Albspirit

Media/News/Publishing

Ela Zdrava: Biri im!

 

Kur dikush të lyp një kafshatë,

shtroja zemrën, bëju sofër,

sot koriçkën e fundit ndaje me të,

nesër mund të bëhet vëlla a motër.

 

Kur dikush të kërkon ujë në zhegun e jetës,

njomja buzën e tharë, t’i çelet buzëqeshje,

meteorë t’i shpërthejnë në retinën e syrit,

në qerpikë t’i blerojnë bisqe jete.

 

Kur dikush të vjen për të kërkuar ndjesë,

hape zemrën bir, fale, jepi vlerë krijesës,

mos harro, bëhu ortak me kohën,

t’ia shohësh fytyrën e vërtetë ndjesës.

 

Kur dikush të vjen me sherrin me vete,

largohu prej tij mos u zhyt në ato dete,

rri sa më larg njerëzve negativë,

pisllikun e tyre do ta ngarkojnë mbi shpinë.

 

Kur dikush të vjen në portën e gëzimit,

gëzimin nuk ta shton me praninë e tij,

me dajre përcille në rrugë, të shkojë,

lerja shpirtit tënd gëzimin ta jetojë.

 

Kur dikush vjen tek ti i pikëlluar,

shpresë mbilli në shpirtin e vrarë,

ujëvara agimesh zbriti në zemër,

në rreze dëshirash të ndihet i gjallë.

 

Kur dikush të troket natën në derë,

hapja portën e shpirtit trokitjes së tij t’vonë,

jo më kot halli e solli turravrap te ti,

se mikun më të mirë ty të beson.

 

Kur dikush të vjen e të ulet në zemër,

bëje gjithcka nëse për të t’flet dashuria,

preke me shpirt, me respekt e përkujdesje,

nga ajo grua do të të ndrijë shtëpia.

 

Kur dikush të vjen për të të sjellë mallin tim,

në qoftë natë, yje mbi kokë do të ndrijnë,

në qoftë ditë, rreze do të mbështjellin,

në qoftë shi, pikat lotët e mi do t’sjellin.

 

Nëse dikush të ulet në prehër me cicërima,

ti i thërret bir, sikurse shpirti im ty,

mall do t’i mbush zemra jote t’sajat lëndina,

birin do ta kesh mrekullinë e tetë në sy.

Please follow and like us: