Albspirit

Media/News/Publishing

Blendi Salaj: Kur Gëte thoshte se nuk ka gjë më të frikshme se injoranca në veprim

 

Pas një postimi mbi Bill Gates, më befasoi një lumë komentesh mbushur me mllef, gënjeshtra, idiotësi. Por mbi të gjitha këta këto xhevahire shndërriste injoranca. Njerëzit janë injorantë. I tërheqin për hundësh sharlatanë dhe i mbushin dëngas me të pavërteta. E pastaj ata sillen rrotull si thasë plot me rrena, duke lëshuar një gënjeshtër këtu e një shpifje atje, me qetësinë e ndërgjegjes së Prometeut, se po i bëjnë mirë njerëzisë.

Nuk ka gjë më të frikshme se injoranca në veprim, sipas Gëtes. Ndërsa Martin Luther King shkruante se “asgjë në botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë”. Jo zotëtinj, Gates nuk është shpallur non-grata askund në botë. Mëso faktet. Nuk është detyra ime të të zbraz plehrat me të cilat ke mbushur mendjen. Nuk ka shkaktuar viktima në Afrikë, por jep 2 miliard në vit për kontinentin në projekte të ujrave të zeza dhe ujit të pastër – sepse Afrika vuan nga sëmundje si kolera. Ka financuar shuarjen e poliomelitit, në vende afrikane – duke u çuar vaksinën që ke bërë edhe ti dhe fëmijët e tu. Mësoje. 34 miliardë nga paret e Billit, i ka çuar për projekte vaksinimi, sepse mijëra fëmijë po vdisnin nga sëmundje që janë zhdukur në perëndim. Sepse vaksinat… Projekte për shëndetin, higjenën, arsimimin, energjinë në vendet më të varfëra, ku nevoja është më e madhe. Dhe jo për një tax-break (cinzimi!).
Ka premtuar gjysmën e pasurisë sa është gjallë dhe 90% të gjysmës tjetër pas vdekjes. Që kjo vlerë e madhe financiare të shkojë për të bërë mirë. Billi ka rreth 113 miliardë dollarë të vetat. Ato gjërat e tmerrshme që keni lexuar apo parë në video në internet nuk kanë fakte që t’i mbështesin. Luajnë me frikërat natyrale. Kanë qenë gjithmonë aty. Nuk mbajnë firmën e asnjë institucioni mediatik apo edukativ të njohur botërisht si të tillë. Janë teori konspirative që gjenerojnë të ardhura për disa në saj të padijes dhe keqinformimit.

Injoranca është ok, kur mbetet e të zotit, por kur trumpetohet si e vërteta, është e tepërt. Shkrimtari amerikan Harlan Ellison shënon se “nuk kemi të drejtë të kemi opnionin tonë, kemi të drejtë të kemi një opinion, pasi jemi informuar. E drejta e injorancës nuk ekziston”. Ky postim nuk u drejtohet injorantëve, por atyre që e shohin këtë situatë dhe tundin kokën. Duhet bërë diçka më shumë.

Please follow and like us: