Vrasje masive dhe djegie të shtëpive e bagëtive, sot 21 vite nga masakra në Stagovë të Kaçanikut
Sot bëhen 21 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut. Më 21 Maj 1999 ranë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.
21 maji 1999 përpos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e Stragoves kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.
Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat më 20 maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi.
Pra këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serbë të Millosheviçit, që ishte jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.
Për shkak të pandemisë COVID-19 nuk do të ketë ndonjë organizim të veçantë për shënimin e kësaj dite.