Albspirit

Media/News/Publishing

Republika jonë e bananeve: 122 deputetë, katër dublantë ministrish dhe Fuga, një Qehaja i Informimit

Funksionon gjë normalisht në këtë vend? Është një pyetje që e has shpesh. Nëse i referohemi fakteve publike, të paktën qeveria aktuale e Shqipërisë vuan nga një paradoks që vetëm karakteri i Edi Ramës mund ta gjeneronte.

Por cili është paradoksi?

Me ardhjen në pushtet, z. Rama vendosi rregullin e çuditshëm edhe në këtë han pa porta, që ata që bëhen ministra japin dorëheqje nga mandati deputetit. Kishim në mandatin e parë të Tepsisë rreth 156 deputetë duke qenë se një ministër që merr pjesë rregullisht në punimet e Parlamentit, flet dhe përgjigjet, në fakt ushtron detyrën e ligjvënësit pa patur një mandat të tillë. Zoti Rama e arsyetoi këtë me idenë performative ta quajmë kështu, pra që ministrat t’i dedikohen punës.

Sot që flasim ky rregull nuk është më, por megjithë dedikimin e ministrave kemi de facto dy ministra Financash, dy ministra Shëndetësie dhe dy ministra të Jashtëm. Pa harruar se janë 122 deputetë!

Ministrja zyrtare Anila Denaj dublohet vazhdimisht nga paraardhësi i vet, Arben Ahmetaj, që mbulon rindërtimin, por sepse ka shumë dëshirë të flasë përherë për borxhin, të ardhurat, aministinë fiskale etj..

Kemi edhe Ogerta Manastirliun që punon si ministër Shëndetësie dhe nga sa duket në tv të paktën është shumë operative. Por në qarkullim që nga nisja e epidemisë është hedhur edhe Ilir Beqaj, paraardhësi i saj që me statuse në Facebook, shkrime të ndryshme etj., argumenton vendimet e qeverisë për menaxhimin e pandemisë dhe flet me gjuhën e shifrave. Dhe mirë bën në fakt, sepse informimi është e mire publike që duhet ta bënte Ministria!!!

Kemi dy ministra të Jashtëm, Edi Rama dhe Gent Cakaj që nuk merret vesh se çfarë bëjnë në realitet përveç faktit se shkruajnë të dy në tuiter. Në qeverinë Berisha thuhej se këtë rol informativ dhe kontrollues e luanin zv.ministrat.

Kjo situatë kaotike ilustron më së miri jo vetëm improvizimin si parim politikbërës, por edhe faktin se përqendrimi i marrëdhënieve me publikun është strategji e dështuar. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk ka zëdhënësa për shtyp të ministrive që të zhvillojnë takime dhe diskutime me gazetarë, t’u përgjigjen pyetjeve e të kenë mundësi për njohuri mbi çështje të caktuara.

Të paktën Ministria e Jashtme, e Mbrojtjes dhe e Arsimit duhet ta kishin një të tillë. Filozofia e kryeministrit është që asgjë nuk duhet të pipëtijë jashtë rrezes së dijenive dhe lejes së tij dhe për këtë ka caktuar Qehajajin e informacionit që quhet Endri Fuga. Në kushtet kur ministrat janë shndërruar në punëtorë operativë të direktivave të tij dhe janë peng i psikologjisë së Like dhe Share, detyrën e mbulimit të imazhit e luajnë dublantët në fjalë që me devocionin ndaj të mirës publike paketojnë edhe ambicien për të rimarrë ndonjë karrige. Sidomos tani që përfliten ndryshime të mëdha në qeveri.

PS: Disa e quajnë politikanin person kompleks. Ky është një eufemizëm i dobishëm edhe për dështakët kronikë.

s.zaimi

Please follow and like us: