni tjetrit.Në kët rasë Marku më drejtohet:
“Or Tahir, duhet të përgatitesh se Ti do të dalësh nesër bashkë me babën.”
“Për ku or Mark?”
“Për ku t’a ketë shkrue Zoti. Nji herë për Gjermani. Babës, mbasi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i jap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane qi ritirohet”.
“Na mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi, e pra edhe Ti, ose duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, siç jemi”.
“Baba âsht i vjetër; prandej nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shumë i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej duhet të largohesh. Sa për mue, un jam djali mâ i madh i Kapidanit të Merditës. Rândimi kryesor peshon mbi mue, sepse kam qênë i ngarkuem me autoritet. Mandej kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë, qi un të largohem nga Shqipnía, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po të vdes un, dera e Kapidanit të Merditës rron. Prandej un do të qindroj në malet e Shqipnís.”
Dhe si i mallëngjyem Marku vazhdoi:
“E dij. Do të jetë e pamundun me qëndrue n’arratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem, por s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnía dikur, në nji mënyrë ose në nji tjëtër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj rrugë të mbarë.”
Markut, kur shprehte fjalinat e fundit, i u rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Un nuk pata gjâ me shtue, mbasi ai parapëlqeu rrugën e burrnís shqiptare.
Më 24 nandor 1944, në mëngjes u hallatosëm me tê dhe, bashkë me Kapidan Gjon Marka Gjonin, lamë Shkodrën, tue marrun rrugën e arratís. Karakteristika qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve të tjerë, âsht kjo: Ai qëndroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e të tjerët qëndruen për të shpëtue.
*****
Sigurisht, disa burra nacionalista do të kenë mbajtun shënime dhe do t’i përshkruejnë ndodhinat me imtësi. Un këtu, shkurtimisht po shënoj disa pika kryesore për hir të historís kombtare.
Marku, më 26 Nandor e le Shkodrën, tue pasë me vehte nji fuqí të përbâme prej afër trimijë vetësh. Me qênë se shokët i kishte lanun të lirë me u dorëzue, ose me ndjekun rrugën e arratís me ushtrín gjermane, nji pjesë e kësaj fuqíe i dahet. Me fuqín qi i mbetet Ai vazhdon udhën nëpër vênde të ndryshme malore, tue kapërcyem lumej, gryka, kodra e suka të vështira dhe tue luftue e tue çamë me pushkë shum prita, të cilat ishin vûmë nga nji pjesë e popullit qi e kishte mashtrue komunizmi.. Lemisht në këto derdhet shumë gjak prej të dy palëve. Për këtë shkak Marku vendos qi forcat, aty për aty, të shpërndahen andej-këtej, ku t’a shikojnë me arsye, tue mbajtun ndërlidhjet rregullisht medis tyne. Dhe vetë me disa shokë kalon në Merditë.
Gjatë kohës qi Marku qëndron n’arratí krijon nji organizatë kombtare, e cila shtrihet thuejse në krejt Shqipnín. Mirëpo edjhe kjo, mjerisht dështon, për shkak se nji pjesë e kësaj organizate, veprimin e fillon para dtës së caktueme. Kësaj here Tirana vendos me e mnjanue kët rrezik dhe shton e shpeshton seriozisht ndjekjet. Dhe Mark Gjomarkaj, në nji ndeshje qi zhvillohet në vendin e quejtun Prosek të Merditës, më dattën 13-6-1946 plagoset rândë. Dhe më 14-6-1946, n’ora 7.00 vret vehten me revolverin e vet, për mos me i u dorëzue i gjallë komunistëve.
***
Mbas vetëvrasjes forcat komuniste trupin e Markut e ekspozojnë në Shpal, në Lesh e në Shkodër, tue e zvarritun e tue e shkelmue.
Kjo sjellje banale në vetvehte tregon se komunizmi asht nji shfaqje kundërnjerzore.
Nacionalizmi shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë dëshmorët e tij.
Hiri i Zotit qoftë me Mark Gjomarkajn dhe me shokët e idealit të tij të shênjtë.
*Marrë nga “Lajmëtari i të Mërguemit”, nr. 12, viti i 7, korrik 1976, fq. 11 – 15 me titullin: “Edhe nji herë po e kujtoj Mark Gjomarkajn”