Lajçak del kundër idesë për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi
Bratisllavë, 11 maj 2020 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se është kundër idesë për shkëmbim territoresh midis këtyre dy vendeve. Në një postim në Twitter, Lajçak tha se dialogu që udhëheq BE-ja, ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. “Një gjë e tillë duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të kontribuojë në stabilitetin në rajon. Ideja e shkëmbimit të territoreve e bën të kundërtën”, tha Lajçak.
Last week, I spoke to APA about the -facilitated Dialogue, which aims at achieving a legally binding normalization agreement between Kosovo & Serbia. This must be in line with international law & contribute to stability in the region. The idea of land swaps does the opposite.
Së voni, lidhur me këtë është deklaruar edhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, duke vlerësuar se mundësia e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës është një çështje më pak e rëndësishme. “Nuk mendoj se shkëmbimi i territoreve është problem. Mendoj se është një çështje dytësore”, ka thënë Varhelyi para Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, më 7 maj. Sipas tij, pozicioni i Bashkimit Evropian ka qenë gjithmonë i qartë, që do të thotë se gjëja më e rëndësishme është që dy vendet të bien dakord për një zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët dhe që nuk përbën rrezik për vendet e tjera të rajonit. Çështja e korrigjimit të mundshëm të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, me sa dihet, nuk ka qenë asnjëherë në tryezën e bisedimeve që ndërmjetëson BE-ja. Kjo ide është shpërfaqur nga vetë presidentët e dy vendeve si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve, por ka hasur në reagime për dhe kundër.(REL)