Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria shpall “non grata” agjentin iranian, cili ishte misioni i tij

Shqipëria ka shpallur “non grata” një shtetas iranian, i cili është cilësuar nga Njësia e Antiterrorit si person me rrezikshmëri të lartë.

Sipas informacioneve, personi i shpallur “non grata” është identifikuar si Dabiel Kassrae. Misioni i tij ishte vëzhgimi i opozitës iraniane (MEK), e cila është vendosur në Manëz.

Aktualisht, Kassrae ndodhet në një qendër pritëse në Vorë. Urdhëri për dëbimin e tij nga Shqipëria është firmosur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Të dhënat e grumbulluara nga shërbimet inteligjente vërtetojnë se 29-vjeçari është agjent me veprimtari spiunazhi, i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane.

Gjatë periudhës kur Dabiel Kassrae ka qëndruar në Shqipëri ai është përpjekur të mbledhë informacione për azilantët e opozitës iraniane të strehuar në Shqipëri, përmes një marrëveshje sekrete mes SHBA-së dhe vendit tonë. Kassrae është shfaqur shpesh herë në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit, ku dyshohet se në disa episode ka tentuar të krijojë kontakte dhe rekrutojë ish-anëtarë të MEK.

Kujtojmë se në janar 2020 autoritet shqiptare kanë dëbuar dy diplomat të Ambasadës Iraniane në Tiranë. Mohamed Peimanemati, këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit në Tiranë si dhe Seyed Ahmad Hosseini, atashe kulturor i Iranit në Shqipëri, ky i fundit shumë aktiv në fondacionin “Shiraz” që vepron edhe në Shqipëri dhe që ka një mbështetje speciale nga ana e Iranit, u dëbuan nga territori shqiptar, pas informacioneve se kryenin veprimtari të kundraligjshme në Shqipëri.

Sipas informacioneve të dy diplomatët e dëbuar dyshohet se ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me ish-shefin suprem të trupave “Quds”, të gjeneralit Sulejmanit, i vrarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Irak.

Dhjetorin e vitit 2018 ambasadori i Iranit në Tiranë dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga Shqipëria. Ministria e Jashtme njoftoi në atë kohë se dy diplomatët iranianë u shpallën të padëshiruar, pasi dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend.

Ndërkohë që tetorin e kaluar autoritetet shqiptare zbuluan dhe goditën një rrjet terrorist të drejtuar nga regjimi iranian i njësisë klandestine dhe sekrete të forcave revolucionare “QUDS” që kishte synim kryerjen e sulmeve ndaj opozitës iraniane MEK, refugjatë muxhahedinë të strehuar në Shqipëri.

Please follow and like us: