Albspirit

Media/News/Publishing

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo viziton Greqinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo zhvilloi të hënën bisedime me homologun e tij grek Nikos Dendias në një kohë tensionesh mes dy aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë.

Takimi u mbajt në një hotel në Selanik dhe ishte pjesë e një udhëtimi dyditor të zotit Pompeo në Greqi, ku ai do të zhvillojë bisedime edhe me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.

“Shtetet e Bashkuara dhe Greqia këmbyen pikëpamje lidhur me Mesdheun Lindor dhe rikonfirmuan bindjen se çështjet e kufijve detarë duhet të zgjidhen paqësisht dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, thuhej në një deklaratë të përbashkët që u publikua pas takimit.

Tensionet mes Athinës dhe Ankarasë u ndezën muajin e kaluar pasi Ankaraja dërgoi anijen Oruç Reis për kërkime sizmike në ujërat e pretenduara nga të dyja palët shoqëruar nga anije të vogla luftarake, me qëllim planifikimin e shpimeve të mundshme për naftë e gaz në një zonë që mendohet të jetë e pasur me burime energjetike.

Që atëherë, Turqia e ka tërhequr anijen Oruç Reis dhe të dy vendet kanë rënë dakord të rinisin bisedimet mbi çështje që lidhen me eksplorimin në det, një hap që u përshëndet nga Shtetet e Bashkuara që ka inkurajuar dialogun.

“Sigurisht aftësia për të zbutur tensionet dhe për t’u angazhuar në diskutime dhe dialog është shumë e rëndësishme mes këtyre aleatëve të NATO-s, prandaj ne vazhdojmë të nxisim Greqinë dhe Turqinë që të ndërmarrin hapa në këtë drejtim dhe përfundimisht të arrijnë një marrëveshje”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

“Siguria në Mesdheun Lindor është pa dyshim në favor të Greqisë dhe Turqisë dhe të aleatëve në gjithë rajonin Euro-Atlantik”, shtoi zyrtari.

Është hera e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit viziton Selanikun, që shihet si një portë për investime dhe tregëti në Ballkan.

Zoti Pompeo do të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe për shkencën dhe teknologjinë në Greqi, e cila synon të bëhet një qendër energjie në Ballkan, si edhe do të takohet me udhëheqës biznesi në sektorin e energjisë.

Të martën Sekretari amerikan i Shtetit do të mbajë bisedime me kryeministrin Mitsotakis në bazën ushtarake detare të NATO-s, Souda në ishullin e Kretës./VOA

Please follow and like us: