Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Dështakë, lista e hapura për ju janë si varka prej letre, nuk kaloni dot lumin…

Ky nivel i të bërit politikë po njollos dhe po dëmton imazhin e shqiptarëve skajshmërisht

– Projektet konkrete për zgjidhjen e problemeve për zgjedhjet PS dhe PD vazhdojnë të notojnë në ujëra të turbullta

Në gjitha mjediset intelektuale pritshmëritë janë të larta për një parlament konstruktiv që i shërben popullit, përderisa do të ketë lista të hapura.

Ethet elektorale kanë kapluar vendin tonë. Nga zgjedhjet parlamentare na ndajnë vetëm shtatë muaj pas dekretimit të datës 25 prill 2021 nga presidenti aktual. Deputetë dhe ministra të mazhorancës dhe të opozitës i sheh si qengja të urtë që pinë kafe me militantë dhe iu ‘qajnë hallet’ pas tre vjet e gjysmë që nuk i kanë parë me sy. Aktorët janë në skenë, e spektatorët e nderuar me dëshirë ose pa dëshirë, me telefonata e me kërcënime duhet të jenë në sheshet dhe pallatet e sportit ku ata duhet t’i mbushin dhe të dëgjojnë gënjeshtrat e radhës.

Ky nivel i të bërit politikë po njollos dhe po dëmton imazhin e shqiptarëve skajshmërisht. Grindavecë, njëra palë i bie gozhdës dhe pala tjetër patkoit. SPAK duhet të nxjerri dhëmbët… Reforma zgjedhore duket se do të hapi plagë të reja konfliktuale midis pozitës dhe opozitës. Shkollat do të nisin në një situatë të jashtëzakonshme kur Covid-19 çdo ditë merr jetë njerëzish dhe mbush spitalet me të sëmurë. Përplasje priten edhe për numërimin elektronik është avazi i vjetër për të gjetur një pretekst për sherre pafund dhe asgjë konstruktive… Projektet konkrete për zgjidhjen e problemeve për zgjedhjet PS dhe PD vazhdojnë të notojnë në ujëra të turbullta. Na bënë gazin e botës nga karrigia e parlamentarit përfunduan me pranga në dorë drejt qelive të ftohta…

Një gjë është e qartë, që populli do emra konkretë që të votojë, vetëm kështu ai do t’ia matë kokën me spango secilit deputet, kjo tashmë është premtuar dhe shpresojmë se do të vihet në zbatim… Populli nuk do t’i gëlltitë edhe njëherë që të shohë në parlament njerëz të deformuar, pasanikë abuzivë, të cilëve nuk u ka dëgjuar një herë zërin në parlamente jo më t’iu zgjidhin hallet, por vetëm të rregullojnë nëpër dogana dhe institucione baxhanakë, kunata, vëllezër. Vetëm ky ka qenë misioni i tyre deri më sot, se ata ndonëse nuk kanë patur nivelin e duhur dhe figurën e pastër, kanë hyrë nga këto lista famëkeqe.

Si mund të lejohen që persona ordinerë pa asnjë vlerë të futen në parlamentin e ri që s’kanë lidhje me popullin, por vijnë në parlament për të mbrojtur bizneset e tyre. Nga e gjithë kjo, dua të veçoj disa deputetë që kanë ngritur probleme dhe kanë qenë aktivë, por fatkeqësisht janë shumë pak, sa që numërohen me gishtat e dorës. Në gjitha mjediset intelektuale pritshmëritë janë të larta për një parlament konstruktiv që i shërben popullit, por frika ekziston. Ju kryetarë partish të paktën mendoni për familjet tuaj.

Popull, një këshillë miqësore të paktën kur të vijnë dhe të bëjnë fushatë mos duartrokit dështakët… mos u gënjeni nga lajkat mos e shisni votën tuaj për një thes miell apo për një lavatriçe dhe një televizor plazme, siç ka ndodhur në të kaluarën. Unë e ndjej që ju ndodheni në kushte shumë të këqija, fukarallëku iu ka vënë poshtë, por ruani dinjitetin tuaj, se nesër kjo kosto do t’ju ndjekë për katër vjet të tjera si hije. Kjo kosto do t’iu prishë cilësinë e jetës suaj dhe do t’iu zhytë në dëshpërim… “Tashmë është fare e qartë, tha një i moshuar, këtyre politikanëve tanë iu ka humbur busulla dhe na kanë lënë në mes të oqeanit, në mes të katër rrugëve; mes akullit, ngricës dhe varfërisë”.

Realisht demokracia e vërtetë do të vijë atëhere kur askush nuk mund të jetë aq i pasur sa të blejë dikë tjetër dhe askush nuk mund të jetë aq i varfër sa për t’u shitur. Një fjalë e urtë në Mokër thotë: Mos luani me durimin e burrave të urtë se ata dinë të largohen në heshtje dhe të lënë me gisht në gojë. Realisht koha sjell gjithmonë të vërtetën, por është për të ardhur keq se nuk e sjell gjithmonë në kohën e duhur. Bukovski ka thënë: Ata që kërkojnë turma për vete për t’i mbështetur janë askushi…

Koha në këto 30 vjet demokaraci ka treguar se nuk jemi qeverisur nga njerëzit më të mirë dhe në parlament kemi patur deputetë nën nivelin mesatar… Fushata po troket tek dera dhe duhet hequr dorë nga ajo frymë urrejtjeje, frike dhe një histeri që i shpëton vullnetit të inteligjencës. Duket se kësaj radhe me lista të hapura delenxhinjtë nuk do ta kalojnë dot lumin me varka prej letre…

 

 

Please follow and like us: