Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: A ka ardhur koha të zhdukim analfabetët politikë?

 

Bardhyl Berberi
Me listat e hapura duket se po vjen koha që t’u japim fund analfabetëve politikë, mungesës së lumturisë, poshtërsitë dhe intrigat që na kanë zënë për fyti. Ata, heronjtë e rremë me kostume firmato që kanë hipur nëpër karrike të mëdha duhet t`i zbresim atje ku janë ulur. Me hapjen e listave sigurisht që do të ikin shumë kokëboshë, të cilët kësaj radhe nuk besoj se do ta kalojnë lumin me varka prej letre .

Një burrë nga Mokra më kish thënë vite më parë: “Ore miku im, ne këto 45 vjet një parti kishim dhe na mori shpirtin hamë bukë me dhallë, por tani që do të bëhen shumë parti ku do të katandisemi ne, më duket se do të na rrjepin lëkurën. Dhe profecia e tij në një farë mënyrë u vërtetua…

Me ardhjen e Demokracisë, partitë politike i kemi parë si burim i së mirës së përgjithshme apo si organizata politike të krijuara për realizimin e interesave, kërkesave dhe nevojave jo vetëm të domosdoshme, por edhe  më shumë se kaq  për  shumicën e anëtarëve të shoqërisë. Kjo ishte faza e parë e kënvështrimit të partive politike. Por koha tregoi se këto subjekte politike e kanë humbur dukshëm pozitivitetin që e kishin dhe kanë filluar të bëhen burim i së keqes; partitë politike nga zhgënjimi që iu kanë sjellë njerëzve në këto 30 vjet, ju janë neveritur deri në ekstrem. Përmes këtij shkrimi desha të evidentoj veprimet të errëta dhe të papranueshme në kundërshtim me interesat e popullit.  Ato pjesës dërrmuese të popullit i kanë sjellë trishtim.

Partitë politike sot janë ‘vrasëset’ më të mëdha të shpresave të njerëzve dhe dha jën bërë mohuese të aspirtave të tyre. Sa për ta ilustruar, po sjell aplikimin e lotarisë amerikane ku më shumë se 330 mijë qytetarë shqiptarë çdo vit  duan të largohen nga  Atdheu i tyre i pistë dhe të lajnë pjata në një vend të pastër…

Po le të vazhdojmë me argument të tjera. Thamë që në demokraci do të shpëtojmë nga lufta e klasave. Jo vetëm që nuk shpëtuam, përkundrazi partia që vjen në pushtet i hedh në rrug, ë nëpunësit e mëparshëm edhe pse mund të jenë profesionistë, me tituj akademikë dhe mastera… Nuk vlejnë më titujt shkencorë para një terse partie që marrin mediokrit të inkuadruar nëpër parti politike.

Këto subjekte, dikur shumë të preferuara e sot shumë të urryera dhe nga një burim shprese shumë të madhe tanimë janë shndërruar në institucione të neveritshme për njerëzit e ndershëm dhe një ‘vend pëllumbash’ për të bërë para dhe karrierë për njerëzit e rëndomtë. Pikërisht për këtë kallëp njerëzish kanë shumë nevojë partitë politike  shqiptare.

Edhe termat janë defomura; kështu përcaktimi “ndihmë dhe përkrahje të shtresave në nevojë” nuk ekziston në fjalorët e tyre  sepse e kanë fshirë, ai përdoret si slogan vetëm në fushata zgjedhore. Partitë politike po kthehen në vrastare të shpresave të njerëzve. .Dhe t`i vrasish një njeriu shpresën do të thotë ta lesh si një ‘kufomë pa gjak’. Pastaj lënia e familjeve të tëra pa buxhet të tyre familjare me qëllim të varfërimit të skajshëm të tyre është kriminale; e tërë kjo bëhet me tendencë që këta të mbeten skajshmërisht të varura prej partive.

Analfabetizmi po lulëzon me shifra alarmante.Thuhet zytarisht nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve se  janë 15 mijë analfabetë, por kjo shifër është shumë më e madhe. Ejani në qytezën e minatorëve në Gurin e Kuq  në Pogradec ku në  fjetoret e dikurshme  të minatorëve janë strehuar familje nga zonat rurale dhe aty mund të ketë, vetëm në atë qytezë, me gati 150 familje gati 100 fëmijë analfabetë. Një prind më tha, po ja u them dhe emrin Ismail Shuli, se ka shtatë fëmijë analfabetë të cilët lypin apo mbledhin kanaçe ndërsa ai vetë dhe gruaja e tij jamë me arsim tetëvjeçar. E pra ky fakt është një zë kukuvajke për të vënë kujën…

Dhe njerëzit duhet të presin në pafundësi në varfëri deri sa e do të përfundojnë orgjitë, qejfet e mbrapshta dhe tendencat e errëta të kastave të partive politike. A thua vallë ka ndonjë individ të mençur dhe të ndershëm nëpër parti dhe e sheh këtë realitet dhe praktikë shumë të mbrapsht e të hidhur që zbatohet nga ana e subjekteve politike, pjesë të të cilave janë edhe ata?

Njerëzit e rëndomtë nuk janë të rëndësishëm për ta, si duket këta janë vetëm material konsumi që i blejnë një herë në kohë votimesh me një thes mjell apo me ndonjë 5000 leksh nëpër çdo familje. Ata popullin e konsiderojnë si tufë delesh, dele të cilat sa herë  që t’i qethësh do të marrish  lesh…

Ju, përfaqësues të partive politike, duhet ta dini se e keni cfilitur popullin ku s’mban më, i kini vrarë shpresën. Njeriun nuk mund ta vrasësh vetëm me armë zjarri, por mund ta vrasësh edhe në mënyra të tjera, nëse atij ia mohon të tashmen dhe ia pamundëson të ardhmen e tij, ndërsa  krerët e partive janë të zhytur në luks, të krimbur në korrupsion dhe vendi drejtohet  nëpër poste kryesore nga njerëz të paaftë dhe mediokër…

 

Please follow and like us: