“Babai im, i diplomuar në Sorbonë dhe mik i kryeministrit francez punoi në llaç e si hamall”. Historia tragjike e familjes Libohova, burgosjet e internimet deri në 1990
Kjo është historia e panjohur e një prej familje të mëdha dhe të njohura aristokrate në të gjithë historinë e Shqipërisë, apo siç është njohur ndryshe familja e “Asllan Pashëllinjve”, të cilët kishin sunduar për 200 vite Janinën dhe pinjollët e saj u shkolluan e u diplomuan në universitetet më në zë të Evropës, për të marrë më pas detyra dhe funksione të larta si prefektë, kryetar bashkish apo ministra në periudhën e Monarkisë së Zogut, si: Mufid bej Libohova, Servet bej Libohova, Ekrem bej Libohova, Maliq bej Libohova, Asaf bej Libohova, Dr. Shefqet bej Libohoha, Ihsan bej Libohova, Ajet bej Libohova, Enver bej Libohova, Neki bej Libohova, si dhe dy vëllezërit binjakë: Kapllan dhe Arsllan Libohova.
Dëshmia e Servet Libohovës se si u persekutuan ata barbarisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i cili pasi u sekuestroi vilat dhe të gjitha pasuritë që ata kishin vënë me mund që nga periudha e perandorisë osmane, i degdisi në burgje dhe internime deri në vitin 1990-të.
“Babai im Ihsan Libohova, i cili kishte mbaruar shkollën fillore dhe atë unike në Stamboll dhe Korfuz ishte diplomuar për Drejtësi e Shkencat Politike në Sorbonë e Romë, kur u kthye në Shqipëri drejtoi gazetën “Tirana” dhe gjatë viteve të Monarkisë së Zogut ai shërbeu për shumë vite si prefekt i klasit të parë në Pogradec. Pas kësaj për punën e mirë që kishte bërë në Pogradec, Zogu e solli në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, duke e emëruar si Drejtor të Përgjithshëm për Bashkitë dhe Komunat në atë dikaster. Ndonëse pas pushtimit fashist të vëndit, babai im nuk pranoi që të shërbente përsëri në administratën shtetërore, por u mbyll në shtëpi duke u marrë vetëm me studime, në nëntorin e vitit 1944, ai u arrestua nga forcat partizane të cilat na nxorrën edhe ne nga shtëpia duke na e sekuestruar të gjithë atë vilë ku sot ndodhet rezidenca e ambasadës së Maqedonisë”.
Kështu e kujtonte historinë e babait të tij, Servet Libohova, një nga pasardhësit e familjes së madhe Libohova, e cila njihet e konsiderohet si një nga familjet më të vjetra dhe më të pasura gjatë gjithë historisë së Shqipërisë. Cila është e kaluara dhe origjina e familjes Libohova, cila ka qenë pozita shoqërore e politike që ka pasur ajo familje që nga viti 1403 kur është njohur për herë të parë e deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar? Cilët kanë qenë burrat më në zë që ka nxjerrë ajo familje, çfarë funksionesh dhe postesh patën mbajtur ata në periudhën e perandorisë osmane dhe më pas me krijimin e shtetit të ri shqiptar? Cili ka qenë qëndrimi i saj politiko-shoqëror gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe përse regjimi komunist i Enver Hoxhës e persekutoi në mënyrën më barbare atë familje tepër të njohur, duke i pushkatuar, burgosur dhe internuar pasardhësit e saj deri në vitin 1990?
Kush ishte Ihsan Libohova?
Pas Mufid bej Libohovës i cili ka qenë dhe një nga pinjollët më të famshëm të familjes Libohova, apo siç është njohur ndryshe familja e “Asllan Pashëllinjve”, nga ajo derë e njohur kanë dalë edhe shumë burra të tjerë të mënçur të cilët u shkolluan dhe diplomuan në universitetet më prestigjoze të Lindjes e Perëndimit, të cilët më pas u kthyen në Shqipëri duke dhënë kontributin e tyre në të gjitha funksionet e detyrat që iu ngarkuan në administratën e lartë të shtetit shqiptar që nga qeveria e parë e Ismail Qemalit, ashtu dhe gjatë viteve të Monarkisë së Zogut. Ndër ata pasardhës të asaj familje, pas Mufid bej Libohovës, janë të njohur edhe Servet bej Libohova, Ekrem bej Libohova, Maliq bej Libohova, Asaf bej Libohova, Dr. Shefqet bej Libohoha, Ihsan bej Libohova, Ajet bej Libohova, Enver bej Libohova, Neki bej Libohova, si dhe dy vëllezërit binjakë: Kapllan dhe Arsllan Libohova. Lidhur me jetën, shkollimin dhe karrierën e njërit prej pinjollëve të këtij fisi të njohur, të quajtur Ihsan Libohova, i cili gjatë viteve të Monarkisë së Zogut shërbeu në administratën e lartë të shtetit shqiptar, i biri i tij, Servet Libohova, para disa vitesh na dëshmonte: “Babai im, Ihsani, u lind në vitin 1901 në qytezën e vogël të Libohovës prej nga është dhe origjina e familjes sonë.
Mësimet e para të shkollës fillore ai i mori në qytetin e Gallatasarait në Turqi dhe më pas ndoqi shkollën e mesme në gjimnazin francez të Korfuzit. Pas mbarimit të shkollës së mesme me rezultate të shkëlqyera, Ihsani u dërgua për të ndjekur studimet e larta në Francë, ku dhe u diplomua shkëlqyeshëm në degën e Jurisprudencës pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Sorbonës. Pas diplomimit, Ihsanit, i propozuan që të punonte si pedagog pranë atij universiteti, por ai nuk pranoi dhe u kthye në Shqipëri. Ihsani nuk qëndroi më shumë se një vit në Shqipëri, pasi iku përsëri në Itali, ku për katër vjet me rradhë ai ndoqi studimet në fakultetin e Shkencave Politike pranë Universitetit të Romës. Pas kësaj, aty nga viti 1930, babai u kthye në Shqipëri pasi kishte mbrojtur dy doktorata dhe njihte shkëlqyeshëm disa gjuhë të huaja. Gjatë kohës që babai ishte me studime në degën e Shkencave Politike të Universitetit të Sorbonës në Francë, ai kishte miqësi të ngushtë me intelektualin e famshëm francez, Daladier, i cili më pas u zgjodh për disa mandate me rradhë në postin e kryeministrit të Francës. Pasi u kthye në Shqipëri aty nga mesi i vitit 1930-të, imatë, Ihsan Libohova, i cili ishte diplomuar dy herë duke mbrojtur doktoraturat në Sorbonë dhe Romë, u vendos në Tiranë, ku hapi një gazetë të pavarur të cilën e titulloi “Gazeta e Tiranës”, kujtonte Servet Libohova, lidhur me babanë e tij, Ihsanin, i cili në fundin e viteve ’20-të, u diplomua në universitetet e Sorbonës dhe Romës.
Libohovitët e diplomuar në Itali
Po kështu përveç Ihsan Libohovës, edhe tre vëllezërit e tij: Enveri, Asafi dhe Shefqeti, u diplomuan në universitetet e Perëndimit. Lidhur me këtë dhe karrierën e tyre profesionale në vitet që pasuan, Servet Libohova na tregonte: “Ashtu si babai, edhe tre vëllezërit e tij, studjuan dhe u diplomuan në universitetet italiane. Enveri u diplomua për Agronomi në Universitetin e Bolonjës, ndërsa xhaxhai tjetërm Asafi, u diplomua për Jurisprudencë në Universitetin e Romës. Po kështu edhe xhaxhai tjetër, Shefqeti, u diplomua dhe u doktorua në Drejtësi pranë Universitetit të Romës dhe më pas kur erdhi në Shqipëri, ushtroi profesionin e avokatit. Nga të tre xhaxhallërët e mi, që u diplomuan në Itali, vetëm Asafi nuk u kthye më në Shqipëri pas diplomimit, pasi ai qëndroi në Romë, ku jetoi deri sa vdiq në vitet ’60-të. Ndryshe nga tre vëllezërit e tij që u morën me avokati e agronomi, babai im, Ihsani, e vazhdoi karrierën e tij duke punuar në administratën e lartë të shtetit shqiptar.
Kështu pas disa kohësh që babai punoi në drejtimin e gazetës “Gazeta e Tiranës”, ai u thirr nga Mbreti Zog dhe u caktua me detyrën e nënprefektit të Pogradecit. Pas katër vjetësh qëndrimi në Pogradec, në atë detyrë ku Ihsani la një emër të mirë, Mbreti Zog e thirri përsëri në Tiranë dhe e emëroi me detyrën e Drejtorit të Bashkive dhe Komunave pranë Ministrisë së Brendshme. Në atë detyrë babai shërbeu për vite me rradhë dhe aty nga viti 1937, ai u martua me nënën tonë, Fazilet Vërlacin, të bijën e politikanit e deputetit të njohur, Shefqet Vërlaci, i cili në fillimin e viteve ’40-të, pranoi dhe ushtroi funksionin e kryeministërit të Shqipërisë. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, babi nuk pranoi që të shërbente më në administratën e shtetit shqiptar të asaj kohe. Kështu gjatë gjithë periudhës së pushtimit fashist të vendit, Ihsani, nuk u mor me asnjë punë shtetërore, por u mbyll në shtëpinë e tij duke u marrë vetëm me studime. Gjatë atyre viteve familja jonë, hyri dhe banonte në vilën e re, (aty ku sot është rezidenca e ambasadës së Maqedonisë) të cilën babai me nënën kishin filluar ta ndërtonin aty nga fundi i vitit 1937, pasi kishin blerë tokën-truall. Për ndërtimin e asaj vile ata shpenzuan kursimet e tyre nga pasuria që kishin trashëguar nga prindërit, si dhe trashëgiminë financiare të gjyshes sonë, Qanie Libohova (Toptani)”, kujtonte Servet Libohova, lidhur me karrierën e babait të tij Ihsanit, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, si dhe të tre xhaxhallarëve që ishin diplomuar në Itali.
Dënimi i Ihsanit në Gjyqin Special
Po cili ishte fati i Ihsan Libohovës, i familjes dhe i vëllezërve të tij, pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet? Lidhur me këtë, Servet Libohova tregonte: “Aty nga nëntori i vitit 1944, kur akoma nuk kishte mbaruar Lufta, vila ku banonte asokohe familja jonë, u rrethua e gjitha nga forca të shumta partizanësh. Pas kësaj, 17 prej tyre të armatosur me automatikë, hynë brenda me zhurmë të madhe duke na trembur ne fëmijëve të vegjël. Në atë kohë aty ndodhej, babai, nëna, si dhe unë me dy motrat: Seresi e Vesta, të cilat ishin pak më të mëdha se unë.
Partizanët sapo hynë brenda, arrestuan babanë dhe ne na nxorrën menjëherë nga shtëpia vetëm me rrobat e trupit, duke na thënë që të shkonim ku të donim. Pasi na e sekuestruan të gjithë shtëpinë e madhe me të gjitha mobiljet e plaçkat që ndodheshin brenda, unë me nënën dhe dy motrat mbetëm në mes të katër rrugëve, pa ditur se ku të shkonim. Ne mundëm që të nxirrnim nga shtëpia vetëm disa plaçka dhe kjo gjë u bë e mundur vetëm pasi paguam njërin nga partizanët që kishte gradën e kapitenit, i cili ishte ngarkuar që ruante shtëpinë. Në atë kohë që ne na nxorrën nga shtëpia, vilën tonë të madhe ia dhanë Presidentit të Shqipërisë, Omer Nishanit dhe gruaja e tij fisnike që ishte me origjinë austriake, u thoshte shpesh njerzve që shërbenin aty: ‘Kujdes, ruajeni këtë shtëpi se është e huaja dhe një ditë do të vi përsëri ta marri pronari i saj’.
Ndërsa babai ndodhej në burgun e Tiranës, ne na hapi derën dhe na strehoi familja njohur tiranase Tufina, të cilët u treguan shumë bujarë me ne dhe nuk donin t’ja dinin fare se komunistët na kishin cilësuar si familje reaksionare. Ndërsa babai doli në Gjyqin Special dhe u dënua me dhjetë vjet burg, ne si familja qëndruam tek Tufinat, deri aty nga viti 1956, kur na hoqën nga Tirana. Babai e vuajti dënimin në kampet e tmershme të Kënetës së Maliqit dhe në Beden të Kavajës, e mundi të lirohej që andej vetëm në vitin 1950-të, duke përfituar nga disa amnisti që u dhanë asokohe për të dënuarit politik. Gjatë kohës që ishte në burg, babai u sëmur rëndë dhe mundi të shpëtonte nga vdekja, vetëm në saj të Dr. Zymës, i cili mori përsipër operimin e tij. Pas daljes nga burgu, babai punoi si punëtor me lopatë, duke bërë llaç në ndërrmarjen e ndërtimeve “Muhamet Gjollesha”, ku paguhej shumë pak dhe gjatë gjithë atyre viteve ne mbetëm në gjëndje të mjerueshme ekonomike. Asokohe ne jetonim me ato pak të ardhura që na kishin mbetur pa na i sekuestruar dhe duke shitur ato pak plaçka që kishim mundur që të nxirrnim nga shtëpia në vitin 1944 kur na e sekuestruan. Hakmarrja e komunistëve nuk mbaroi vetëm me familjen tonë, por ata i vazhduan goditjet edhe ndaj vëllezërve të babait tim, si dhe shumë familjeve të tjera të fisit Libohova.
Kështu pas dënimit të babait, në vitin 1946, komunistët arrestuan xhaxhanë tim, Dr. Shefqet Libohovën, i cili ishte diplomuar për Drejtësi në Romë. Ndonëse Shefqeti ishte plagosur në demostratat e Rinisë Antifashiste gjatë Luftës, atë e akuzuan për “tentativë arratisje” dhe e dënuan në fillim me vdekje dhe më pas me 101 vjet burg. Shefqeti vdiq në burgun e Burrelit dhe nuk la asnjë fëmijë, pasi nuk kishte krijuar familje. Para arrestimit të Shefqetit, komunistët kishin ekzekutuar edhe kushëririn e parë të babait, Xhevat Libohovën, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Itali. Po kështu në ato vite u arrestua dhe u dënua edhe kushëriri tjetër i yni, Elmaz Myfid Libohova, i cili kishte mbaruar Liceun e Korçës dhe kur studjonte atje, i jati i tij, ia kishte lënë nën kujdestari Enver Hoxhës. Elmazi me gjithë familjen e tij jetoi deri vonë i internuar në fshatin Tresh të Lezhës dhe kur vdiq, e varrosëm vetëm unë me babanë tim, Ihsanin”, kujtonte Servet Libohova, lidhur me dënimin e babait të tij, Ihsanit, si dhe me persekutimin e shumë familjeve të tjera të fisit Libohova.
Serveti: Si na ndihmuan familjet shkodrane?
Aty nga viti 1956, familjen Libohova e hoqën nga Tirana dhe e internuan në qytetin e Shkodrës. Lidhur me këtë dhe qëndrimin e asaj familje në atë qytet, Servet Libohova tregonte: “Me ndihmën e mikut të familjes sonë, Hamit Tafilicës, ne mundëm që të sistemoheshim në qytetin e Shkodrës, duke u vendosur në një shtëpi me qera në Rrugën “Luigj Gurakuqi”. Asokohe mezi e rregulluam që të shkonim në qytetin e Shkodrës, pasi ai qytet lakmohej shumë nga familjet e internuara, duke u konsideruara si parajsë, në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë, ku i dërgonin familjet “reaksionare” të internuara.
Gjatë asaj kohe që ne shkuam në qytetin e Shkodrës, familja jonë mbeti shumë keq nga gjëndja ekonomike dhe si fillim ne mundëm të jetonim duke siguruar vetëm bukën e gojës, në saj të punës së nënës sonë, e cila qepte xhamadanë për familjet malësore. Ato xhamadanë që qepte nëna, dilte dhe i shiste e zonja e shtëpisë ku banonim ne, por përsëri gjendja jonë ekonomike mbetej mjaft e vështirë. Pas kësaj babai mezi mundi që të fillonte punë, duke u marrë me shtrimin e rrugëve me gurë dhe më pas si hamall, duke ngarkuar e shkarkuar makinat me zhavorr në Zallin e Kirit. Në atë punë, imatë punoi deri aty nga viti 1963, kur mbushi moshën e pensionit, por atë pension që ia garantonte ligji, atij nuk ia dhanë asnjëherë, duke e lënë pa asnjë të ardhur. Po kështu dhe ndonjë ndihmë finaciare në dollar, që na vinte asokohe nga familja e nënës sonë (Vërlaci) që jetonte në Itali, shteti na i thyente me një kurs shumë të vogël.
Por gjatë gjithë atyre 35 vjetëve që familja jonë jetoi në qytetin e Shkodrës, pati një ndihmë mjaft të madhe morale nga shumë familje shkodrane, si ajo e Uran Anamalit, Hamza Dervishit, Rauf Çangës, Pjerin Prek Dedës (i njohur si Axha), Flamur Selmanit, Eduart Përjakut, Njazi Mukës, Leopol Shkrelit, Malo Dervishit, Xhevat Hajdarit etj. Pas daljes nga burgu, babai u vetëizolua në shtëpi dhe aty vinin dhe e vizitonin disa nga miqtë e tij më të ngushtë, si: Dom Injac Dema, Hamit Tafilica dhe profesori i matematikës, Muhamet Hoxha, i cili ishte diplomuar në Francë. Të tre këta intelektualë të njohur, që babai i konsideronte si njerëz të mrekullueshëm, nuk ia ndanë asnjëherë Ihsanit dhe iu gjetën atij në ditët më të vështira”, e përfundonte rrëfimin e tij, Servet Libohova, pinjolli i njërës prej familjeve më të vjetra dhe më të famëshme në të gjithë historinë e Shqipërisë, e cila u persekutua në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ashtu si i gjithë fisi i tij, edhe Servet Libohova, gjatë viteve të internimit në qytetin e Shkodrës, mundi që të punonte vetëm si hamall në Stabilimentin e Sharrave, apo siç njihet ndryshe nga shkodranët si “Fabrika e shaljanëve”.