Orjola Pampuri: Të braktisura nga qeveria, familjet e strehuara tek Unaza e Re
Sot, vizitova rreth 120 persona të strehuar në godinën “Egi Center”, e destinuar për konvikt e falë zemërgjerësisë së Z. Flamur, pronar i kësaj godine, këta banorë po jetojnë duke përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme. Ushqimi e veshjet të siguruara nga qytetarë të ndryshëm, nga një solidarizim i jashtëzakonshëm nga Aleanca për Teatrin, e shërbimi e mbështetja maksimale nga banorë të Unazës së Re, ku zonjat qëndrojnë gjatë gjithë kohës duke u kujdesur për gjithçka. Aty mes tyre ka të moshuar, shumë fëmijë, burra e gra, ndër ta të sëmurë, fëmijë me elilepsi, artrit, gra me hernie diskale, leuçemi, sëmundje të tjera akute e kronike, të cilët kanë nevojë për medikamente dhe asistencë mjekësore. Mëngjesi i gjeti të trishtuar kur u njoftuan që operatori shëndetësor kishte njoftuar që mjeku nuk mund të vijojë asistencën ndaj këtyre banorëve. Vendim që nuk zgjati shumë dhe u zëvendësua me një vendim të dytë, e kjo pasi pronari i godinës e banorët e Unazës së Re, këmbëngulën që prania e mjekut është e domosdoshme. Pra, shteti nuk egziston për ata banorë, për asgjë. As medikamente, as ushqime, as veshmbathje, as ngrohje dhe energji, të abandonuar plotësisht nga shteti, i cili bën show nga mëngjesi në darkë, duke u mbajtur vetëm me donacione vullnetare, asgjë tjetër. Askush nuk di sa është egzaktësisht fondi rezervë i emergjencave civile, askush nuk di si do të vijojë jeta për ta, askush nuk di fatin e banesave dhe apartamenteve të tyre, askush nga përfaqësuesit e qeverisë, bashkisë apo shtabit të emergjencave nuk ka shkuar të flasë e të përmbushë qoftë dhe një nevojë të tyre. Asnjë ndihmë, por as edhe një fjalë e ngrohtë që t’i ngrohë në këto ditë të ftohta për ta. Shteti ka humbur e është rrëzuar më shumë se kurrë. Gjithkush ndjehet i lënë pas dore nga shteti i falimentuar.