Dhoma Kombëtare e Avokatisë dënon arrestimin e dy pjestarëve të saj
Arrestimi i dy avokatëve të studios ligjore të Henri Çilit, ka bërë që të reagojë Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë thotë se ka ndjekur më vëmendje rastin e ndalimit të dy avokatëve Ilir Korbi dhe Betim Shkupi dhe ka ngritur shqetësimin e saj për sulmet ndaj profesionit të avokatit.
Në këtë linjë thuhet se ndalimi i paligjshëm i tyre duke i mohuar çdo të drejtë ligjore është një ndikim i drejtpërdrejtë në profesionin si juristë dhe mbrojtës të garancive dhe të drejtave demokratike e kushtetuese të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe aktet e tjera të ratifikuara në sistemin tonë ligjor.
Më tej kërkohet që organet e akuzës duhet të ndjekin dhe të veprojnë sipas përcaktimeve ligjore urdhëruese të saksionuara në Kodin e Procedurës Penale dhe të shmangin çdo akt apo veprim si:
-dhunë verbale e përdorur për të arritur qëllimet e deponimit në kundërshtim me ligjin;
-përgjimi i bisedave telefonike midis avokatit dhe klientit lidhur me mbrojtjen ligjore;
-komentimi i opinioneve ligjore apo akteve proceduriale të firmosura nga avokatët në funksion të garantimit të të drejtave ligjore të klientëvetë tyre, etj.
Duke vepruar si më lart përmendur organet e akuzës shpien në asimilimin e të rolit me rolin e klientëve të tyre.
“Profesioni i avokatit, nuk mund të konsiderohet thjeshtë një shërbim ligjor ndaj individëve apo entiteteve të ndryshme juridike. Avokati ka një rol të veçantë e të rëndësishëm dhe po aq delikat në një shoqëri të ndërtuar në respektim të shtetit të së drejtës. Avokati është një e mirë publike, ndaj respektimi i funksionit profesional të tij është kusht esencial për shtetin e së drejtës dhe për demokracinë në një shoqëri. Shpesh herë Dhoma Kombëtare e Avokatisë nëpërmjet deklarimeve për shtyp ka sjellë përpara opinionit publik interesin, mbështetjen, angazhinmin, sinergjitë e profesionit të avokatisë në funksion të themelimit të shtetit të së drejtës dhe mirë administrimit të sistemit të drejtësisë”, deklarohet më tej.
Përmes kësaj deklarate, Dhoma Kombëtare e Avokatisë shpreh solidaritetin e plotë për kolegët e ndikuar nga kufizimet serioze në të drejtat themelore të njeriut si avokatë ashtu si qytetarë të Republikës së Shqipërisë.
Henri Çili u arrestua rreth dhjetë ditë më parë nën akuzën e ndikimit për uljen e dënimit të dy vëllezërve lazaratas Alban Aliko dhe Arbjan Alikos të arrestuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Bashës, për tu liruar më tej nga gjykata në detyrim paraqitje.