Albspirit

Media/News/Publishing

Sot nuk do të kishte Gjykatë Speciale, nëse s’do ishin matrapazët që njollosin UÇK-në!

Arbana Xharra

Po të kishit zbuluar vrasjet e 60 zyrtarëve të LDK-se, të kishit ndërtuar sistem të fortë të drejtësisë, e jo banda që në emër të luftës për çlirim kanë zaptuar e lënë Kosovën në fund të pusit, sot nuk do të kishte Gjykatë Speciale.

Po e ripostoj shkrimin tim të botuar tash 10 vjet më parë për luftëtarin e denjë të UÇK-së që edhe sot ju mallkon për këtë ditë!

Matrapazët që njollosin UÇK-në!

Si ndihet një ish-luftëtar i denjë i UÇK-së, kur sheh bashkëluftëtarët, “komandantët”, që sillen si kapadainj me xhipa nëpër rrugë, ndërtojnë vila, abuzojnë me pushtetin që kanë në dorë për t’u bërë milionerë? Si ndihen ushtarët që disa vjet më parë ofruan jetën të gatshëm për të mos e duruar padrejtësinë?

Çfarë ndjesie ngjall kur ish-luftëtari i UÇK-së futet me një thes me matrapazët që sot po shkelin mbi çdo interes kombëtar për interesa personale. Ata filluan luftën për ta bërë Kosovën të pavarur, me tërësinë e saj territoriale, por edhe për ta ruajtur pasurinë e kërcënuar nga gllabërimi serb. Asnjëra nga këto qëllime sot nuk është arritur. Madje sot jemi më afër se kurrë që të humbet tërësia territoriale, të humbet pasuria për të cilën u demonstrua më 1968-1981, u luftua në fund të viteve 1990.

Skemat e pasurimit në kurriz të shtetit akoma në krijim nuk kanë kapur të gjithë luftëtarët e UÇK-së. Një pjesë e tyre që luftuan për këtë vend, nuk u pasuruan, por u harruan. Ata ngelën të papërkrahur të bindur se luftëtari i denjë nuk mund ta plaçkitë popullin e vet.

Sot, nëse kujtojmë fundin e luftës dhe vitet e para pas saj, atëherë kur shumëçka është bërë në emër të luftës, kujtojmë se gjithçka është arsyetuar. Mirëpo, të thirresh mbi 11 vjet në emër të luftës për të përfituar në secilin rast që të të vijë, kjo ka bërë që të stërlodhet ky popull… Shkrim i imi i botuar ne Shtator 2010 ne gazeten “Zeri”.

Please follow and like us: