Shaban Murati: Shqiptarët do të vdesin nga internacionalizmi
Nuk e di për popujt e tjerë, por shqiptarët kanë për të vdekur nga internacionalizmi për të dashtë botën më shumë se veten. Si nuk u gjet një burrë i mençur t’i thotë ministres së jashtme të re dhe pa përvojë të Kosovës, që nuk pritet në takim lamtumire ambasadorja e një shteti, që nuk njeh shtetin tënd dhe i cili e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, siç gaboi rëndë në 8 korrik 2020 duke pritur në MPJ ambasadoren e Izraelit në Beograd, e cila në përfundim të mandatit po zhvillon takimet e lamtumirës në territorin e shtetit, ku është akredituar, pra në Serbi.
Ta presësh atë në Prishtinë do të thotë të pranosh statusin e Kosovës si krahinë e Serbisë. Ironia është që ambasadorja e Izraelit, Alona Fisher-Kamm, një ditë më parë në 7 korrik, në një intervistë me gazetën “Jerusalem Post” kishte këmbëngulur se Izraeli nuk do ta njohë Kosovën, duke sjellë argumentin e habitshëm se “ky qendrim forcon pozitën e Izraelit në arenën ndërkombëtare” dhe kishte mbrojtur mosnjohjen e Kosovës me tezën serbo-ruse se “Izraeli refuzon idenë e deklaratës së njëanshme të pavarësisë”, duke harruar se këtë tezë e ka hedhur poshtë ligjërisht tribunali më i lartë ndërkombëtar i drejtësisë i OKB, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në korrik 2010.
Respekti për sovranitetin dhe integritetin shtetëror të Kosovës dikton që zyrat shtetërore të Kosovës nuk duhet të presin zyrtarisht asnjë diplomat të shteteve, që nuk e njohin Kosovën dhe të cilët janë akredituar në Beograd.
Në diplomaci nuk bihet në dashuri dhe as nuk bëhet dashuri me një shtet, që nuk njeh shtetin tënd.