Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: DY KONTRASTE RESPEKTI PËR NENË TEREZËN!

Në Kosovë dhe në Shqipëri, Kisha Katolike Shqiptare po kremton festën e Shenjtës Nënë Tereza (5 Shtator) nën rrethana të vështira – pa pjesëmarrjen e besimtarëve — për arsye të kufizimeve të vendosura si rrjedhim i pandemisë Covid-19 nga autoritet qeveritare dhe shëndetësore të dy vendeve, ashtu si edhe pothuaj ndodh në mbarë botën. Ente të ndryshme fetare në botën shqiptare po e festojnë me nderime dhe respekt këtë ditë, kushtuar bijës së madhe të Kombit shqiptar dhe nenës së botës, Nënë Terezës, në mënyrën e vet dhe si është më mirë, nën këto rrethana. Institucionet fetare anë e mbanë trojeve shqitare si edhe individë të ndryshëm po e kujtojnë këtë ditë në mënyrat e veta dhe sipas mundësive, — bazuar edhe në njërën prej shprehjeve të Nenë Terezës e cila ka thenë se: “Ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha, por vetëm gjëra të vogëla me dashuri të madhe”.

Më tërhoqi vëmendjen sot vepra e një individi të vetëm në Shkodër, i cili vetëm me nismën e tij personale, ka zgjedhur një mënyrë unike për të nderuar dhe për të kujtuar Nënë Terezën, jo vetëm sot në Ditën kushtuar Shënjtës Nënë Terezë, por çdo ditë. Emri i tij është Leopold Shkreli, të cilin, sipas disa burimeve mediatike, asgjë nuk e pengon që përditë të çojë lule tek shtatorja e Nënë Terezës në Shkodër.

Sipas disa mediave vendore dhe kombëtare, përfshir portalin ‘Shkodraweb’, shkodrani i moshuar, Leopold Shkreli shkon çdo ditë pranë shtatores së “Nënë Terezës” në qendër të qytetit të Shkodrës. Aty ai vendos lule me qëllim që të mbajë gjallë thirrjen e Nënë Terezës për të dhuruar më shumë dashuri dhe përkujdesje ndaj të varfërve, që ishte misioni i Nënë Terezës dhe Urdhërit të Motërave të saj të përhapura anë e mbanë botës.

Kjo mund të mos duket si ndonjë vepër e madhe e këtij shqiptari të dalluar e fsinik shkodran, por siç duket Leopold Shkreli e bënë këtë gjest me përkushtim dhe dashuri të madhe që ai ka për Nënë Terezën. Në një video të publikuar nga Dioqeza Rrëshen në facebook shihet qartë pelegrinazhi i përditshëm  dhe i pa përtesë i Leopold Shkrelit, para shtatores së Nënë Terezës në Shkodër, për të vendosur lule të freskëta aty çdo ditë, duke tërhequr vëmendje dhe admirimin e shumë qytetarëve të Shkodrës dhe më gjerë.

Leopold Shkreli nuk besoj se e bën këtë as për ndonjë reklamë as për të tërhequr vëmendjen ndaj këtij akti humanitar dhe nderimi ndaj bijës shqiptare të njohur anë e mbanë botës, por megjithëkëtë, është e pamundur që ky akt i tij, që nga disa mund të konsiderohet si i vogël, por ama tregon një dashuri të madhe personale të tijën për bijën e Kombit Shqiptar dhe është një akt prekës dhe një frymëzim për të gjithë ne.

Po kush është Leopold Shkreli, i cili ka zgjedhur këtë mënyrë unike për të nderuar dhe respektuar Nenë Terezën, për çdo ditë duke vendosur lule të freskëta para shtatores së saj në Shkodër? Fatkeqësisht unë jetoj në Amerikë dhe nuk e njoh Leopoldin, ndërkohë që të dhënat për të në internet janë të paka. Por, unë kam pasur nderin të njihja vëllain e tij, Dr. Lin Shkrelin i cili ka jetuar në Romë, ashtu si shumë të tjerë të brezit të tij, të përndjekur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ashtu siç ishte edhe vetë Leopold Shkreli. Sipas disa të dhënave, Leopoldi, i mitur në atë kohë, u arrestua së bashku me vëllezërit e tij në Shqipëri, pasi një ‘mik’ i familjes u kishte ofruar që të arratiseshin nga vendi, por në vend të arratisjes, ata përfunduan në burgjet e Enver Hoxhës. Për më tepër, atyre nuk i ndihmonte fakti se vëllai i tyre në Itali Dr. Lin Shkreli, njihej në komunitet si aktivist i Bllokut Kombëtar Indipendent, në përpjekjet e atëhershme për të bashkuar elementët antikomunistë shqiptarë, me qëllim rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri. Nënë Tereza ka thenë se, “disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim”. Leopold Shkreli është njëkohësisht një bekim, por edhe një mësim për të gjithë ne”, sidomos në këtë ditë kushtuar Nënë Terezës.

 Tonin Koka, autori dhe Dr. Lin Shkreli, djathas (i vëllai i Leopold Shkrelit. Foto e marrë në Romë, Shtator, 1984 tek dera e Pallatit në të cilin thuhet se qendronte Gjergj Kastrioti Skënderbeu kur vizitonte Papët e Romës – sot hotel modern “Scanderbeg Pallazo” në kryeqytetin italian).

Më poshtë dy kontraste — kundërshtim dhe kontradiktë — se si një shqiptar, nga dita në ditë, tregon nderimin dhe respektin e tij ndaj një figure të madhe të Kombit Shqiptar, siç është Nënë Tereza, të cilën e njeh dhe e respekton mbarë bota (foto e majtë e shtatores në Shkodër për të cilën kujdeset një individ, Leopold Shkreli) dhe indiferentizmi i shtetit shqiptar ndaj të njëjtës figurë kombëtare dhe fetare, (shtatorja e Nenë Terezës, e ‘dëbuar’ sa më larg nga Tirana, vendosur në Qafë Thanë).

 

 

Please follow and like us: