Gjykata e Vlorës dënon me burg Mihal Kokëdhimën
Gjykata e Vlorës ka dhënë sot dënimin për Mihal Kokëdhimën, pronarin e lokalit pa leje në Porto Palermo të Himarës “Panorma”. Ndaj tij u vendos masa 1 vit burg për akuzat e ‘kanosjes’, “dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘shkatërrim prone’. Gjatë sezonit të verës, Kokëdhima kanosi një grup turistësh nga Spanja pasi ata dolën të pakënaqur nga restoranti i tij. Por ajo që e bëri më shumë mediatike historinë ishte skena si një skenar filmash “hollivudian” ku Mihal Kokëdhima qëndronte i kapur në kofanon e furgonit teksa ai ishte në ecje dhe godiste me grushte xhamin e përparmë duke e thyer atë. I gjithë sherri nisi për një ngatërresë në numrin e peshqve të porositur nga familja spanjolle e biznesmenit të njohur spanjoll Eugenio Galdon, themelues i kompanisë ‘ONO’. Pas këtij skandali u zbulua se Kokëdhima e kishte ndërtuar pa leje lokalin e tij dhe nuk kishte paguar detyrimet tatimore. Kjo më vonë solli dhe shembjen e godinës si dhe lirimin e hapësirës së plazhit që ishte zaptuar.