Prof. Kristaq Kume, apel qytetar për formularin kushtetues
Pas vendimit të KQZ për të na pajisur me fletën tip për grumbullimin e firmave të jo më pak se 20000 zgjedhësve, të nevojshme për të paraqitur në Kuvend, për miratim, projekt ligjin “Për referendumet në Republikën e Shqipërisë”, kemi filluar punën për plotësimin e këtij detyrimi. Ne synojmë që në këtë proces të përfshihen sa më shumë qytetarë, sa më shumë nga ju miq. Kështu ju do të kontriboni jo vetëm për grumbullimin e firmave por do të jeni edhe informues, nxitës dhe sensibilizues për të drejtën tonë kushtetuese për referendum që, deri sot ka qenë gati e pamundur për ta ushtruar, sepse kjo nuk i ka interesuar asnjëherë partive politike. Secili nga ju që dëshëron të bëhet pjesë e këtij procesi, duhet të dërgojë në adresën e-mail:
kkume09@gmail.com
adresën e tij postare, ku dëshëron t`i dërgohen me postën e zakonshme, formularët -Fleta tip – që do të përdoret për grumbullimin e firmave. Në një formular grumbullohen firmat e 25 zgjedhësve. Në varësi të numrit të firmave që secili nga ju mund të grumbullojë, në mesazhin që do të dërgojë për adresën e vendbanimit të tij është i lutur të shkruaj edhe numrin e formularëve që mendon se mund të plotësojë. Mbani parasysh se mbështetës të kësaj nisme mund të jenë vetëm zgjedhësit-shtetas shqiptarë të moshës 18 vjeç e lartë. Formulari duhet të plotësohet në mënyrë të qartë, me të gjithë informacionin që kërkon. Bëni kujdes që në formular të shkruhet numri i kartës së identifikimit dhe jo numri identifikues i zgjedhësit (shiko në foto si e kam plotësuar unë). Është shumë e rëndësishme që në formular të firmos vetë zgjedhësi, ndryshe nuk është i vlefshëm. Ju duhet të firmosni në fund të formularit (Grupi i mbledhjes së nënshkrimeve).
Të nderuar miq, pjesëmarrja juaj në këtë proces është jo vetëm e dëshirueshme dhe kontribuese për ta çuar deri në fund nismën për të patur një ligj efektiv për referendumet, por bashkë me të është edhe angazhim qytetar për të bërë sa më shumë dhe sa më mirë fuknsionale dhe efektive demokracinë në vendin tonë.