Albspirit

Media/News/Publishing

Ilmi Kasemi: STUDIO ME HELMËZA NË PEZË HELMËS

 

Është studioja e tretë që po marr në dekadën e fundit. Është e mjaftushme për ambjentet dhe hapësirat që ka, por ka edhe shumë tokë.
Mbi të ka qenë një serë, që kultivonte kërrminj, lumaka, siç i thonë në dialektin tënë. Mbaj mend kur qesëndisnin ndonjë grua, në muhabete të llojeve xhelozi, duke e krahasuar o me guaskën o me gjendjen xhelatinoze të së brendshmes së saj. Shprehja fillonte me Ua.
Ua u bë dhe kjo buzë lumaka!!!
Sera mund të rikualifikohet për perime,
nëse qeveria më njeh si katunar dhe po e bëri këtë, do më duhet të mendohem,
se ku mund të fitoj më shumë.
Nga llogaria e bërë saktë me faturat e ruajtura, këto pesëmbëdhjetë vjetë, paga ditore neto më ka dalë pesëmilë lekë të vjetra. Nëse me serën do fitoj më shumë nga pesëmijë lekëshi i vjetërë si artist dhe nëse përfitoj ndonjë subvecion gubernatist, është më mirë katunar nderi, se artist nderi, në shtetin tënë katunik, në xingaristanin kapitalo-demokratik me bazë fisi, katuni, etnie, ideologjie dhe kleptofilie.
Sepse si qytetar e si artist, nuk ka më gjasë,
se ndonjë gubernë shqiptare do të më njohë.
Ka njëzet vjet shabantapizmi, sipas Lames që mbanë tapinë e studios dhe shtëpisë sime në dorë të sekserëve.
O Lam tundu, se me letër e me firmën tënde, para pandemisë, më shkrojte zyrtarisht e shtetërisht, jo privatisht, se do më ktheje përgjigje brënda dhjetë ditësh. Kaluan njëqindë ditë të errëta. Fol or Ligj dhe boll me qelbësirët sekserë e kusarë, dembel e kurvar, që e rropërn miletin. Na kthyet në miletizëm o ju shkrues pronash.
Sos e kamë vetëm për vete.
Përse përdor fjalë e figuracione antigubernative?
Edhe mundet që janë kështu, për ndokënd,
i cili katë drejtë të thotë me mendje dhe bindje të vetë prej kali shale apo karroce.
Ka tridhjetë vjet që nuk po ndihmohen artistët. Jo unë. Po si mund të ndihmohen? Jo duke ju falur studjoza dhe arëza si dikurë, por duke ju dhënë kapanone dhe angarë, që janë ende pa hesap në pronë të shtetit.
Hapësira të mëdha.Të futen artistët e të punojnë pa qera, të paguajnë vetëm energjinë dhe ujin. Të hynë ata, sepse janë kreator, krijojnë frymë për ata njerz, që ju zihet fryma nga pangrënësia dhe nga ngrënësia e tepërt, e thënë më saktë, pangopësia, për disa të tjerë.
Shqipëria dhe shqipëtarët, s’kanë nevojë për lumaka. Shqipëria ka nevojë për iluminim nga iluministët, që në vijë të parë janë artistët, jo vetëm këta të anës sime, që po flasë, por edhe shkrimtarët, shkencëtarët, poetët dhe muzikëtarët, valltarët dhe aktorët, e shumë të tjerë, që duhen konsideruar.

Më duhej sot ti hipja autobusit të Ndroqit, se makinën e lash në servis për dy ditë.
Tmerr në këtë karkasë as dhjetë metër katror.
Këta autobusë blu, që në fakt janë minibus dumdum, të mbuluar të periferisë, janë pjesa e turpit të sistemit urban të Tiranës. Në këtë dhjetë metër katror, brenda kishte thasë dhe trasta me bidona cocacole, pleq, plaka, katunar e qytetar, por edhe nxënës shkollash. Gjysma me celular dhe gjysma me maska. E vendosa dhe unë, sot për herë të parë maskën e zezë, jo prej pandemisë, por prej qelburisë. Plasa nga vapa, se qe gati mesi ditës, mu dogj surrati, rezistova deri tek Ura e Beshirit. Zbrita më shpejtë nga ç’duhej. Gjendje më e tmerrshme, nga ajo e autobuzëve fizarmonikë të dikurshëm të Shkodrës, ku nga mbingopësia me udhëtarë-pasagjerë, gjysma e parë anonte majtas dhe e dyta zvarritej në të djathtë.
Ato ishin më mirë, më të ajrosur, se qenë pa xhama Kavaje.
Më duhet një kosëtar, i thashë duke ngrënë jani me mish, kamarierit skraparli. Kam marë një studio me qera, këtu përballë fonderisë.
Po re, kam unë një komshi, është burri mirë.
E dua për të korrur barin dhe shkurret, ferrat gjëmbaçët dhe helmëzat jo për burrë zamoni. Se e mora një dje dhe ai që ma rekomandoi, më tha që s’ka dorë.
Se ç’hynte në punë dora, dmth vjedhja,
në biseda pune, unë nuk e kuptoj.
Nuk kërkoj burrë dhe as burrë të mirë.
Ja tha nxitimthi Ekremi, ai që po ha bukë te tavolina tjetër, është shofer dumdumi, duhet t’a ketë numrin e celularit, se punojnë ngahera bashkë.
Ai korr, dhe qy me dumdumt ngarkon bartë dhe i hedh në lumtë.
Zakonisht unë ha drekë me tav-dheu, por ka pak kohë që më pëlqen janija. Vjenë pjata e ngrohtë me një kubik mishi, sa dy kuti shkrepse dhe një pilaf. Qesh Ekremi sa vjen në tavolinë të mari porosinë edhe të miqve e kolegëve të mij të fonderisë, se hamë bashkë nga hera.Ti Ylmi, e di unë, si nga hera.
Qesh edhe unë, si nga hera edhe për emrin Ilmi, që skraparlitë e fillojnë me gërmën Y. Qeshim gjithashtu, sepse e kamë quajtur drekë varrimi, jo vetëm prej gjellëve,
pilafit dhe janis, por me sa duket, ditën e parë të mishit me lëng, koiçidoi që lokali na ofroi gratis, revani të butë, ose hasude të fortë.
Sa mbarova drekën e dekës së ditës, vjen kosëtari i dytë, i lajmëruar nga shoferi, se e kishte shtëpinë aty afër. Qe veshur mirë dhe mbante çadrën e mbyllur në dorë.
A je mëjr? Jo i thash, fjalës së parë përshëndetëse të tij, sepse dje mora një kosëtar tjetër, nga një mik tjetër, këtu nga Mënëjku dhe aj mëjku tjetër si Ekremi,
më tha që o burr i mirë dhe nuk ka dorë.
Ai vërtet s’kishte dorë për punë, por këmbë kishte. E lash të korrte. Sa vajta në Durrës dhe erdha, as një orë e gjisëm, kur u ktheva kishte ikur në shpëj. I telefonova dhe i thashë të lumshin krahët, lekët po ja lë mikut tat. Ska problem tha përmendësh, siç zakonisht shprehen”babaxhandembelët”.
Jo ka problem, sepse ti punove. Nuk desha t’a takoja më kosëtarin e parë, që mori për një orë, saç nuk mar unë për katër ditë, sepse gjysma tjetër e orës, i iku me ndërrimin e bishtit të kosës.
Nuk doja dhe për një tjetër arsye se, puna qe lënë në një pikë, të cilën duhej t’a përfundoja vetë, pra ti pastroja vetë e ti shtypja mbeturinat, në qoshen e murit.
Këtu në vendin tënë, nuk është vetëm punë qeverie dhe shteti, por edhe punë mental-iteti. Po rrëfej disa gjendje gjysmëpunore. Shkoj e qethem tek berberi, kthehem në shtëpi dhe qethem prap, mar kosëtar dhe kthehem e korr prap barin e pa rruar, laj makinën dhe i fus një leckë të lagur interierit dhe xhamave nga brenda, blej bukë dhe e pjek prapë, ulem në kafe dhe më duhet t’i fus një pastrim tavolinës, pi kafe dhe më duhet të shkoj unë te kamarieri për të paguar,
shkojë në një zyrë dhe më duhet t’i përgatis unë letrat, kancelarizmat dhe formulizmat e tyre. Janë shumë punë, që tani nuk më vinë në mëndje, por kjo e dentistit është spektakolare. I krruaj vetë protezat, me atrecaturat e mermerit, se të dërrmojnë mishrat e dhëmbëve.
Pale të shkosh tek mjeku i kockave dhe i mishrave të trupit, bëhet hataja në vetëpunësim për përfundim,
në kurim-shërim
Vajtëm tek studjo me kosëtarin e dytë.
Ka qenë serë dikur, i thash kostarit, do korrur dhe do ngarku dumdumi. Për sa kohë e korr dhe sa pare do.
Vallahi ka do punë. Për punë të mora.
Ikim tani se o tu fillu shiu.
Ramë dakord për hakin e punës dhe kohën.
I hipëm makinës dhe shkuam tek kafja.
Tre herë më tha: A t’kam ga.
Në fillim se kuptova por dy herët e tjera u morëm vesh. Është shprehje dialektore lumjane. Ka merak se mos më ka hy në hak.
Do i paguj unë kafet, për Zotin. Jo i thash, Zoti është edhe i imi. Ti je më i vjetër nga unë, të thirra unë, ke ardh tek unë,
ke dal në pension te qeveria dhe mer në muaj aq sa do marrësh për dy ditë tek unë.
A e shef çbo privati.
Po vallaj më tha kosëtari. S’ kam lënë tok në Tiron pa korr, dhe vazhdonte e fliste duke treguar me dorë, e duke u rrotullu më në fund nga kodrat e Pezë Helmësit.
Do korrësh helmëza i thashë, se këtej paska shumë, andaj i thotë Helmës. Po vallaj, u përgjigj i sigurtë, sikur të qe e vërtetë kjo etimologji.
Kur do e lem për nesër?
Ka ora gjashtë e gjisëm, më tha Sinani.
Bo bo i thash. Vetëm kur kapnim trenat e Rrogozhinës për në Tiranë, jam çu kaq herët. Atëherë isha fëmijë, por edhe tani,
që nisem nga Tirana për Rrogozhinë,
kam mbetur si atëherë, nuk çohem kaq herët.
Ka vesë shumë në mëngjes, brymë i thonë.
Asht kismet puna e mëngjesit, insistonte kosëtari me kodin e vet.
Dakord i thash, do takohemi këtu.
Pimë kafen e mëngjesit herët fare, e fusim kosën dhe sfurkun në makinë dhe shkojmë poshtë. Ndërsa i thashë alternativën t’ime, ai më ndërpreu me paragrafë të kodit zakonar.
Do t’a pëjmë kafen, aqe ku ra bleta e parë.
Te Ekremi, aqe ka lezet, me e poi me të, se aj u bo sebep me e bo kit punë.
Sinani hipi në rrugicën me shtuf e me baltë, unë hipa në makinë me mendimin që të shtrihesha një orë përpara për të fjetur, që të kapja orën gjashtë e gjëisëm.
Kjo ndodhi dje.
Ndërsa sot në drekë, pasi zbrita nga dumdumi i Ndroqit, një kilometër më përpara studios, tek Ura e Beshirit, toka serë ishte rruar nga bari dhe helmëzat.
Studjo është e mirë, e re dhe e pastër, por unë ende ka tre ditë që nuk kam filluar të punoj skulpturë.
Puna e parë qe katunareske, mblodha lajthi.
Dolën në dritë nga helmëzat nja dhjetë rrënjë, dhe poshtë kurorave të tyre, kokrrat e rëna, qenë prush.
Nesër do pyes sa është kilja e lajthive.
Jo për ti shitur, por për t’a ditur se sa pare kam çuar sot në shtëpi, për me u mburr si burr i mëjrë.
Mbase na mban koha.
Na mban pandemitë, na mbanë marrëzitë,
nga makutëritë dhe barbaritë,
Zoti ynë që o në qiell.

1.10. 2020

Please follow and like us: