Sadik Bejko: Në rrethin e trembëdhjetë…
Në një tunel, në ferr,
në rrethin e trembëdhjetë
kam ngritur një tribunal pambarim.
Jam vetë i akuzuari,
dëshmitarët, publiku…
Vendimet i jap e aty mbesin,
letrat i mbulon myku.
Nën ankth e makth që zgjat,
me peshore në dorë,
ndëshkimi im të ther.
I fitoj të gjithë gjyqet në tribunal.
… të ndëshkuarit,
fajtorët? Ata prapë,
Ata paturpësisht
…fitimtarë.
Dalin,
Bëjnë jetën ata.
Popullojnë majat dhe rrugën.
Më qeshin nga lart, më nxjerrin gjuhën…
I moshuar,
prift i thinjur në kishë,
dhe nga ky tribunal
s’po heq dorë
…një huq i rinisë.
Në tribunalin tim pa pranga,
Pa litarë, xhelatë a burg,
Me tru në erë, peshore në dorë
jap vetëm të drejtë.
Këtu, në tunel,
në rrethin e trembëdhjetë.
Marrë nga libri “Letër Hamurabit” 1979.