Albspirit

Media/News/Publishing

Reagon Ambasada e SHBA pas ndryshimeve kushtetuese

Ambasada e SHBA ka reaguar pas ndryshimeve kushtetuese që miratoi sot Parlamenti. Ata shprehen se është për të ardhur keq që vendimi nuk u mor me konsensus. Ambasada shton se kupton zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar por mirëpret vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike.

Ndër të tjera ambasada përsërit ” se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”, deklaratë kjo që kryeministri Rama tha sot se i vinte keq që ishte thënë.

“Më 23 korrik, Parlamenti miratoi legjislacionin për të kodifikuar marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore, e cila u arrit në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse përmes Këshillit Politik. Sot, Parlamenti miratoi ndryshime në Kushtetutë që do të mundësojnë masa shtesë për reformën zgjedhore. Ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet. Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar”.

Please follow and like us: