Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Në ditën e poezisë vargje nga Marin Soresku!

Image result for sadik bejko

 

Marin Soresku
Shah
Unë lëviz një ditë të bardhë,
Ai lëviz një ditë të zezë.
Unë avancoj me një ëndërr,
Ai ma merr me luftë.
Ai më sulmon në mushkëritë,
Unë rri menduar një vit në spital,
Sajoj një kombinim të mrekullueshëm
Dhe i fitoj një ditë të zezë.
Ai lëviz një fatkeqësi
Dhe më kërcënon me kancerin
(I cili tashpërtash çapitet në trajtë kryqi).
Por unë i ve përpara një libër
Dhe e detyroj të tërhiqet.
I fitoj edhe ca gurë,
Por, shih, gjysma e jetës sime
Del buzë honit.
Do të të jap një shah që ta humbësh optimizmin,
Më thotë ai.
S’prish punë, bëj shaka unë,
Do të bëj rokadën e ndjenjave.
Prapa meje ime shoqe dhe fëmijët,
Dielli, hëna dhe miq të tjerë
Dridhen sa herë bëj ndonjë lëvizje.
Unë ndez një cigare
Dhe vazhdoj ndeshjen.

21 marsi është dita e poezisë. Poezia “Shah” e rumunit Marin Soresku më kujton se të ushtroje lojën e “Shahut”, të shkruaje poezi në ato kohërat tona me diktaturë, ishte si të merrje në pajë një ditë të zezë, për një libër – të flakje gjysma e jetës, për librin e dytë – të të jepnin një shah-mat në formën e kancerit… shkurt, shpesh kjo ishte një lojë me vdekjen. Disa nga moshatarët e mi mbase për këto arsye sot nuk janë ndër të gjallët. Nderim për Jorgon, Frederikun…  Requiem për ty Genc Leka, Vilson Blloshmi, Avzi Nela, Pano Taci, Jamarbër Marko, Piro Kuqi, Viktor Qurku, Faik Balanca, Ndoc Gjetja, Agim Spahiu,
për ty dramaturg i absurdit, Shpëtim Gina, nderim për ju Mihallaq Luarasi, Sherif Merdani, Zef Zorba, Musine Kokalari, at Donat Kurti, Ethem Haxhiademi, imzot Vencens Prenushi, Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Visar Zhiti, Maks Velo etj.

Please follow and like us: