Françesku mbush 83 vjeç, urime e dashuri nga e gjithë bota
R.SH. – Vatikan
Ky dhjetor është një muaj i rëndësishëm për Papën Françesku, që brenda pak ditësh, festoi 50-vjetorin e meshtarisë, në datën 13, e sot, ditëlindjen e tij të 83-të. E gjithë bota po ia uron me dashuri të madhe. Mijëra e-maile janë dërguar nga besimtarët në adresën e postës elektronike, vënë në dispozicion për këtë rast, mijëra letra mbërrijnë në Vatikan, sidomos nga fëmijët. Ndërkaq, miliona njerëz kanë zgjedhur rrjetet shoqërore për të shprehur urimet, ose vetëm për të bërë një koment nën fotografinë e Papës, publikuar në faqen e tij të Instagramit, Franciscus.
Mesazhe të panumërta vijnë nga krerët civilë e fetarë të gjithë botës, ndër të cilët edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Të shumta dhuratat, që i mbërrijnë Papës, por pa dyshim, ai vlerëson më shumë lutjet, që i dhuron gjithë bota. Nuk lë rast pa kërkuar: “Lutuni për mua”.
Plani i Shpirtit Shenjt
Sot është ditëlindja e shtatë që Françesku e kremton brenda Mureve Leonine, në Vatikan. Jorge Mario Bergoglio lindi në Buenos Ajres të Argjentinës, në vitin 1936. Djali i emigrantëve italianë nga Piemonte kishte pasion për muzikën, operën në veçanti, të cilën e ndiqte çdo të shunë në mëngjes në radio, bashkë me nënën, Regjina dhe me vëllezërit. E donte shumë edhe futbollin, megjithëse kur luante me shokët përfundonte shpesh si portier, rol që u caktohej të ashtuquajturve “pata dura”, pra, atyre, që nuk e kishin “këmbën shumë të përshtatshme” për lojë, siç do të shpjegonte vetë Papa më vonë. Bergoglio studioi shumë, mësoi zanate të ndryshme dhe u diplomua si teknik kimik, por horizonti i jetës së tij ishte tjetër: t’i kushtohej Zotit dhe t’u shërbente njerëzve. Kështu, në vitin 1958 hyri në seminar dhe deshi ta vijojë noviciatin ndër Etërit jezuitë. Pikërisht në këtë periudhë, një murgeshë infermiere, motër Cornelia Caraglio, i shpëtoi jetën, duke e bindur doktorin t’i jepte dozën e duhur të antibiotikut për të trajtuar bronkopneumoninë. Ndërhyrje njerëzore, pa asnjë dyshim, por sugjeruar nga ai Shpirt i Shenjtë, që e shihte tashmë si Pasardhësin e shën Pjetrit.
Meshtaria
Në vitin 1969 u shugurua meshtar. Atë ditë, gjyshja e tij, Roza, i dorëzoi një letër, drejtuar të gjithë nipërve dhe mbesave, që Jorge Mario e mban gjithnjë në librin e lutjeve: “Të keni një jetë të gjatë dhe të lumtur. Por nëse ndonjë ditë, dhimbja, sëmundja, ose humbja e një të dashuri do t’ju mbushin me dëshpërim, mbajeni mend se një psherëtimë para Tabernakullit, ku ndodhet martiri më i madh august, dhe një shikim drejt Marisë, në këmbët e kryqit, mund të derdhë një pikë balsami mbi plagët më të thella dhe më të dhimbshme”. Në vitin 1973, Bergoglio u emërua epror provincial i jezuitëve të Argjentinës. Më 1992, u shugurua ipeshkëv, ndërsa më 28 shkurt 1998 u emërua kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, primat i Argjentinës. Në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, Papa Gjon Pali II e krijoi kardinal. “Sot paradite – tha Papa Vojtila me atë rast – Roma ‘katolike’ shtrëngohet rreth kardinajve të rinj me një përqafim të ngrohtë, me vetëdijen se po shkruhet një faqe tjetër e rëndësishme në historinë e saj dy mijë vjeçare”.
Jorge Mario Bergoglio bëhet Papë
Është preludi i një ngjarjeje tjetër, e destinuar të linte shenjë: më 13 mars 2013 Jorge Mario Bergoglio bëhet Papa i primateve: i pari që vjen nga Amerika, i pari jezuit, i pari që zgjedh emrin e Françeskut, shenjtit të Asizit, që kishte miq të varfërit, të fundit, të sëmurët, të gjitha krijesat e Tokës, motrën Hënë e vëllain Diell e kishte në zemër paqen ndërmjet njerëzve dhe kombeve. Po ata “miq”, që do të frymëzonin e vazhdojnë të frymëzojnë fjalët dhe gjestet e kësaj papnie.