SPAK merr të pandehur gjyqtarin, Luan Daci
Luan Daci, gjyqtar i KPA-së është marrë i pandehur nga SPAK. Ky vendim vjen pasi Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar riktheu në detyrë gjyqtarin Daci.
Sipas informacioneve, ditën e premte do të zhvillohet seanca për t’i komunikuar Dacit akuzën e falsifikimit të dokumenteve gjyqtarit të Vettingut.
Më pas çështja do të kalojë në seancë paraprake ku do të vendoset nëse do të pushohet, do kalojë për gjykim, apo gjykata mund ta ktheje për plotësim hetimesh në prokurori.
Sipas SPAK, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së. Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.
Fillimisht Luan Daci u pezullua në 20 maj të këtij viti dhe u mor në hetim nga Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsion por Apeli e rrëzoi vendimin duke e rikthyer në detyrën gjyqtarin vetëm 2 javë më pas.