Ilir Levonja: Telefonatat e Edi Ramës me Lukashenkon!
Në kohën që Edi Rama përpiqej të lidhej me Llukashenkon, me që Shqipëria ka kryesimin e radhës së OSBE, presidenti bjellorus po u shpërndante medalje nderi policëve besnikë. Burgjet ishin mbushur, të rrahur sa të duash, madje edhe dy a tre kishin ndërruar jetë.
Çfarë në fakt kërkon Edi Rama t’i ofrojë Llukashenkos, përvojën shqiptare apo atë të OSBE-së? Kjo është një pyetje naive për faktin se OSBE, një grupim ndërqeveritar, ka për qëllim të gjendet në krizat brenda grupit, sidomos aty ku mungon dialogu, zgjedhjet e lira, liria e fjalës dhe të drejtat e njeriut. Pasi vetë Shqipëria ka qenë një vend problematik për sa u përket këtyre kritereve, për më tepër kur parimi bazë i ekzistencës OSBE është vendimmarrja me konsensus të gjerë. Jo më larg se disa javë, në 30 korrik 2020 Shqipëria ndryshoi Kushtetutën e vendit me veto dhe pa konsensus. Jo më larg se një vit mbajti zgjedhje moniste, pa faktorin alternativë a opozitën, duke shpallur një rezultat alla Llukashenko. Eshtë pyetje naive për çdo pikë të ekzistencës së OSBE-s në lidhje me demokracinë në vendin tonë, pasi shqiptarët kurrë nuk e pranuan dot vetë rolin e saj.