Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Pandemitë dhe Njerëzimi. Covid-19

Abstrakt pa fund

Dhe, hamendësimet e shkencëtarëve u bënë realitet.                                                      

Po, nëqoftëse ndodh një pandemi”?

Dhe, ajo ndodhi! Covid-19!

Po tani, çfarë do të ndodhë”?

***

Ç’na tregon historia e Pandemive?

Sa më të civilizuar bëheshin njerëzit, aq më të shpeshta ishin mundësitë për t’u prekur nga Pandemitë, të cilat bëheshin edhe më agresive!

Viti 431 Para Krishtit: Murtaja e Athinës. Pandemia e parë e botës perëndimore

Në vitin 431 p.e.s., shpërtheu Lufta e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës. Për t’i bërë ballë ushtrisë të Spartës, komandanti athinas Perikliui shpërnguli banorët në Akropol dhe ruajti lidhjen me jashtë vetëm nëpërmjet portit të Pireut. Tifua, nga Afrika Lindore u soll në portin e Pireut nëpërmjet morrave në anijet e flotës së Athinës dhe u përhap shumë shpejt në Akropol. Brenda një viti, vdiqën 100 mijë athinas, përfshirë dhe Perikliun. Djegia e kufomave në mënyrë të përqëndruar ishte metoda efikase për frenimin e përhapjes së epidemisë.
Athina, ky qytet-shtet i lulëzuar, i dha lamtumirën “epokës së artë të Perikliut”!

Viti 165 e.s. Murtaja Antonine u shfaq gjatë sundimit të dinastisë të Antoninëve, e njohur dhe si Murtaja e Galenit (Simptomat e Murtajës Antonine u përshkruan nga mjeku grek Galen) preku Azinë e Vogël, Egjiptin, Greqinë dhe Italinë. Ajo erdhi në Romë nga ushtarët, që ktheheshin nga Mesopotamia. Shkaku i Murtajës mendohet Lia?  Vdiqën 5-10 milionë njerëz. Murtaja e Antonine e shkatërroi Perandorinë Romake midis viteve 165 dhe 180- të e.s.

Shënim: Në perandorinë e Egjiptit, Kleopatra është e njohur për martesën me perandorin Antonin. Filmi “Kleopatra” (1963). Rolin e Kleopatrës –aktorja Elizabet Tejlor dhe rolin e Antonine- aktori Ricard Burton.                                                                       

Viti 541-542. Murtaja e Justinianit (Perandor i Bizantit) ishte një shpërthim i murtajës bubonike e shkaktuar nga minjtë dhe pleshtat. Ajo preku Perandorinë Bizantine dhe qytetet portuale të Mesdheut.n Vdiqën 25 milionë njerëz gjatë një viti. Kështu ra “kambana e vdekjes” për Perandorinë Romake! Rënia e Perandorisë Romake Lindore (Bizantit) dhe, ngritja e Perandorisë Arabe, ndërpreu burimin e përhapjes së shkaktarit të murtajës në Europë nëpërmjet rrugës së Mëndafshit drejt Perëndimit (lidhja e Mesdheut me Azinë Lindore). Historiani William H. McNeill citon: “Deri në fund të shekullit të 3-të, pandemitë në rajonin e Mesdheut ishin shkaktuar nga: virusi i lisë dhe i fruthit.  Ato, fillimisht u shfaqën në tufat e bagëtive në Afrikën Veriore dhe pastaj u përhapën në mes të konsumatorëve të mishit të gjedhit në Europë…”.

Shek.X –XIII-të.  Kryqëzatat ishin pikat e para të kontaktit me botën arabe, me sëmundshmërinë dhe me transmetimin e ndërsjelltë të sëmundjeve infektive. Leproza (karantinë, izolim, distancim social)! Leproza u shndërrua në pandemi në Evropë. Leprozët izoloheshin në vënde të karantinës – leprozariume, në masa të rrepta sigurie. duke shmangur kontaktet me njerëzit. Në ishull, leprozët i thoshin:“lamtumirë jetë”!

Shek. XIV-të. Murtaja e zezë ose vdekja e zezë, (1346-1353) shkatërroi Azinë, Evropën dhe Afrikën.  Vdiqën 75-200 milion njerëz.  Nuk kishte më vend në varreza. Papa Klementi IV shenjtëroi ujërat e lumit Rhon në Francë, ku hidheshin kufomat.

Shënim. Libri “Dekameroni” i Bokaços (1313–1375) lidhet me këtë pandemi.

Shek. XV-të. Zbulimet e mëdha gjeografike dhe teknike si: Rruga e re detare për në Indi e zbuluar nga Vasko de Gama. Zbulimi i Amerikës nga Kristofor Kolombi, busulla, harta gjeografike, shtypshkronja Gutenberg etj. Portet detare, u bënë qendra të mëdha për anijet tregtare me produkte blegtorale dhe bujqësore, por ishin vend i përsosur dhe për shumimin e minjve dhe pleshtave. U shtua qarkullimi i njerëzve me popullsi të ndryshme (skllevërit, koloniziatorët). Shënim. Filmi “12 vjet skllav”, filmi më i mirë i vitit, 2014.

Shek. XVI-XVII-XVIII-të Lia (Variola). Valët e epidemive nga Lia, ndërshekuj zhdukën perandori, miliona njerëz, por nuk kursyen as mbretërit: Mbretëreshën Meri ll të Anglisë, Perandorin e Shenjtë Romak Jozefin I, Mbretin francez Luigjin XV dhe Carin Pjetër ll të Rusisë.

Mjeku anglez Edward Jenner, më 14 Maj 1796 i injektoi një djaloshi të ri të shëndetshëm material nga plaga e lisë së lopës. Djaloshi nuk u sëmur! Mjeku Jenner ishte pionieri i konceptimit të vaksinave.

U prodhua vaksina e Lisë, vaksina e parë në botë!

Filloi epoka e vaksinimt të njerëzve! Imunizimi! Në shek. të XVIII-të, 400.000 europianë në vit vdisnin nga lija, midis tyre 1 në 7 fëmijë ishte rus. Katerina e madhe e Rusisë, për të inkurajuar rusët për vaksinën, e aplikoi e para! Në fytyrën e Stalinit dallohen pasojat e Lisë, të kaluar në moshën fëminore!

Në shek. XIX-të ndodhi shpërthimi i tretë i Kolerës (1852–1860), më vdekjeprurëse, duke shkaktuar vdekjen e mbi një milion njerëzve. Edhe kjo Pandemi e kishte origjinën në Indi, duke u përhapur në katër kontinente: Azi, Evropë, Amerikën e Veriut dhe Afrikë.

Shënim. Deri në shek. e XIX –të shkaktarët e pandemive ishin të pa njohur!                

Në shek. e XIX-të u zbuluan shkaktarët e Pandemive vdekjeprurëse të Njerëzimit. U vendos Diagnoza bakteriologjike. Robert Koch zbuloi bacilin e TBC dhe bacilin e Kolerës (1883).

Fillon epoka e Asepsisë dhe Antisepsia

Luis Paster identifikoi mikroorganizmat, që shkaktonin sëmundje dhe aplikoi metodat e Asepsisë dhe Antisepsisë (larja e duarve, dorezat, maskat, dezifektimi etj).

“Gripi Aziatik” (1889-1890). Ishte epidemia e parë e vërtetë në epokën e bakteriologjisë!

“Gripi Aziatik” ose “Gripi Rus” u shkaktua nga virusi i influencës A H3N8.  Numri i vdekjeve: 1 milion njerëz. U vendos “Vijë karantine” midis shteteve. Vendet e Europës Perëndimore vendosën bllokimin e detyrueshëm të zonave të prekura. Në kufirin midis Austrisë dhe Perandorisë Osmane u krijua një “vijë karantine”. Çdo njeri apo mall, që vinte nga Lindja në Perëndim, duhej të karantinohej rreth kësaj vije për 21 ditë. Mjekët evidentuan dhe sistemuan të dhënat statistikore të rasteve të reja të përditshme.

Shek. XX-të “Shekulli i gripit”. Në Ligjin e Shëndetit Publik u theksua: Krijimi i komiteteve vendore për mbikëqyrjen e mjedisit publik, kushteve higjienike. Masat mbrojtëse parandaluese për sëmundjet infektive, vaksinimi. Reforma e standardeve mjekësore dhe shëndetësore.

“Gripi spanjoll”. Në vitin 1918, e gjithë bota ra në tmerrin e “Gripit spanjoll”. Virusi i gripit Spanjoll (H1N1) u përhap në Evropë, Amerikë, Azi dhe Afrikë. Origjina gjeografike e pandemisë, mendohet nga Kina? Vdiqën mbi 50 milionë njerëz. Pas 2 vjetësh, “gripi spanjoll” u zhduk papritur, ashtu si erdhi…?!

Shënim. Në vazhdimësi, vlerësimet epidemiologjike dhe statistikat vijnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e themeluar më 7 prill 1948, me qendër në Gjenevë të Zvicrës.

“Gripi Aziatik” (1956-1958) ishte një shpërthim pandemik i Gripit A të nëntipit H2N2.  Gripi Aziatik u përhap nga Kina në Singapor, Hong Kong dhe në SHBA. Zgjati 2 vjet dhe vdiqën 2 milionë njerëz.

“Gripi i Hong Kongut” (1968) u shkaktua nga virusi i influencës A, lloji H3N2, mutacion gjenetik i nëntipit H2N2.Rasti i parë u raportua në Hong Kong dhe, brenda tre muajve, u përhap në Indi, Australi, Evropë dhe në SHBA, duke shkaktuar 1 milion vdekje në njerëz.

 HIV/AIDS (SIDA) u identifikua në vitin 1976 në Kongo dhe u përhap në të gjithë globin (sëmundja e shek. 20-të). SIDA ka vrarë më shumë se 36 milionë njerëz në të gjithë botën. Kërkimi për të gjetur kurën dhe vaksinën kundër HIV, po vazhdon prej 36 vjetësh…!?

SARS-CoV. 2003. Sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (SARS) u raportua për herë të parë në Kinë dhe u përhap në Azi, SHBA dhe Europë. Shkaktari ishte një koronavirus, (SARS-CoV), që shkaktoi 774 njerëz të vdekur. Sëmundja, si erdhi, ashtu iku në vitin 2004…!? Nuk ka vaksinë!?

Gripi H1N1 (gripi i derrit) 2009-2010. Gripi AH1N1 (1918) u rishfaq në vitin 2009, por më i zbutur. (Cikli natyror)! Origjina: në Kinë. Pritej vala e dytë e pandemisë në pranverën e vitit 2010, por kjo nuk ndodhi? Vdiqën 500 mijë njerëz. Brenda 7 muajve u prodhua vaksina, por ajo ngeli stok?! Edhe kjo pandemi, ashtu si erdhi, po ashtu, iku…?!

***

Covid-19 (2020-2023) Pandemia ndodhi!                                                                                                                                                                                                

Pandemia COVID-19 renditet si pandemia e pestë më vdekjeprurëse në histori!

Pandemi e përmasave historike! Gjëja më e keqe, që ka parë njerëzimi që nga viti 1918. Ekspertët, në fillim parashikuan, se Pandemia e koronavirusit mund të vrasë deri në 40 milion njerëz!

Sars CoV u rishfaq papritmas, më agresiv, tinzar e vdekjeprurës! Inteligjenca e koronavirusit triumfoi ndaj inteligjencës natyrale të shkencëtarëve Nobelistë dhe inteligjencës artificiale në Mjekësinë moderne të sofistikuar. Stili i Jetës ndryshoi! Ditët e normalitetit krejt të pasigurta, i ngjajnë një kujtimi të largët. Shkrimtarët dhe kineastët do të shkruajnë romane dhe skenar filmi. Të rinjtë do të shkruajnë ese për to. Rrjedha e pandemisë dhe fati i kombit tani varet nga distancimi shoqëror!

Prolog kronologjik

Më 31 dhjetor 2019, Kina njofton për një Pneumoni misterioze në qytetin e Wuhanit.

Më 9 Janar 2020, Kina raporton se ka identifikuar një Koronavirus të ri, Sars-CoV-2, që është nga e njëjta familje me SARS-CoV (2003).

Më 11 janar, Kina njoftoi vdekjen e parë të shkaktuar nga Covid-19 dhe e vuri hartën gjenetike të virusit në dispozicion të autoriteteve shëndetësore botërore për studime shkencore për ilaçet dhe për prodhimin e vaksinës Covid-19.

Në 30 janar të vitit 2020, OBSh-ja shpalli “Urgjencën ndërkombëtare të shëndetit publik” nga një koronavirus, që më vonë u emërua SARS-CoV-2.

OBSH-ja, më 11 shkurt 2020 emërton sëmundjen e frymëmarrjes: Covid-19.   OBSH-ja, më 30 mars 2020, shpalli “Pandemi globale”, që nënkuptonte përhapjen e koronavirusit pothuajse në çdo kontinent. “Krizë globale shëndetësore, me shqetësim ndërkombëtar”.

***

Luftë me armikun e padukshëm mikroskopik SARS CoV2!

Panik! “Kunjat” e kurorës së Koronavirusit u ngulitën në të gjithë globin tokësor. Shkencëtarët dhe strategët e Shëndetit të OBSH i gjeti të pa përgatitur për luftë! Qeveritë në mbarë botën u kapën në befasi! Sistemet shëndetësore në botë të pa përgatitur! Personeli shëndetësor, që ishte në vijën e parë të frontit të luftës, të pa mbrojtur, luftonin si “Don Kishoti me ushtë”!

Ritmi mortor po shtohej nga dita në ditë! Pamje të tmerrshme në stacionet TV! Kufoma. Në sheshe vetëm ushtarë! Njerëzimi u gjunjëzua nën pushtetin e Covid-19!

Bota u ndal! Qeveritë ndërmorrën masa drastike!

Mbarë njerëzimi në karantinë. Jeta sociale u paralizua! Tregjet botërore u tronditën, krizë e rëndë financiare dhe psikologjike. Transporti dhe kufijtë shtetërorë të mbyllur. Shtetrrethim! Vetëm, komunikim dixhital!

Situatë kritike në spitale: mbingarkesë të sëmurësh, mungesë pajisjesh, shtretërish dhe personel shëndetësor. Infektim dhe vdekje ndër personelin shëndetësor! E pazakontë: seleksionimi i të sëmurëve…!

Politikat shëndetësore janë më të vështira se politikat qeveritare. Përse? Sepse ato varen nga politikat qeveritare. Edhe shtetet më të pasura në botë diskutojnë për mungesën e testeve, maskave, ventilatorëve…?!

Mësim nga Historia!

Shkencëtarët dhe OBSH iu rikthyen historisë së Pandemive me masat mbrojtëse: Karantinim, Izolim, vetizolim, Distancim social, Higjienë vetjake dhe publike, Testim, gjurmim…

Kërkimi i fajtorit. Akuza të ndërsjellta

Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi Kinën për epideminë e koronavirusit: “Nëse Kina do ta kishte informuar botën që në fillim, kjo epidemi mund të ishte ndalur më herët… origjina e virusit është nga një laborator në qytetin kinez të Wuhanit”.

Akuza nga Kina:

“…Kjo çështje duhet të trajtohet nga shkencëtarët dhe jo nga politikanët… Diplomati i lartë amerikan e ka humbur busullën e tij morale…Virusi e kishte origjinën nga SHBA-ja dhe u çua në Kinë nga ushtria amerikane”.

Donald Trump akuzoi OBSH për “fshehjen e rolit të Kinës në pandemi, për veprimin e vonuar në shpalljen e situatës emergjente dhe të pandemisë”. Trump urdhëroi ndërprerjen e fondeve për OBSH. OBSH akuzon presidentin Trump për politizim” të virusit Covid-19.

Polemika shkencore për origjinën e Covid-19. Natyra apo njeriu?

Ekspertët më të rëndësishëm të sëmundjeve infektive në Amerikë, Angli dhe Australi: “e pamundur” që, koronavirusi i ri të kishte dalë nga një laborator…”.

Dr. Anthony Fauci (këshilltar i Presidentit Donald Trump): “…virusi nuk mund të jetë manipuluar artificialisht ose qëllimisht… ky virus evoluoi në natyrë dhe më pas kaloi te speciet”.

Misteri i laboratorit të Wuhanit

Laboratori  i Wuhanit është i vetmi laborator në Kinë (pjesë e Akademisë) i pajisur për nivelin më të lartë  të kontrollit (Niveli 4 i Biosigurisë). Eshtë ndërtuar për të studiuar patogjenet më të rrezikshme të botës, siç janë dhe koronaviruset. Laboratori është projektuar dhe ndërtuar me ndihmën e Francës.

Shkenca në konflikt me Politikën

Dr. Anthony Fauci (këshilltar i gjashtë presidentëve të SHBA), u kërkoi udhëheqësve të SHBA-së, që ta bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskës. Presidenti amerikan Donald Trump: “Nuk do t’i urdhërojë amerikanët, që të përdorin maska mbrojtëse…”.

Kryeministri anglez Boris Johnson në fillim i nënvlerësoi këshillat e ekspertëve. Në muajin Mars, ai u ndërgjegjësua nga përjetimi personal i sëmundjes Covid-19. Pas daljes nga spitali, Johnson duartroket personelin shëndetësor! Shkenca kërkon kujdes në rihapjen e ekonomisë së vendit! Politika këmbëngul në rindezjen e shpejtë të motorëve të ekonomisë.

Imuniteti. Në fillim u hodh idea “Imuniteti i tufës”! Por, kjo gjë nuk ndodhi.

Vaksina Covid-19- kryefjala  botërore e shpëtimit të njerëzimit!

Më 11 janar 2020, studiuesit në të gjithë botën u vendosën menjëherë në start për prodhimin e vaksinës kundër Covid-19. Garë e ethshme për vaksinën. Konkurrenca përfshin botën e shkencës dhe kompanitë e mëdha shumëkombëshet farmaceutike, për të arritur në finish, për marrjen e patentës… Mbi 120 projekte kërkimore në zhvillim e sipër! (14. 9. 2020).

OBSH: “Vaksina nuk mund të prodhohet më herët se 1 vit e gjysmë”.

Dr. Fauci: “Nëse arrijmë të kemi një vaksinë kundër koronavirusit 70 % të efektshme dhe, e kombinojmë atë me disa elementë të praktikave më të mira të shëndetit publik, atëherë mund të kemi një mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë komunitetin”.

Suprizë!  Vaksina “Sputnik V” 6 muaj nga fillimi i Pandemisë?! 11Gusht2020. Presidenti rus Vladimir Putin njofton: “Për herë të parë në botë  është regjistruar  një vaksinë “Sputnik V” kundër koronavirusit të ri. Një nga vajzat e mia u vaksinua…”. Disa shtete si: Kina, Rusia, Indi etj prodhuan vaksinat e tyre për popullatën.

Gjatë kësaj periudhe kohore  katër vaksina janë miratuar për përdorim të kushtëzuar nga Agjencia Europiane e Barnave  (EMA): Comirnaty  (Pfizer), Spikevax (më parë Moderna), Janssen dhe Vaxzevria (më parë AstraZeneca).

Lind pyetja se, si ka qenë e mundur të zhvillohen vaksinat kundër Covid-19 në më pak se një vit?

Për zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave tradicionale me patogjenë (bakterie ose viruse) të vdekura ose të gjalla duheshin mesatarisht rreth 10 vjet. Ky proces, me një përvojë mbi një shekullore në praktikën mjekësore tek njerëzimi, nuk ishte kryer kurrë në një kohë më të shkurtër!

Nisur nga situata  emergjente e Pandemisë Covid-19, ndryshe nga prodhimi tradicional  i vaksinave, shkencëtarët përdorën “teknologji platformash” të ndryshme, që përfshijnë prerjen e materialit gjenetik nga virusi.(Vaksinat e Universitetit të Oksfordit / AstraZeneca dhe Pfizer / BioNTech).

Koha normale për hedhjen në treg të vaksinës është nga 1 vit deri në 10 vjet, por kjo varet nga urgjenca e situatës, p.sh. Covid -19.

Shënim: Dhjetëra vende, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës Astra Zeneca kundër koronavirusit se, disa njerëz në Danimarkë dhe Norvegji kanë pësuar mpiksje gjaku pas vaksinimit.                                                                                     

 Ç’do të ndodhë më tej pas vaksinave?

OBSH: “Kriza e shkaktuar nga Covid-19 nuk do të përfundojë domosdoshmërisht me një vaksinë. Virusi nuk do të zhduket, ndaj, shoqëritë duhet të mësojnë si të bashkëjetojnë me të. Kjo nuk do të jetë Pandemia e fundit dhe, as urgjenca e fundit globale shëndetësore…”,15.9.2020.

Pandemia Covid -19 vazhdon në mënyrë të frikshme

Spitalet të tejmbushur me të sëmurë. Vdekjet nga Covid -19 vazhdojnë, fatkeqësisht, edhe, vdekje midis mjekëve në krye të shërbimit mjekësor! Epidemiologjia udhëzon popullatën për zbatimin me rigorozitet të masave mbrojtëse ndaj Covid -19. Izolimi. Pengesë për të udhëtuar nga një shtet në tjetrin, por,vetëm me Çertifikatë vaksinimi Covid-19!

Vaksinimi i detyrueshëm i popullatës!

***

Fundi i Pandemisë Covid 19

Më 5 maj 2023, OBSH e ka deklaruar fundin e COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore. Universitetit Johns Hopkins në SHBA: Në më shumë se dy vjet e gjysmë  mbi 6.5 milionë njerëz humbën jetën nga ky koronavirus, ndërsa u infektuan mbi 612 milionë”. Hans Kluge, drejtor rajonal i OBSH për Evropën citon:

“Njerëzit në rajonin Europian janë thellësisht të ndikuar nga  Covid-19 dhe pasojat e tij do të rëndojnë shumë në shëndetin mendor dhe ndjenjën e mirëqenies së njerëzve, si në  papunësinë, shëndetin financiar dhe izolimin shoqëror.”

Epilogu

E ardhmja e njerëzimit e pa sigurt! Përse? Ekziston ende misteri i botës së viruseve.

Në univers ka më shumë viruse sesa yje! Triliona viruse notojnë në ajër.

800 milionë viruse bien në çdo metër katror të planetit çdo ditë, të cilat nuk ndërpresin kopjimin dhe ndryshimin e virusit (cikli natyror).

Njohuritë e njerëzimit për to janë vetëm një pikë uji në oqean!

Mikrobet, Viruset dhe Sëmundjet ngjitëse kanë bashkëjetuar dhe do të bashkëjetojnë me Njeriun, sa të jetë Jeta në Tokë! Njerëzimi u ndal për një çast, megjithatë, Toka rrotullohet! Jeta vazhdon…!

Shëndet Publik. Refleksion për liderët botërorë dhe për njerëzimin

Sa më shumë zhvillohet Bio-teknologjia mjekësore dhe Inteligjenca artificiale (AI), aq më shumë shtohen të panjohurat dhe pikpyetjet ndaj sigurisë së shëndetit të njeriut dhe, aq më i madh është tmerri për përsëritjen e Pandemive!

Pandemitë shkaktojnë më shumë vdekje njerëzore, vuajtje humanitare dhe pasoja të rënda ekonomiko-sociale tek njerëzimi, se sa shkaktojnë luftërat!                              

Informacion plus:

Youtube Andrea GUDHA:  Pandemitë dhe njerëzimi

Youtube Andrea GUDHA: Les Pandémies et l’Humanité                                    

https://alb-spirit.com/2020/10/06/andra-gudha-pandemite-dhe-njerezimi-2020/