Albspirit

Media/News/Publishing

Industria e vezës në Shqipëri, pularia Beata eksportuese e certifikuar që furnizon dhe Europën

Përditësimi i fundit: 23/07/2020 – 19:05

Destinacion u ndal këtë javë në kompleksin e pularisë dhe vezëve Beata në Malësi të Madhe, që përveç bukurive të zonës, është gjithashtu qendër e një sipërmarrjeje që ofron prodhimtari të lartë në industrinë ushqimore.

Nga vizita në kompleksin e pularisë Beata, mësojmë shumë dhe marrim përgjigje për pikëpyetje që na mundojnë shpesh. Cila ka më shumë vlera ushqimore e verdha apo e bardha e verdhës? A ndikon madhësia në cilësinë e vezëve? Duhen larë vezët para përdorimit?

Në zonën e Bajzës, në Malësi të Madhe ndodhet Syri i Sheganit, një burim i madh karstik. Kjo zonë është e mbrojtur prej erërave të ftohta të veriut nga kompleksi malor që përshkon fushën, e cila shtrihet në anë të liqenit të Shkodrës. Syri i Sheganit ndodhet 133 kilometër larg qendrës së Tiranës dhe deri në rrethrrotullimin e Bajzës rruga është e shtruar, ndërsa më pas me çakël.

Kompleksi Beata ndodhet rrugës drejt Syrit të Sheganit dhe rrethohet nga fusha me sherebel, të cilat lëshojnë aromën e tyre të mirë.

Edi Fero, administratori i kompanisë, njëherësh një ndër veterinerët më të njohur në vend, tregon rreth sigurisë ushqimore që ofrojnë vezët, ushqim i përditshëm për të gjithë.

Alpet janë përballë kompleksit Beata dhe uji që përdoret në të është ujë mali i shëndetshëm dhe i kontrolluar. Ajri që vjen nga Liqeni i Shkodrës që është fare pranë, i jep këtij kompleksi me rreth 50 mijë pula që rriten në të, një favor tjetër.

Pularia ka një sistem qendror që kontrollon gjithçka, temperaturën, ujin, ushqimin, pastrimin, mbledhjen e vezëve dhe transportimin e tyre në magazinë.

Në këtë kompleks kujdesen në detaje edhe për sasinë e duhur të ujit që duhet të pinë shpendët. Uji jepet me një raport të saktë me ushqimin, një me dy.

Në pularinë e Beata rriten dy raca pulash, Lohman e bardhë dhe Lohman e kuqe që prodhojnë mesatarisht 50 milionë kokrra vezë në vit. Veza e kuqe sipas veterinerëve përmban më shumë proteina e yndyra se sa veza e bardhë dhe është më e përshtatshme për tavolinë.

“Fakti që veza Beata eksportohet edhe në vendet e Bashkimit Evropian e bën më të sigurt konsumimin e saj. Veza Beata është dhe në bursë,” – thotë Redina Guri, veterinere.

Procesi i ambalazhimit është një tjetër hap i rëndësishëm në vendin e prodhimit të vezëve.

Ato seleksionohen nga përmasat që kanë dhe te Beata hasim dhe shumë vezë me dy të verdha.

Sipas Redinës nuk ka asgjë anormale te vezët me dy të verdha. Disa pula i prodhojnë këto vezë ashtu si edhe njerëzit që lindin binjakë. Vezët e thyera, punonjëset i nxjerrin mënjanë e po kështu edhe vezët që kanë papastërti.

Veza është një ndër proteinat shtazore më të asimilueshme nga trupi i njeriut dhe më e lira në aspektin ekonomik, çka do të thotë se me çmimin që ka, përballohet nga të gjithë.

Veza Beata ka treg të sigurt në Evropë, në Kroaci dhe më së shumti Greqi. Ajo furnizon edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, teksa ka dhe certifikatën CE, për të qenë pjesë në tregjet evropiane.

Please follow and like us: