Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Vlora Rexhaj Morina

 

DASHNINË NA E RUEJSHIN N’SHAMI

 

Të lidhun kërcu nanlokja

Na i përkundte andrrat n’djep

T’ui na i këndu ninullat t’krijum

Nën shaminë e bardhë.

 

T’lidhun për trungun e jetës

T’mesuem me dahun e ahut

Lëshum shtatin n’lendina t’blerta

Mbush me erë dashnie t’shejta

 

Njashtu si dielli që na ngroh

N’behar nana na ngrohte duart

V’ram nga dimnat e acartë

Stinëve t’errërta t’shpirtit

 

Ah… nana me atë za t’ambel

Na mblidhte rreth votre

T’uj na thur uratat

T’krijum nën shaminë e bardhë.

 

31 gusht 2020.

 

SONTE

 

Sonte vargu më pëlcet

në shpirt

N’damarët e trupit

lundrojnë lirikat e shiut

 

T’ pimë

Nga dehja shekullore

 

Sonte tingujt

kërkojnë strehë

Në gjysmë t’shpirtit

të braktisun

 

Nën petkun e fantazisë

Vrasin nostalgjinë homeriane

 

Sonte yjet ndezen

nga dashuria

Pikojnë si margaritarët

e mbështjellun n’muze

 

Agimet e buzëqeshura

marrin rrugë drejt shtigjeve

t’zemrës

 

Çelin zambakët e diellit

 

Sonte vetëm sonte

Trojën pushtuan

Bajlozët

 

Helena hoqi vellon

 

Sonte pihet langu i jetës

Deri në pikën e fundit

në tryezat e Olimpit.

Please follow and like us: