Ismail Xhaferi: Vargje për “Këngët e Çobanit”
Ismail Xhaferi
Me dhjetra këngë për barinjtë,
Shumë larg nga e vërteta janë,
Unë nuk gjej dot një vajzë të vetme,
Që do të marri burrë çoban.
Dhe natyrisht që ka të drejtë,
Është e vështirë jeta e stanit,
Ndaj kurrë një vajzë nuk ka dëshirë,
Të shkojë në male pas çobanit.
Dhe culat bien nëpër skena,
Sa herë që bëhen festivale,
Dhe rrallë shumë rrallë këto cula,
Mund t’i dëgjojë njeriu në male.
Sepse për hir të së vërtetës,
Askush nuk do të shkojë bari,
Dhe asnjë vajzë s’vrapon në stane,
Të gjitha janë thjesht fantazi
Të gjitha vajzat thurrin ëndrra,
Se si ta zbukurojnë rininë,
Po nuk besoj se këto ëndrra
Ato i thurrin për barinj.
Më gjeni ju një vajzë të vetme,
Që do të shkojë jetën në stan,
Më gjeni qoftë edhe një djalë,
Që ka dëshirë të jetë çoban.