TAKTIKË E RE E SERBISË PËR SPASTRIMIN ETNIK TË SHQIPTARËVE NË MEDVEGJË…!
Dashamir Uruçi
Më kujtohet si sot, rrethimi ushtarak i Preshevës, për heqjen e monumentit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevë-Bujanoc-Medvegjës. Me qindra ushtarë serbë, të armatosur deri në dhëmbë, autoblinda e mjete të tjera të rënda ushtarake e kishin rrethuar qytetin e vogël, simbol të qëndresës antiserbe, në Kosovën Lindore.
I tmerronte serbët, një përkujtimore e luftës çlirimtare, e vendosur në kujtim të të rënëve si dhe të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës Lindore si dhe bashkimin e saj me vëllezërit e vet të Kosovës së Pavarur.
Përdorimi i dhunës për heqjen e atij simboli historik la një shije të hidhur e të paharruar tek shqiptarët, në Bujanoc e Medvegjë e veçanarisht tek shqiptarët në Preshevë të cilët e shihnin çdo ditë, përkujtimoren e lirisë.
Kanë kaluar vite nga kjo ngjarje e rëndë e me sa duket, serbët kanë ndruar taktikë, kanë hequr dorë nga dhuna publike me ushtri e polici e po përdorin metoda të tjera, tinzare e të fëlliqura, antiligjore e antidemokratike, në shërbim të përpjekjeve të tyre, për spastrimin etnik të shqiptarëve, në Kosovën Lindore që rëndom e në mënyrë të gabuar edhe Politika Shqiptare po e thërret LUGINA E PRESHEVËS.
Nën goditjen më të rëndë e të gjithanshme është vendosur komuna e MEDVEGJËS e veçmas vendbanimet shqiptare në këtë komunë.
Pas deportimit të tyre, nëpërmjet pasivizimit të adresave, tash kanë dalë në skenë, planet e përgjithshme rregulluese, nëpërmjet të cilave synohet sekuestrimi i tokave që janë në pronësi të shqiptarëve, në Medvegjë dhe Bajën e Siarinës.
Sipas burimeve të sigurta, pronat në zonat urbane, i ashtuquajturi “plan rregullues” parashikon t’i kthejë në hapësira publike ndërsa pronat në zonat rurale synon t’i shpronësojë në emër të zhvillimit të turizmit rural e malor, hapjes së shkollave verore, qendrave sportive etj.
Planet dinake të Serbisë, me emërtimin “plan rregullues i Bajës së Siarinës” parashikon gllabërimin e 935,77 hektarë toka nga pronat e shqiptarëve nga të cilat në Donja Banja 138,85 ha, në Centar Banja 123,03 ha dhe në Gornja Banja 303,08 ha, duke mos detajuar këtu edhe disa hektarë të tjerë që do të përdoren për qëllime të tjera.
Gongu për politikën shqiptare ka rënë me kohë dhe gjëma në Kosovën Lindore po i bie shqiptarëve përditë.
Krijimi i Këshillit Nacional të shqiptarëve, në Medvegjë, nga Republika e Shqipërise si dhe hapja në këtë komunë e një zyre të Republikës së Kosovës janë hapa pozitive, por të pamjaftueshme për shërimin e gjendjes.
Agresioni i Serbisë për spastrimin etnik vazhdon e rezultatet që priten për shqiptarët, në mbrojtjen e të drejtave të tyre kombëtare e njerëzore ende nuk duken.
Thuhet se as marrëveshje për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve midis Shqipërisë e Serbisë nuk ka, ndryshe nga shtetet e tjera kufitare të cilat këto marrëveshja i kanë kryer me kohë me Serbinë.
Të shpresojmë se zëri i qytetarëve e patriotëve në MEDVEGJË, thirrja e tyre për ndihmë do të dëgjohet e politikanët tanë, interesaxhinj e laramanë, do ta kthejnë kokën nga interesat kombëtare të shqiptarëve…!
DASHAMIR URUÇI-USHC-TIRANË.
29 shtator 2020.