Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ndryshimi nuk vjen me Jozefinën

 

 

Në këto shtatë vjet opozitarizmi nuk ka patur asnjë afrim nga gjaku i ri. Nuk ka patur si prurje asnjë emër të ri, asnjë djalë a vajzë të re. Asnjë maturant a student të sapo diplomuar. Të gjithë kanë firuar. Kështu i bie deri sa konceptin e hapjes e përmbushim me lutjen për afrimin e Jozefina Topallit a Genc Rulit, Ridvanit etj. Mbase edhe me një kandidim të ri të Sali Berishës. Asnjë intelektual nuk ka qenë i ashpër me pushtetin. Të gjithë kanë që pro regresit kolektiv të ekonomisë shqiptare. Të gjithë kanë qenë pro degradimit deri aty sa shifra e borxhit publik kapi tanimë plot 80% të prodhimit të brendshëm. Pa dyshim që fatura e fundit prej 100 milionë eurosh që shteti i shqiptar i detyrohet një biznesmeni të huaj, ndikoi në kolaudimin e shifrës. Dhe si gjithmonë gjykatat e vendit nuk do kenë asnjë emër për dëmin financiar të shkaktuar shqiptarëve. Asnjë forum opozitar nuk ka funksionuar në evidentimin e prurjeve kësisoj duhet t’i lutemi Jozefinës se kjo quhet edhe hapje. Duhet t’i lutemi madje edhe ndonjë tjetri që ashtu si Jozefina nuk shikonin asgjë tjetër por veç protokollin e partisë në opozitë. Ndofta është nga rekordet më iluminate që në 7 vjetë qeverisje skandaloze të Edi Ramës, Jozefina shikonte dhe gjurmonte vetëm Lulin. Kështu edhe plot prej tyre. Kësisoj i takon të ofrohet e madje t’i japim edhe mundësinë e kandidimit, ta bëjmë deputete, a kryetare kuvendi. Pasi gjatë 8 viteve të saja nuk bëri asgjë tjetër veç rregulloi tarafin e vet. Arriti atë sukses madhështor të së djathtës sa në dimrin e 2012 emëroi të dashurin e vajzës në ambasadën shqiptare në Paris. Po ja që sot erdhi koha që pozitarizmit i duhet Jozefina dhe ndonjë tjetër. Megjithëse opozitarë të thekur të opozitarizmit, jo të qeverisë, prapë ata duhen. Nuk ka këmbë rioshi apo riosheje që t’i zëvendësoj. Eshtë tragjike të mendosh kështu. Kërkush tjetër veçse këtyre emrave nuk e ka detyrim t’i përgjigjet të djathtës sot, veç me votë ama, se, këta. Kërkush? Këta e kanë rrjepur dhe për më tepër kanë gatuar kulturën e të pa zëvendësueshmit, të pa riciklueshmit. Atë kulturë që kur jam unë në krye gjithçka është normale, kurse kur nuk jam unë, çdo gjë është e zezë. Po u them opozitarëve se do jeni më të fituar pa ata se me ata. Sot dështimi shqiptar u vulos që ke konflikti i fundit mes kryeministrit me ambasadat e huaja në lidhje me sistemin zgjedhor. Dhe ajo që është më e habitshmja është vrulli i propagandës së majtë për dashurinë e papritur të Edi Ramës mbi listat e hapura. Një lider që deklaron publikisht, para kamerave, para anëtarëve të partisë se, kush nuk voton si them unë përjashtohet nga partia, nuk ka se si të jetë për listat e hapura. Eshtë një qasje e pa sinqertë, sa për të futur në amulli shoqërinë. Ky konflikt dëshmoi edhe faktin tjetër, atë që Edi Rama nuk e do as reformën në drejtësi. Ai luajti ashtu për t’u hedhur hi syve ambasadave, pasi është po aq kontingjent i drejtësisë sa edhe ata që ai akuzon. Kjo ka domethënien që janë orët e fundit të Ramës, kësisoj hapja duhet të jetë jo për fitoren, pasi ajo është vulosur, por për demokratizimin real, konkurrencën e vlerave etj. Nuk mund t’i lutesh një llapallapaje kur vendi ka nevojë për energji të reja se sa emra të kalçifikuar në gjoja meritokracinë demokrate. Eshtë ajo kohë që edhe kunguj të varësh në gardhet e votuesve, karshi Ramës, kungujt do të fitojnë. Por opozitarizmi duhet t’i tregoj vendit parametrat shëndetësor realë të demokracisë perëndimore. Sepse edhe për pak do jemi përfundimisht një republikë e varur Perandorisë Otomane të Erdoganit.

Please follow and like us: